Ndërlidhjet

B: HAXHIU: ZBATIMI I LIGJEVE TË SISTEMIT SERB DO TË NËNKUPTOJË REHABILITIMIN E SISTEMIT TË MILLOSHEVIÇIT


Baton Haxhiu, analist nga Kosova

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat konsideroni se do të jenë efektet e pengesave aktuale në procesin e privatizimit në Kosovë?

BATON HAXHIU
Për mua efektet janë më shumë psikologjike, për arsye se do të jenë të paktë ata investitorë të huaj, të cilët do të vijnë tani e tutje të rrezikojnë në Kosovë për të investuar, apo për të qenë prezentë në procesin e privatizimit. Kjo gjendje që është shkaktuar që prej një muaji e gjysëm nga një vendim i Lansdorfit e ka larguar Kosovën nga një proces i privatizimit dhe nëse ky proces i privatizimit vazhdon, ai do të jetë formal, për arsye se rrezikueshmëria për të investuar në Kosovë është rritur në nivelin maksimal, jo nga aspekti që mendohet të jetë tjetër, por nga aspekti psikologjik, që është ndoshta më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër. Ky për mendimin tim do të jetë, efekti i parë i asaj që quhet ndërprerje e privatizimit. Dhe njëherësh këtu është është thyer ideja se mund të ketë investitorë të jashtëm dhe ajo që është më e keqja, investorët e brendshëm, pra kosovarët do të hezitojnë të hyjnë në një proces në këtë pasiguri të madhe dhe këto vendime absurde që mund t'i sjellë kushdo dhe në çdo kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Pengesat aktuale kanë të bëjnë me statusin e ndërmarrjeve dhe me ligjet e zbatueshme të sistemit të kaluar, ku zyrtarët serbë thonë që transformimi i pronës ka ndodhur që në vitet 90. Sipas vlerësimeve tuaja sa mund të konsiderohet valid në rrethanat e reja të krijuara në Kosovë, ky proces i transformimit të kësaj prone gjatë asaj kohe?

BATON HAXHIU
Ky është një interpretim jashtëzakonisht i gabueshëm pasi e dimë se është pezulluar çdo ligj, i cili ka hyrë në fuqi pas vitit 1989 dhe nuk është i vlefshëm për Kosovën. Të gjitha ligjet vlejnë prej momentit kur ka qenë autonomia funksionale dhe nuk është suprimuar nga Republika e Serbisë. Nëse kjo do të ndodhë atëhere duhet të rishqyrtohen edhe pozicione të tjera, duhet të rishqyrtohet edhe pozicioni i shkeljes së të drejtave të njeriut, pozicioni i Millosheviçit, për arsye se në këtë proces, të themi kështu të defunksionalizimit të autonomisë së Kosovës, i cili ka ndodhur në vitin 1989, nuk hyjnë vetëm ndërmarrjet, por hyn i tërë procesi i cili në njëfarë mënyre ka qenë i dhunshëm për 10 vjet. Prandaj nëse ndodh që procesi i privatizimit të reflektojë atë që është bërë me ligjet pas vitit 1989, atëhere në njëfarë mënyre duhet të rehabilitohet edhe politika e Millosheviçit gjatë asaj kohe dhe të rehabilitohet i tërë procesi, i cili ka qenë defakto proces fashist, i cili i ka dërrmuar shqiptarët jo vetëm nga aspekti psikologjik fizik por edhe ekonomik, prandaj nëse dikush ka qëllim apo ka ide që të riaktualizojë ato ide apo ato ligje që kanë qenë pas vitit 1989, atëhere unë besoj se shqiptarët nuk kanë rrugëdalje tjetër vetëm të dalin në rrugë dhe të kërkojnë heqjen e UNMIK-ut prej këtu. Në pamje të parë duket një fjali radikale, por është një fjali e cila e prek rëndë dinjitetin e shqiptarëve, kosovarëve, pasi të rihabilitohen ligjet që kanë qenë pas vitit 1989, do të thotë rehabilitim i gjithshkaje që ka bërë Millosheviçi këtu. Unë personalisht nëse do të ndodhë diçka e tillë, do të angazhohem me gjithë qetësinë time që të dukemi përballë ndërtesave të UNMIK-ut dhe të kërkojmë që ata të largohen prej këtu, nëse ata bien një vendim të tillë që të riaktualizohen ligjet serbe pas vitit 1989.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG