Ndërlidhjet

SHQIPËRI – NIS LËVIZJA ANTIKORRUPSION


Alma Çupi, Tiranë

Në 10 rrethe të Shqipërisë ka nisur lëvizja anti-korrupsion. Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, së bashku me organizata të tjera dhe në bashkëpunim edhe me median, kanë nisur një fushatë të gjerë anti- korrupsion, për të denoncuar dhe bërë publikë, rastet e abuzimit me ligjin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e institucioneve shtetërore.
Mariana Bello koordinatorja e kësaj lëvizjeje, thotë se pjesë e kësaj fushate është një sondazh, i cili bëhet për herë të parë, me qëllim që të kuptohet niveli i korrupsionit në Shqipëri.
"Nga të dhënat e para që kemi marrë nga mbi dhjetë rrethe ka rezultuar një nivel mjaft i lartë i korrupsionit, mund të them që jo vetëm shprehet një nivel mjaft i lartë i korrupsionit, por nga ana tjetër shprehet gjithashtu një mungesë e besimit të qytetarëve ndaj organeve të cilat kanë për detyrë procedimin, hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit. Gjithashtu shprehet një hezitim i qytetarëve ndaj përpjekjeve të bëra dhe vullnetit të shprehur nga qeveria për të luftuar korrupsionin. Qytetarët hezitojnë të denoncojnë në prokurori, por ata janë më të hapur për të denoncuar në organizata të ndryshme, të cilat synojnë luftën apo mbështetjen e viktimave të korrupsionit."
Në këtë fushatë janë përfshirë edhe televizionet lokale me emisione të hapura, ku marrin pjesë intelektualë, përfaqësues të shtetit dhe persona njohës të ligjit. Drejtuesi i Teuta Televizion, shkrimtari dhe gazetari Bashkim Hoxha, thotë për Evropën e Lirë se për median është mjaft e vështirë të hetojë një çështje korrupsioni, pasi institucionet i mbyllin dyert për gazetarët.
"Kur shkon një gazetar që duhet të hetojë, sorrollatet nga të gjitha anët, mungojnë dokumentat, zhduken dokumentat, ose paraqiten dokumenta të cilat janë mbërthyer mirë e bukur dhe nuk mund të zbulosh atë që realitetet kanë në të vërtetë. Shpesh herë çështjet e korrupsionit, dokumentat legale i kanë të rregulluara për bukuri, pavarësisht se realitetet janë të tilla. Pikërisht për këtë arsye është jashtëzakonisht e vështirë për të gjithë gazetarët. Megjithatë në qoftë se insistohet dhe nëse krijohet një front ku dhe gazetarët të shkojnë ligjërisht, për shembull siç mund të shkojnë gazetarët së bashku me Zyrën e Mbrojtjes së Qytetarëve, atëhere dyert padiskutim hapen në mënyrën e duhur". Shkrimtari dhe gazetari Hoxha shton më tej se arsyeja që media nuk ka fuqinë për të luftuar korrupsionin, është se një pjesë e mediave është e përfshirë në pazare me personat e korruptuar:
"Nuk mund të them për të gjithë median, por ne kemi praktika të asaj gazetarie që quhet gazetari e gjobave. Shpesh herë një çështje fillon, pastaj lihet në mes të rrugës, pasi është bërë pazari me njeriun e korruptuar. Dhe kjo dëmton pa masë imazhin e medias."
Kreshnik Spahiu drejtuesi i organizatës në Mbrojtje të Qytetarëve, thotë se zyrat e shtetit janë të shkëputuara krejtësisht nga hallet e njerëzve dhe se drejtuesit e shtetit nuk e pranojnë shkallën e madhe
të korrupsionit:
"Përfundimisht në Shqipëri ka një fakt të pranuar publikisht nga zyrtarë të lartë, nga politikanë, nga institucione, nga qytetarë, analistë apo organizata qeveritare, që pushteti dhe qeveria kanë shkëputur lidhjet me popullin, me shoqërinë, me zgjedhësit, të cilët kanë votuar dhe ka një krizë përfaqësimi. Në këto kushte, zyra po përdor të gjithë metodologjinë e saj dhe strategjinë për t'u bërë faktor, për të vendosur themelet e një demokracie të vërtetë në vend".
Kryeministri Fatos Nano në të gjitha daljet e tij publike, ka përmendur se qeveria ka bërë përparime në luftën kundër korrupsionit. Ndërkohë Organizatat e ndryshme dhe mediat pohojnë se shkalla e korrupsionit në vend është mjaft e lartë dhe se qytetarët e kanë
humbur krejtësisht besimin ndaj institucioneve të shtetit për të zgjidhur hallet e tyre.
XS
SM
MD
LG