Ndërlidhjet

DEPUTETËT KOMENTOJNË DEKLARATAT E HOLKERIT NË BEOGRAD


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Kosova nuk ka arsye t’i kërkojë falje Serbisë, ka thënë Xhavit Haliti, deputet në Kuvendin e Kosovës, duke e komentuar kërkesën e shefit të administratës ndërkombëtare, Harri Holkeri, që shqiptarët dhe serbët t’i kërkojnë falje njëri tjetrit dhe të pranojnë përgjegjësinë për ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën. Zoti Haliti qëndrimin e vet e mbështet në, sic thotë ai, faktin se shqiptarët nuk kanë ushtruar asnjëherë dhunë në mënyrë institucionale.
“Shqiptarët vetëm kanë bërë përpjekje për t’u mbrojtur nga një agresion, në këtë rast nga agresioni i qeverisë së mëparshme të Federatës Jugosllave dhe absulutisht nuk e shoh të domosdoshme që Kosova të kërkojë ndonjë falje për ato që ka bërë Serbia kundër shqipëtarëve të Kosovës”tha zoti Haliti.
Oliver Ivanoviç, deputet i koalicionit serb “Kthimi” në Kuvendin e Kosovës, mendon se një kërkesë e tillë është e gabueshme për shkak të kokëfortësisë politike në mbarë Ballkanin. Duke u nisur nga ky fakt, zoti Ivanoviç thotë se një kërkesë e tillë do të mund të ndikonte në fillimin e një përleshjeje të re politike midis shqiptarëve dhe serbëve se kush duhet i pari që të kërkojë falje.
“Zgjidhja për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike qëndron në përshkrimin e situatës ashtu sic është dhe jo duke e politizuar atë, krimi është krim pavarësisht nga kush dhe ndaj kujt ushtrohet," tha zoti Ivanoviç. Ai tha se është i bindur që qëllim ii zotit Holkeri ka qenë i mirë, por ka pasur një fillim të gabueshëm në këtë drejtim”tha zoti Ivanoviq.
Në fakt, përfaqësuesit shqiptarë të institucioneve të Kosovës deri tani disa herë kanë kërkuar që Beogradi zyrtar të kërkojë falje për krimet e bëra në Kosovë. Një kërkesë e tillë është riaktualizuar veçanërisht para fillimit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Unionit të Serbisë e Malit të Zi, të cilat u mbajtën më 14 tetor në Vjenë.

XS
SM
MD
LG