Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK suspendon 12 pjesëtarë të TMK-së


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri ka suspenduar sot 12 eprorë të TMK-së lidhur me dyshimet për përfshirjen e tyre në aktivitete të paligjshme, thuhet në një komunikatë për shtyp lëshuar nga zyra e UNMIK-ut. Komunikata, siç thuhet, e përbashkët e shefit të UNMIK-ut, Holkeri, komandantit të KFOR-it, Kammerhoff dhe përfaqësuesve të Quintit diplomatik, thotë se shefi UNMIK-ut, Holkeri e ka njoftuar komandantin e TMK-së, gjeneralin Agim Çeku se si rezultat i kërkesës së përbashkët të UNMIK-ut dhe KFOR-it pas sulmit në urën e Lozishtes në prill të vitit 2003, ai ka vendosur se zbulimet për aktivitetet ilegale të 12 oficerëve të TMK-së meritojnë të hetohen nga policia. Në komunikatë thuhet se pa paragjykuar rezultatet e këtyre hetimeve dhe pa paracilësuar askënd si fajtor, Holkeri ka vlerësuar se gjetjet e deritanishme janë mjaft serioze për të suspenduar për gjashtë muaj me pagesë, oficerët e TMK-së. Në këtë komunikatë thuhet se me disa përjashtime pjesëtarët e TMK-së veprojnë profesionalisht, duke iu përmbajtur standardeve që kërkohen nga ata, dhe se TMK është një institucion i rëndësishëm i Kosovës dhe njëkohësisht një nga standardet për Kosovën.
Në fund të komunikatës shfaqet shpresa se edhe komandanti i TMK-së, gjenerali Agim Çeku do të bashkëpunojë në këtë plan. Mirëpo, vetë gjenerali Çeku, pasi i është komunikuar vendimi, tha se ky ishte një vendim i pabazë:
"Unë dhe tërë TMK-ja e shohim këtë vendim të pabazë ligjore, pa fakte, pa prova dhe nuk i konsiderojmë këta 12 pjesëtarë të fajshëm për veprat që u ngarkohen. Si të tillë, ne e konsiderojmë vendimin të papranueshëm dhe të papërfillshëm nga ana jonë."
Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i TMK-s është mbledhur menjëherë pas komunikimit të vendimit, por deri në këto moment nuk është sjellë ndonjë vendim zyrtar. Komandanti i TMK-së, gjenerali Çeku tha se TMK-ja sidoqoftë do ta marrë një vendim:
"TMK-ja është kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut, por tek e fundit është institucion i Kosovës dhe ne nga bashkësia ndërkombëtare presim ndihmë për zhvillimin e institucioneve tona dhe jo ndërhyrje që nuk e ndihmojnë zhvillimin e TMK-së. Kështu që kryeadministratori e mori vendimin e tij dhe neve na mbetet t’i marrim vendimet tona".
Ndërkohë, qeveria e Kosovës ka lëshuar sot një deklaratë, në të cilën thuhet se qeveria konsideron se TMK ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar me UNMIK-un, dhe shprehet përkrahja për TMK-në si institucion i rëndësishëm, integriteti i të cilës duhet mbrojtur nga të gjithë. Masat ndaj tyre mund të merren vetëm sipas ligjit dhe në asnjë mënyrë tjetër. Personat, faji i të cilëve vërtetohet me procedurë të drejtë gjyqësore duhet të bartin pasojat, por nuk duhet lejuar që asnjë person të suspendohet përjashtohet, apo etiketohet, bazuar vetëm në dyshime të paargumentuara.
Në anën, tjetër, komandanti i KFOR-it, gjenerali Holger Kammerhoff, tha e vendimi për suspendim është vendim i zotit Holkeri dhe shfaqi shpresën se TMK-ja do ta respektojë atë:
"Ne të gjithë shpresojmë se TMK do të jetë organizatë profesionale dhe të pranojë vendimin e kryeadministratorit Holkeri, pasi kjo do të ishte prova e parë e profesionalizmit të TMK-së për të përmbushur standardet për Kosovën," tha gjenerali Kammerhoff.
Deri më tani, askush nuk ka bërë të ditur zyrtarisht emrat e 12 eprorëve të lartë të TMK-s që janë suspenduar, mirëpo thuhet se bëhet fjalë për komandantë zonash dhe anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së, shumica prej të cilëve me grada gjeneralësh.


XS
SM
MD
LG