Ndërlidhjet

logo-print

KUVENDI DO DISKUTOJË ANULLIMIN E LIGJEVE SERBE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Me kërkesën e qeverisë së Kosovës dhe përkrahjen e komisionit për çështje ligjore, Kuvendi i Kosovës, ka vënë në procedurë për seancën e së enjtes, shpalljen e pavlefshme të 53 ligjeve të sistemit të kaluar serb në Kosovë. Këtë vendim, e ka aprovuar sot dhe kryesia e Kuvendit. Në rekomandimin e komisionit për çështje ligjore, kërkohet që të shpallen të pavlefshme për Kosovën të gjitha aktet kushtetuese, ligjore dhe nënligjore, vendimet si dhe aktet tjera që i ka nxjerrë Serbia dhe Jugosllavia pas 22 marsit ’89 deri më 11 qershor të vitit 1999, si dhe të anulohen si të kundërligjshme të gjitha efektet e dëmshme që aktet e tilla i kanë shkaktuar në vazhdimësi Kosovës”. Deputeti Hydajet Hyseni, tha se rekomandimet e komisionit përkatës kanë marrë përkrahjen e Kryesisë dhe do të procedohen sipas në seancën e radhës:
“Këto ligje nuk janë vetëm diskriminuese por edhe okupuese, e po ashtu janë dëshmuar edhe si bllokuese të proceseve në Kosovë. Është koha që Kosova të lirohet nga vargonj të tillë”, tha Hyseni.
Ndërsa deputeti tjetër i kryesisë, Bajram Kosumi, thotë se shpallja e pavlefshme e këtyre ligjeve po bëhet me vonesë, pasi sipas tij, ky vendim është dashur të jetë një nga vendimet e para të parlamentit. Por si do që të jetë, thotë ai, një hap i tillë i Kuvendit edhe në këtë kohë, do të ndikonte pozitivisht në proceset e tanishme në Kosovë:
“Mendoj se kjo nuk është në kundërshtim me dokumnetet dhe normat kushtetuese më të cilat qeveriset në Kosovë e as me Kornizën Kushtetuese. Ky vendim që do të marrë Kuvendit do të jetë në përputhje edhe me orientimin e UNMIK-ut, por më shumë se kjo është në përputhje me proceset ekzistuese me të cilat po ecim përpara”, theksoi Kosumi.
Në anën tjetër, kundër një vendimi të tillë është deklaruar anëtari serb i koalicionit “Kthimi” në Kryesinë e Kuvendit, Gojko Saviç. Sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk ka kompetenca për të aprovuar një vendim të tillë, kurse nëse e aprovon, atëherë parasheh që serbët të marrin hapin e njëjtë veprues ndaj ligjeve të miratuara gjatë periudhës së pas luftës:
“Ne njësoj mund të sjellim një rekomandim që të të gjitha ligjet e miratuara nga vitit 2000 e këndej, janë diskriminues për palën serbe dhe duhet të shpallen të pavlefshëm”, tha Saviç.
Ndërkohë, deputetët shqiptarë vlerësojnë se shpallja e pavlefshme e ligjeve të sistemit të kaluar, do të reflektohet pozitivisht dhe sa i përket plotësimit të standardeve sipas planit për operacionalizimin, i cili pritet të shpallet nesër. Në këtë drejtim, dhe kryeministri Bajram Rexhepi dje kërkoi që plotësimi i këtyre standardeve, të ketë si bazë ligjore vetëm Kornizën Kushtetuese dhe Rezolutën e Këshillit të Sigurimit, duke e kundërshtuar mundësinë që implementimi i tetë standardeve të bazohet dhe në ligjet e aplikueshme.



XS
SM
MD
LG