Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS MIRATON PROJEKTLIGJIN PËR BASHKËPUNIM ME TRIBUNALIN E HAGËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot në parim projektligjin për bashkëpunimin e Kosovës me Tribunalin e Hagës. Propozimin e tij e ka bërë kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili tha se përmes këtij projektligji, mbi baza ligjore rregullohen marrëdhëniet e Kosovës me Tribunalin, duke mos e anashkaluar dhe rolin e institucioneve të Kosovës, si dhe caktohen autoritetet kompetente për vënien e këtij bashkëpunimi, duke u mbështetur në maksimën se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit:
“Projektligji në mes të tjerash përmban dispozitat për sigurimin e kushteve teknike dhe lehtësimin e punës së zyrës së Tribunalit penal të Hagës, e cila vepron në territorin e Kosovës, transferimin e procedurës penale në Tribunalin e Hagës, ku vepra hyn në kompetencë të Tribunalit, ndalimin e gjykimit të sërishëm pranë organeve kompetente të Kosovës, atëherë kur njëherë është vendosur rasti nga Tribunali penal i Hagës, ekzekutimin e kërkesës së Tribunalit të Hagës për dorëzimin e të pandehurit, e çështje të tjera”, tha kryeministri.
Duke e shqyrtuar propozimin e kryeministrit të Kosovës, grupet parlamentare kryesisht kishin vërejtje në materialin e prezantuar, pasi deputetët thanë se projektligji ka shumë paqartësi dhe nuk e dinin nëse po miratohej në këtë rast një rregullore e UNMIK-ut, apo një ligj i Kuvendit të Kosovës. Fillimisht këto dilema në emër të Lidhjes Demokratike i shprehu, deputeti Alush Gashi, i cili tha se në materialin e prezantuar përmendet termi projektlegjislacion dhe jo projektligj, gjë që sipas tij, i ngjante më tepër një rregulloreje të shefit të UNMIK-ut:
“Këtu mes tjerash sugjerohet që ne mund të japim amandamente që t’ia përcjellim qeverisë, e qeveria amandamentet t’ia përcjellë përfaqësuesit special. Mendoj se kjo nuk është një rrugë, e cila përkon me procedurat e Kuvendit të Kosovës”, tha Gashi.
Kurse, Arsim Bajrami tha se grupi parlamentar i Partisë Demokratike, me disa vërejtje e mbështet në parim këtë projektligj. Deputeti Bajrami kërkoi që përmes këtij projektligji të caktohet që autoriteti qëndror për bashkëpunim me Hagën të jetë qeveria e Kosovës dhe jo përfaqësuesi special:
“Meqënëse qeveria e Kosovës po e sponsoron këtë ligj, ajo duhet të jetë autoriteti kompetent. Dikush mund të thotë se nuk do të pajtohet përfaqësuesi special, por ne po bëjmë ligj këtu për Kosovën dhe mendoj se qeveria e Kosovës duhet të prezantohet si një partner që merr përgjegjësinë për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës”, tha Bajrami.
Ndërkohë, në emër të koalicionit “Kthimi” Liljana Keniç, pohoi se Kuvendi në bazë të kompetencave që ka mund të miratojë vetëm Rezolutë për bashkëpunim me Hagën, por jo edhe ligj. Ajo tha se koalicioni “Kthimi” do ta mbështeste një rezolutë të tillë, që do t’i japte mbështetje Hagës për ndriçimin e krimeve të bëra jo vetëm gjatë, por pas luftës në Kosovë:
“Është e pakuptimtë që të fshihen krimet e bëra sidomos ndaj serbëve pas konfliktit, gjegjësisht pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës”, tha Keniç, duke potencuar se këto krime, sipas saj, janë bërë para syve të UNMIK-ut, KFOR-it dhe bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.
Në anën tjetër, duke i dhënë mbështetje në parim projekligjit të propozuar nga kryeministri kosovar, Bujar Dugolli në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kërkoi që të bëhen disa ndryshime në tekstin e ligjit të propozuar, duke u përqëndruar sidomos në rolin që institucionet vendore do ta kenë në relacion me Hagën:
“Ne e kemi vërejtur se sponsoruesi i këtij projektligji, si duket përsëri nuk ka pasur guximin e duhur të hartojë një projektligj që do t'u jepte institucioneve të Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë rolin që duhet ta kenë për këtë çështje, të paktën ashtu siç e kanë vendet e ish-Jugosllavisë”, tha Dugolli.
Sidoqoftë, votimi ka sjellë si rezultat miratimin e këtij projektligji, vetëm me një votë kundër dhe me abstenimin e deputetëve serbë. Ndërsa nëse do të përfillen apo jo kërkesat dhe vërejtjet e grupeve parlamentare, kjo çështje do të vendoset pas shqyrtimit të dytë të këtij projektligji, në një prej seancave të radhës.



XS
SM
MD
LG