Ndërlidhjet

Presidenti amerikan, George Bush nuk përjashton mundësinë e angazhimit eventual të trupave të SHBA-ve n; Maqedoni


Gazeta amerikane "Washington Post", në numrin e saj të sotëm, pos tjerash, shkruan se "çështja e ndihmës së trupave amerikane në evakuimin e kryengritësve shqiptarë nga fshati Haraçinë, ka riaktualizuar çështjen e angazhimit eventual, më gjithëpërfshirës, të Nato-s në këtë konflikt".

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, dje, nuk ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Maqedoni. Ai poashtu, nuk ka përjashtuar mundësinë që të ndalohet udhëtimi i kryengritësve shqiptarë nga Maqedonia në Shtetet e Bashkuara dhe ndalimin e ndihmave financiare nga shtetasit amerikanë.

“Ne jemi anëtarë të Nato-s, prandaj asnjë opcion nuk përjashtohet” – u është përgjegjur George Bush reporterëve, në pyetjen lidhur me mundësitë eventuale të angazhimit të trupave të Shteteve të Bashkuara, për të evituar një luftë civile në Maqedoni.

Ndërkaq, duke folur lidhur me ndihmat financiare, presidenti Bush tha:

“Kemi disa dëshmi se ekstremistët etnikë shqiptarë, po marrin para jo vetëm në Amerikë, por edhe në Evropë; Amerika do të angazhohet për të krijuar siguri se paratë nuk do të shkojnë në fondet e veprimtarive ekstremiste, që po kanë ndikim destabilizues në Qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Maqedonisë” – tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush.

Ndërkaq, gazeta “Washington Post” shkruan se zyrtarë përëndimor po përpiqen të parandalojnë një tjetër luftë në Ballkan. Gjatë disa muajve të fundit, forcat qeveritare të Maqedonisë po luftojnë kundër gueriljes shqiptare në Veri të këtij vendi.

Të hënën, bën të ditur mëtutje gazeta “Washington Post”, trupat amerikane kanë ndihmuar evakuimin e kryengritësve shqiptarë nga fshati Haraçinë. Ky zhvillim ka riaktualizuar çështjen e angazhimit eventual, më gjithëpërfshirës, të Nato-s në këtë konflikt.

Duke mos përjashtuar mundësinë e angazhimit të trupave, duket se zoti Bush po përpiqet që të evitoj gabimin, të cilin, sipas analistëve, e kishte bërë ish presidenti, Bill Clinton, që fillimisht kishte përjashtuar mundësinë e përdorimit të trupave tokësore gjatë fushatës së Natos në Kosovë, në vititn 1999.

Ndërkaq, gazeta amerikane, “Wall Street Journal”, pos tjerash, shkruan se paqartësinë e situatës në Maqedoni, e dëshmon edhe vendimi i djeshëm i Ambasadës amerikane në Shkup, që të urdhëroj largimin e afro 30 amerikanëve nga Maqedonia. Ky zhvillim ndodhi pas tubimeve masive të maqedonasve, që dëshmuan ngritjen e ndjenjave anti-përëndimore.
XS
SM
MD
LG