Ndërlidhjet

logo-print

VLORE: HAPET QENDRA NDERKOMBETARE E LUFTES KUNDER TRAFIQEVE


Alban BALA

Në Shqipëri u përurua Qendra Ndërkombëtare e luftës kundër trafiqeve, një nismë e marrë 16 muaj më herët nga z.Ilir Meta dhe që u materializua me ndihmën e Gjermanisë, Italisë dhe Greqisë.
Ilir.Meta tha në ceremoninë përuruese se një nga prioritetet bazë të qeverisë shqiptare ka qenë dhe mbetet fshirja njëherë e përgjithmonë e Vlorës dhe gjithë Shqipërisë nga harta e trafiqeve të paligjshme.
Një strategji kombëtare e luftës kundër trafiqeve do të prezantohet këto ditë në qeveri dhe do të miratohet së shpejti,- tha z.Meta.
“Kur morëm iniciativën për të krijuar një qendër të tillë pikërisht këtu në qytetin e Vlorës i njohur në të kaluarën si stacioni i fundit kryesor i trafkut të qënieve njerëzore nga Lindja në Perëndim, e bëmë këtë me qëllim që të bashkojmë më shumë përpjekjet tona me përpjekjet e qeverive dhe policive të vendeve fqinje, të vendeve të rajonit tonë dhe vendeve të BE-së në mënuyrë që t;i presim rrugën trafiqeve ilegale nga Shqipëria për në drejtim të Italisë dhe Europes perëndimore dhe njëkohësisht të kontribuojmë për parandalimin e tyre në vendet e tjera”- u shpreh z.Meta.
Nënkolonel Daut Braçe, shef i komisariatit të policisë së Vlorës thotë se njerëzit, rrugët dhe pikat kyçe të trafiqeve janë tani të identifikuara.
“Policia e Vlorës i ka të saktësuara të gjithë personat që merren me trafik, ambjentet, rrugët nga lëvizet për të kryer këto trafiqe, pikat e ndryshme të nisjes për në Itali.
Më saktë ndihma do të na jepet për të penalizuar personat e tjerë që kanë lidhje me vendet e tjera”.
Shefi i policisë së qytetit vëren se numri i atyre që organizojnë trafikun është i vogël, por pas tyre rrjeti është mjaft i gjerë.
“Bashkëpunëtorët e tyre përbëjnë një rrjet të gjerë, mund të flasim për qindra vetë, por jo aq të kriminalizuar. Në një farë mënyrë ndihmojnë në kryerjen e trafiqeve, më saktë gjejnë një mënyrë jetese duke qenë të papunë apo për probleme të tjera ekonomike dhe sociale që kanë”-thotë z.Braçe.
Shumë burime zyrtare që nuk duan të identifikohen thonë se vendet e tjera të rajonit e mbështesin thuajse hapur trafikun. Beogradi, Shkupi por edhe Athina shërbejnë si korridore të sigurtë për aziatikët e shumtë që mësyjnë Perëndimin. Por ambasadori grek Dhimitrios Iliopoulos e hedh poshtë këtë tezë:
“Përgjigja ime është negative. E kemi dëgjuar këtë informacion dhe kemi kontrolluar. Në fakt, ata nuk janë kryesisht kurdë të Turqisë, janë kurdë të Irakut, të cilët për fat të keq, për një arsye apo një tjetër vijnë në Greqi por nuk shkojnë më tej, pasi ne u kemi ngritur kempe refugjatësh ku ata qëndrojnë gjersa… Qëllimi i tyre është të shkojnë sidomos në SHBA ose Kanada. Ata as nuk i drejtohen Europës”.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në pikën kufitare të Kapshticës, pranë Korçës, çdo ditë nga Greqia hyjnë në Shqipëri 65 qytetarë kurdë. Ky numër nga Kakavija, që është porta kryesore mes dy vendeve besohet të jetë edhe më i madh.
Nga ana e tij ambasadori italian Mario Bova thotë se angazhimi i Italisë drejtperdrejt në këtë qendër nuk nënkupton ndryshimin e politikës italiane ndaj rreth 150 mijë emigrantëve shqiptarë që jetojnë në siujdhesën apenine.
“(Kjo përfshirje) Nënkupton angazhimin tonë të përhershëm, një realizim më të madh të këtij angazhimi dhe një bashkëpunim në nivel shumëëpalësh edhe europian gjë që do ta bëjë më efikas aksionin tonë dypalësh, pra gjithçka po përmirësohet, pasi Europa po i ndjek tani këto probleme, do me thënë jo vetëm Italia apo Greqia, por në gjithë kontekstin europian ai është i rëndësishëm”.
Megjithëse presioni i policisë kundër trafiqeve është rritur, përsëri në qytet të gjithë e dinë se prej ku nisen skafet, se kush punon me to dhe se cili ka çmimin më të mirë.
Këtë vit policia e Vlorës bllokoi 35 skafe ndërsa dha për ndjekje penale 92 persona, duke penguar 7,000 të tjerë të merrnin rrugën e rrezikshme të përtej detit.

XS
SM
MD
LG