Një ditë para daljes në votime dhe në kushtet kur partitë politike vendore po respektojnë heshtjen paraelektorale, autoritetet ndërkombëtare në Kosovë, kanë ftuar për dalje masive të njerëzve, në zgjedhjet e nesërme parlamentare. Hans Hakerup, shef i misionit të Kombeve të Bashkuara, tha se është e rëndësishme që pakicat etnike, përfshirë serbët, të marrin pjesë në zgjedhje dhe në institucionet që do të formohen pas tyre. Komandanti i trupave të KFOR-it, gjenerali francez Marsel Valentë, nga ana e tij siguroi se paqeruajtësit dhe forcat policore, kanë marrë të gjitha masat për të mundësuar zhvillimin korrekt të procesit të votimit.