Ndërlidhjet

TRANDAFILOV: ATA QË KUNDËRSHTUAN MARRËVESHJEN ME NJË VIJË ME ATA QË BËN AGRESION


Zërijeta Hajro - Jahjaga “Që atëherë sinjalizuam se nuk e kontestojmë vijën kufitare, por e kontestojnë procedurën e shënimit të vijës kufitare, sepse kemi menduar dhe kemi qenë të bindur... dhe në këtë kohë po vërtetohet, se Maqedonia ka nënshkruar një marrëveshje me një subjekt të paqenë në atë territor… sepse pushtetin juridik aty e ka patur atëherë, por e ka edhe tani UNMIK-u” – thotë zëvendësministri i jashtëm i Maqedonisë, Muhamed Halili

Zëdhënësi i Natos në Maqedoni, Craig Ratcliff në konferencën e sotme për shtyp, nuk donte të komentonte kontestet që kanë të bëjnë me çështjen e demarkacionit të vijës kufitare Maqedoni –Kosovë.

“Këtë çështje është duke e shqyrtuar Bashkësia Ndërkombëtare dhe në aspektin juridik trajtohet në Kombet e Bashkuara”- komentoi shkurt zëdhënësi i Natos në Shkup, Craig Ratcliff. Ndërkohë Qeveria maqedonase ka kërkuar shpjegime nga OKB-ja lidhur me deklaratat e fundit të përfaqësuesve të UNMIK-ut dhe të KFOR-it në Kosovë, me të cilat bëhet e debatueshme marrëveshja Maqedono-Jugosllave lidhur me përcaktimin e vijës kufitare Maqedoni - Kosovë. Zëdhënësi i Qeverisë maqedonase Trandafilov, ka nënvizuar se deklaratat e tilla janë të rrezikshme për gjendjen e sigurisë në Maqedoni.

“Qëndrimet e paraqitura nuk mund të interpretohen ndryshe veçse si nxitje e atyre, të cilët morën armët në duar dhe bënë agresion kundër Maqedonisë,”- tha Trandafilov duke komentuar deklaratat e zëdhënësit të UNMIK-ut. Nga ana tjetër zëvendësministri i jashtëm i Maqedonisë, Muhamed Halili, kundërshton qëndrimin zyrtar të Ministrisë së punëve të jashtme të Maqedonisë, duke theksuar se me këtë Maqedonia në vend që të angazhohet për një zgjidhje të mirëfilltë të problemit në fjalë, ajo me veprimet e saj, thellon edhe më tepër këtë problem.

“Që atëherë sinjalizuam se nuk e kontestojmë vijën kufitare, por e kontestojnë procedurën e shënimit të vijës kufitare, sepse kemi menduar dhe kemi qenë të bindur dhe në këtë kohë po vërtetohet, se Maqedonia ka nënshkruar një marrëveshje me një subjekt të paqenë në atë territor… sepse pushtetin juridik aty e ka patur atëherë, por e ka edhe tani UNMIK-u. Qëndimi ynë ka qenë se pa pjesëmarrjen e UNMIK-ut dhe pa pjesëmarrjen e faktorit shqiptar gjatë procesit të trajtimit të vijës kufitare, kjo gjë do të prodhojë moskuptime, pakënaqësi, por do të prodhojë ndoshta edhe konflikte në të ardhmen”- tha zoti Halili.

“Marrëveshja Maqedono-Jugosllave për kufirin e firmosur në Shkup vitin e kaluar, është kundërshtuar që atëherë nga forcat politike shqiptare në Maqedoni” - thekson nënkryetari i Partisë së prosperitetit demokratik, Abdyl Hadiveseli.

“Që atëhere kërkuam dhe ishim kundërshtarët e vetëm të këtij propozimi nga ana e Qeverisë, pra ishim kundërshtarë në emër të Partisë për prosperitet demokratik dhe jemi i vetmi grup parlamentar që nuk e kemi votuar këtë ligj që atëhere, sepse e kishim të qartë se është i papranueshëm për ne. Çdo marrëveshje midis Maqedonisë dhe Kosovës duhet të bëhet në mes të organeve kompetente të Maqedonisë dhe organeve kompetente të Kosovës” - përfundon nënkryetari i Partisë për prosperitet demokratik
XS
SM
MD
LG