Ndërlidhjet

logo-print

BOSHTI I IDHNAKEVE


WASHINGTON POST



“Boshti i së keqes” bëri bujë në gjithë botën sepse dëshmoi për një politikë të jashtme amerikane të bazuar në tre parime të dallueshme: moralitetin, parandalimin dhe unilateralizmin.
Kushërinjtë tanë të sofistikuar europianë janë të tmerruar. Francezët po prijnë me denoncimin e semplicizmit amerikan. Ata e quajtën një shkelje të mënyrave të mira, cilësimin e së keqes me emrin e saj. Në fakt ata parapëlqejnë ta strehojnë atë. Kanë goxha praktikë… janë të famshëm në gjindshmërinë që treguan ndaj nazistëve gjermanë në vitin 1940, dhe më pak të famshëm në qëndrimin e habitshëm golist të trekëndëzimit me perandorinë e së keqes dhe amerikanët “primitive” gjatë Luftës së Ftohtë.
Europianët nuk janë të kënaqur madje as me parandalimin. Parandalimi është forma më ekstreme e aktivitetit, energjisë në politikën e jashtme - anatemë për një kontinent të mplakur, thellësisht të zhytur në përpjekjet për integrim të brendshëm, paraliza e të cilit vazhdoi edhe i kur plasi zjarri në Ballkan.
Një politikë në pritje të sulmeve me armë bërthamore është vetëvrasëse. Vetëmbrojtja është përligjja më e vetëmjaftueshme për unilateralizmin. Nëse gjendet nën sulm, asnjë vend nuk është i detyruar të marrë leje nga aleatët për t’u kundër-përgjigjur. Dhe nuk ka shembull më të qartë të një lufte vetëmbrojtëse, sesa lufta e Amerikës mbi terroristët dhe shtetet aleate të tyre, për të cilët shprehja “vdekje Amerikës” nuk është moto, por politikë.
Armiqtë tanë na janë ndërsyer, por aleatët tanë jo. Europa e di se tek e fundit siguria e saj varet nga fuqia dhe mbrojtja jonë. Në ruajmë stabilitetin në tregtinë ndërkombëtare, lirinë e detrave, rrjedhës së naftës, balancat në pushtetet rajonale (Paqësor, Azinë Jugore, Lindjen e Mesme) dhe së fundi ne sigurojmë mbrojtje kundër rritjes potenciale të superfuqive armiqësore.
Europianët rrinë ulur dhe varin buzët. Cfarë tjetër mund të bëjnë? Ankesa e tyre e pandashme është “primitivizmi” amerikan, por problemi i vërtetë është pafuqia e tyre.
Ata mund të tolerojnë të jenë të ndërvarur por jo të parëndësishëm. Ishin të varur nga Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës së Ftohtë, por ishin ata në vijë të parë të frontit, me armatë tokësore kundër Traktatit të Varshavës. Ne ofronim garancitë bërthamore, ata njerëzit në terren. Ne ishim partnerët dominantë, por sidoqoftë mbeteshim partnerë. Tani nuk ka më Bashkim Sovjetik dhe kërcënimet vijnë nga terrorizmi dhe shtetet e lidhura me të.
Lufta në Afganistan e zhvilluar pa europianët, thekson se si teknologjia e lartë ushtarake e Amerikës së shekullit të 21-të eklipson ushtritë e tyre, ashtu si anija e koracuar e shekullit 20 vaporët e luftës së shekullit të 19.
Nuk jemi ne fajtorë! Ata kanë zgjedhur t’i përdorin burimet e tyre ndryshe. Ne jemi në luftë dhe kjo është një luftë për civilizimin Perëndimor. Nëse europianët refuzojnë ta shohin veten pjesë të kësaj lufte, nuk ka problem. Nëse ata dëshirojnë të heqin dorë, prapë nuk ka problem. Ne do t’i lejojmë ata të na ndihmojnë, por jo të na ndalin.

XS
SM
MD
LG