Ndërlidhjet

NOWICKY: MENDOJ SE ARRITJA IME MË E MADHE KA QENË NDËRTIMI I KËTIJ INSTITUCIONI


“Sipas meje, ky është mendim im personal, çfarëdo projekti apo çfarëdo ideje për kthimin e serbëve, nuk duhet të përpilohet dhe të realizohet pa angazhimin e plotë të udhëheqësve shqiptarë dhe bashkësisë shqiptare” – thotë ombudspersoni I Kosovës, Marek Antoni Nowicky.

RADIO EVROPA E LIRË
U bënë dy vjet që po punoni në Kosovë. Si do ta vlerësonit sot situatën e të drejtave dhe lirive të njeriut krahasuar me dy vjet më parë?

M. A. NOWICKY
Nëse bëhet një krahasim i situatës para dy viteve me atë sot, në shumë aspekte mund të them se situata është përmirësuar. Vlerësimi im është pozitiv. Mirëpo, prap se prap mund të them se ekzistojnë shumë probleme serioze. Kur flasim për sistemin ligjor, për shembull, mund të them se në Kosovë është një anarki. Në fuqi janë pjesë të ndryshme të sistemeve ligjore, pra pjesë të ligjit jugosllav. Në fuqi janë gjithashtu edhe rregulloret e UNMIK-ut; zbatohen ligjet pas vitit 1989, të cilat nuk janë diskriminuese. Disa rregullore të UNMIK-ut i konsiderojmë kundër standardeve ndërkombëtare.
Të përgjithësoj, mund të themi se ka anarki ligjore dhe kjo nuk më lejon të them se në Kosovë ekziston sistemi ligjor.
Aspekt tjetër, i cili ndikon në vlerësimin e realizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut është sistemi juridik, i cila nuk garanton realizimin e të drejtave të njeriut. Ekzistojnë probleme të shumta në sistemin juridik… për shembull, do të kisha përmendur emërimin e gjykatësve për periudhën prej vetëm gjashtë muajve, që është periudhë shumë e shkurtër; pastaj është problemi i numrit të pamjaftueshëm të gjykatësve, në proces është dhe emërimi i gjykatësve ekzekutues. Në përgjithësi, sistemi juridik nuk mund të garantojë mbrojtjen e të drejtave ashtu siç duhet dhe njerëzit nuk mund të mbështeten në këtë mbrojtje.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe shqiptarët si shumicë në Kosovë kanë probleme të theksuara në realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Propozoj që të ndalemi te realizimi i të drejtave dhe lirive të minoritarëve.

M. A. NOWICKY
Kjo është një temë shumë e rëndësishme. Mendoj se shumica shqiptare dhe liderët shqiptarë duhet ta kishin këtë si prioritet në të gjitha listat e prioriteteve. Situata ndryshon varësisht se për cilin grup bëhet fjalë. Tani është duke u bërë një debat i madh lidhur me bashkësinë serbe dhe kthimin e serbëve në Kosovë. Natyrisht, pjesë e këtij debati janë edhe kushtet në të cilat bashkësia serbe jeton sot. Muajve të fundit situata ka filluar të ndryshoj në të mirë. Edhe pse situata ka filluar të përmirësohet, ajo është ende larg nga ajo që mund të pritet për tu krijuar kushtet për kthim. Natyrisht kjo varet edhe nga pjesët e Kosovës; në disa pjesë situata është përmirësuar dukshëm në krahasim me të tjerat. Sa i përket lirisë së lëvizjes, natyrisht se ka dallime të mëdha në mes të Gjilanit dhe Prishtinës.

Konsideroj se, nëse ekziston vullneti politik për kthim masiv duhet të bëhet shumë. Duhen ofruar kushtet për siguri të njerëzve që kthehen. Kur them siguri, nuk mendoj vetëm për siguri fizike, por duhet t’u sigurohet jetesë normale. Por çfarë të bëhet për një pjesë të madhe të territorit të Kosovës, e cila së paku sipas serbëve është etnikisht e pastër?
Natyrisht nuk flasim vetëm për serbët, por flasim edhe per romët e ashkalinjtë, të cilët akoma presin në Serbi për t’u kthyer. Ata presin që të përmirësohen kushtet në Kosovë në përgjithësi dhe të krijohen kushtet, të cilat do t’u mundësonin kthimin në Kosovë.
Është me rëndësi që të ekzistoj një pajtim i plotë në mes të shqiptarëve se mbrojtja e joshqiptarëve është prioritet.

RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni se liderët politikë shqiptarë dhe institucionet e Kosovës janë duke bërë sa duhet lidhur me krijimin e kushteve për kthimin e pjesëtarëve të pakicave?

M. A. NOWICKY
Vështirë mund të bëjnë më shumë, për shkak se mundësitë e tyre janë të kufizuara. Shumë gjëra sa i përket kësaj çështjeje, janë në duart e administratës ndërkombëtare.
Sipas meje, dhe ky është mendim im personal, çfarëdo projekti apo çfarëdo ideje për kthimin e serbëve, nuk duhet të përpilohet dhe të realizohet pa angazhimin e plotë të udhëheqësve shqiptarë dhe bashkësisë shqiptare, për shkak se këta njerëz: serbët, romët dhe ashkalinjtë, kthehen të jetojnë në Kosovë pranë fqinjëve shqiptarë. Rezultatet pozitive të këtij procesi varen shumë nga qëndrimi pozitiv i shqiptarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni punuar me shumë përkushtim në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Cili është sipas jush, rezultati më i madh i punës së ombudspersonit në Kosovë?

M. A. NOWICKY
Mendoj se arritja ime më e madhe ka qenë ndërtimi i këtij institucioni, jo vetëm krijimi fizik, por ndërtimi i një institucioni, roli dhe rëndësia e të cilit, janë mjaft të kuptuara nga ana e shumicës. Krijimi pra i një institucioni që është publik, në të njëjtën kohë edhe i pavarur dhe që në çdo kohë është gati ta kritikojë administratën publike kur për këtë ka bazë. Njerëzit kanë kuptuar se mund të kenë besim te ombudspersoni dhe mund të presin dhe të shohin që zëri i tij do të ngrihet në emrin e tyre kur është në pyetje mbrojtja e të drejtave të tyre. Këtë e konsideroj arritjen time më të madhe dhe konsideroj se institucioni do të vazhdojë t’i shërbejë në të njëjtën mënyrë popullatës së Kosovës edhe në të ardhmen.
XS
SM
MD
LG