Ndërlidhjet

MOORE:"PRANIA AMERIKANE NË KOSOVË ËSHTË E DOMOSDOSHME"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

Radio Evropa e Lirë
* Disa javë më parë NATO kishte vendosur të zvoglonte numrin e ushtarëve në Ballkan. Këtë javë Kombet e Bashkuara kanë thënë se deri në fund të vitit mbyllin misionin në Bosnje. Ç'do të thonë këto lëvizje?

P. MOORE
* Askush në NATO apo në qeveritë perëndimore nuk ka patur ndërmend që forcat të qëndrojnë gjithmonë në Bosnjë si një ushtri pushtimi, ose si një forcë për mbajtjen e rregullit, si e kishin austriakët pas viteve 1878-79. Ky nuk ka qenë asnjëherë qëllimi. Qëllimi i misionit të NATO-s si në Bosnjë, ashtu dhe në Kosovë, është që të ruajnë e mbajnë rregullin dhe gradualisht të tërhiqen, sapo forcat lokale do të jenë të gatshme dhe në gjendje të marrin këtë detyrë përsipër. Kjo është çështja e parë që ka të bëjë me NATO-n. Çështje tjetër është misioni i Kombeve të Bashkuara në Bosnjë. Ajo për të cilën po flasim është se kontrolli i forcave policore nga Kombet e Bashkuara, do të merret nga Bashkimi Evropian. Kjo nuk do të thotë që Bosnja po braktiset, por që Bashkimi Evropian, i cili ka dashur që të jetë në gjendje të tregojë se mund të aplikojë një politikë të jashtme unike, të jetë në gjendje të zgjidhi problemet e Evropës, pa qenë nevoja që të “vrapojnë tek amerikanët për ndihmë” sa herë që ka ndonjë problem. Amerikanët shpresojnë se nëse Unioni Evropian nuk mund t'i ndihmojë Shtetet e Bashkuara në disa pjesë të tjera të botës, atëherë të paktën të mbajnë përsipër barrën në Evropë që do t’i lironte forcat amerikane gjetiu!

* Disa analistë amerikanë thonë se është logjike tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Bosnja, por jo edhe nga Kosova, që sipas tyre paraqet diç tjetër. Si i komentoni ju këto prononcime?

P. MOORE
* Shtetet e Bashkura kanë interes që Evropa të marrë përsipër pjesën e saj të përgjegjësisë duke i liruar amerikanët për gjëra të tjera. Kjo nuk do të thotë se Shtetet e Bashkuara do largohen nga Ballkani. Bosnja ka disa ndryshime të rëndësishme nga Kosova. Së pari, Bosnja pavarësisht sesa problematike është, është e pranuar ndërkombëtarisht si shtet. Nuk është anëtarësuar në të gjitha institucionet, por është një shtet me flamur, me një kushtetutë dhe ka institucionet e saj. Kosova është diçka tjetër. Nuk është shtet i njohur akoma, vazhdon të mos jetë stabël. Ka probleme me krimin, korrupsionin dhe me çështje të tjera të mungesës së stabilitetit. Është gjithashtu një fakt i pranuar në Shtetet e Bashkuara se ndërsa Bosnja mund të kthehet gradualisht më shumë nën supervizionin e Bashkimit Evropian, prania amerikane në Kosovë është e nevojshme. Pse? Sepse shqiptarët u besojnë amerikanëve dhe jo shumë të tjerëve. Atyre u duket se amerikanët janë të vetmit që disponojnë instrumente politike, diplomatike dhe ushtarake që të garantojnë të mos ketë një rikthim të kontrollit të Serbisë atje. Mendoj se amerikanët e pranojnë këtë logjikim dhe kjo është arsyeja pse Kosova është diçka tjetër.

Radio Evropa e Lirë
* Ka prononcime se në përgjithësi Shtetet e Bashkuara po humbasin interesimin për Ballkanin. A mendoni se paqja në Ballkan mund të ruhet pa prani të fuqishme ushtarake dhe diplomatike amerikane?

P. MOORE
* Së pari nuk mund të them se Shtetet e Bashkuara po humbasin interesimin për Ballkanin në kuptimin absolut. Vazhdojmë të kemi shqetësime për Kosovën. Është edhe shqetësimi për Beogradin, për Serbinë, që të sigurojmë që ajo të ecën përpara në rrugën e demokratizimit dhe qeverisja që kanë tani të mos bëjë hapa prapa drejt një diktature të re nacionaliste. Pra Shtetet e Bashkuara kanë interesa të qarta në Ballkan: të demokracisë dhe progresit në Serbi, të stabilitetit dhe progresit në Kosovë dhe të njëjtën gjë në Bosnjë. Nuk do të thoja se është një humbje e interesimit, por thjesht ka një ndryshim të prioriteteve të Shteteve të Bashkuara pas ngjarjeve të 11 shtatorit.... Përqëndrimi i vëmendjes është tani në Azinë Jugore dhe Lindjen e Mesme. Kjo do të thotë që Uashingtoni do ketë më pak burime për t’i dedikuar Ballkanit. Meqënëse situata në Bosnjë është stabilizuar më shumë dhe Bashkimi Evropian mendon se mund të bëjë diçka aty, dhe meqënëse Brukseli nuk mund të realzojë të gjitha gjërat që mund t’i kërkojë Amerika në vende të tjera, atëhere do t’u japin më shumë përgjegjësi në Bosnjë. Kjo nuk do të thotë se amerikanët po largohen nga Ballkani, që ata po largohen nga Kosova.
Kur pyetët nëse paqja në Ballkan mund të ruhet pa një prani të fortë diplomatike dhe ushtarake amerikane, lind pyetja çfarë nënkuptohet me një prani të fortë. Sigurisht që ka nevojë për një prani, sigurisht që ka nevojë për një rol të dukshëm amerikan siç është i dërguari special në Shkup së bashku me Bashkimin Evropian, ka nevojë për një zonë amerikane në Kosovë, siç është ajo në Lindje. Kjo gjë duhet të vazhdojë. Kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara të jenë forcë dominuese, ose që Shtetet e Bashkuara t'i marrin të gjitha vendimet. Çështja qëndron në atë se sa prani nevojitet dhe mendoj se kemi disa njerëz të mençur në Washington, dhe nuk jam pesimist për rezultatin.
XS
SM
MD
LG