Ndërlidhjet

NË OPINIONIN PUBLIK, SHBA DHE EVROPA JANË MË TË BASHKUARA SE TË NDARA


WASHINGTON POST

Në kohën kur administrata e Bushit dhe shumë liderë evropianë kanë mosmarrëveshje mbi një sërë çështjesh të jashtme dhe të sigurisë, opinioni publik në të dyja anët e Atlantikut është më unik se sa që tregon vetë debati.
Në një anketim të gjerë të opinionit, të bërë në qershor, shumica në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë besojnë se amerikanët duhet ta sulmojnë Irakun vetëm me miratimin e Kombeve të Bashkuara dhe mbështetjen e aleatëve të Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu, shumica e amerikanëve dhe evropianëve kanë shfaqur pikëpamje të ngjashme rreth terrorizmit ndërkombëtar, fundamentalizmit islamik dhe përdorimit të forcës për t’ia dalë në krye me kërcënimet e këtilla.
Amerikanët dhe evropianët janë dakord se Shtetet e Bashkuara duhet ta shfaqin lidershipin në çështjet botërore. 77 % të amerikanëve dhe 76 % të evropianëve e kanë mbështetur qëndrimin se Kombet e Bashkuara duhet të jenë më të forta.
“Përkundër fjalëve rreth mospajtimeve, kjo konvergjencë e pikëpamjeve të amerikanëve dhe evropianëve ndaj botës është impresive”, ka thënë Craig Kennedy, drejtues i Fondit të Marshallit në Shtetet e Bashkuara. “Ka shumë dakordime rreth kërcënimeve, mënyrave për zgjidhjen e tyre, dhe rreth nevojës që Shtetet e Bashkuara dhe Evropa të punojnë së bashku”, ka thënë ai.
Anketimet i përfshinë 3.262 amerikanë dhe 1.000 njerëz nga Britania, Franca, Gjermania, Italia, Holanda dhe Polonia.
Përgjigjet treguan se perceptimet e amerikanëve ndaj botës kanë ndryshuar rrënjësisht pas sulmeve të 11 shtatorit, kurse terrorizmi është vënë në krye të listës së shqetësimeve ndërkombëtare. Përgjigjet shfaqën shkallë të lartë të interesimit për ngjarjet në botë, përkundër anketimeve të bëra gjatë 30 viteve të shkuara. 91 % të të anketuarve në Shtetet e Bashkuara, terrorizmin e quajtën kërcënim “kritik”, kurse 61 % janë të mendimit se Uashingtoni duhet të bashkëpunojë më ngushtë me vendet tjera për ta luftuar atë.
Ndonëse njerëzit në të dy anët e Atlantikut, në përgjithësi janë shprehur për përdorimin e forcës ushtarake, kishte dallime të mprehta për finansimin e saj. 22 % të evropianëve kërkuan rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, por 33 % u shprehën për zvoglimin e tyre. Nga ana tjetër, 44 % të amerikanëve janë shprehur për rritjen e shpenzimeve ushtarake.
Amerikanët janë shprehur më pozitivisht për administratën e Bushit. 53 % e vlerësuan të shkëlqyeshme politikën e jashtme të Shtëpisë së Bardhë, kurse 56 % të evropianëve e vlerësuan të dobët.
Por në çështjet tjera specifike, të dyja palët kanë shfaqur rezultate të ngjashme. 74 % të evropianëve dhe 61 % të amerikanëve e kanë vlerësuar të dobët rolin e administratës në konfliktin izraelito-palestinez, ndërsa 71 % në Evropë dhe 62 % në Shtetet e Bashkuara i dhanë vlerësime të ulta Shtëpisë së Bardhë për qëndrimin e saj ndaj Irakut.
55 % të evropianëve janë dakorduar se politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara ka kontribuar në sulmet e 11 shtatorit, kurse amerikanët nuk kanë patur pyetje të ngjashme.
“Këtë nuk e shoh si kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara, por si pasqyrim të pikëpamjeve evropiane se Amerika vërtet është superfuqi, dhe veprimet e saj ndikojnë në gjithçka”, ka thënë Kennedy.
Në çështjet tjera, si trazirat politike në Rusi, gara ekonomike, ngrohja globale dhe terrorizmi ndërkombëtar, amerikanët dhe evropianët kanë shprehur mendime të ngjashme.
XS
SM
MD
LG