Ndërlidhjet

BLAIR DHE PARTIA E TIJ NUK DAKORDOHEN RRETH IRAKUT


WASHINGTON POST

Kryeministri Tony Blair e përfilli kundërshtimin në partinë e tij për të mbështetur administratën e Bushit rreth Irakut, duke u dakorduar për një rezolutë kompromisi që Britania të sigurojë autoritetin e Kombeve të Bashkuara përpara se të ndërmarrë ndonjë sulm ushtarak.
Rezoluta, e cila thotë se trupat britanike duhet të marrin pjesë në aksionin kundër Irakut vetëm “nëse shpenzohen të gjitha mjetet tjera politike dhe diplomatike” u miratua në mbledhjen vjetore të Partisë Laburiste.
Pas miratimit të kësaj rezolute të kompromisit, 60 përqind të delegatëve, me vota të fshehta u deklaruan kundër aksionit ushtarak, me arsyetimin se sulmi do të dëmtonte popullin irakien dhe do të destabilizonte Lindjen e Mesme.
Laburistët nga të dyja taborret thanë se ky votim e pasqyron shkallën e lartë të shqetësimit te ithtarët e Blairit për sulmin ushtarak. “Partia me të drejtë është e shgqetësuar rreth aksioneve ushtarake, dhe kjo është mirë”, tha ministri i jashtëm Jack Straw.
Por Straw gjithashtu tha se rezoluta nuk do ta pengonte qeverinë t’i dërgojë trupat britanike në aksion, madje edhe pa një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit. “Rezoluta është e dëshirueshme, por jo edhe absolutisht e domosdoshme. Ajo varet nga rrethanat e dhëna”, ka thënë Straw.
Blair ka qenë mbështetja kryesore e administratës së Bushit rreth Irakut. Ai njëkohësisht i ka bërë shtypje Shtëpisë së Bardhë të kërkojë rezolutë të re nga Këshilli i Sigurimit për inspektim të pakushtëzuar të armëve në Irak, para ndërmarrjes së një sulmi ushtarak.
Kundërshtarët e aksionit ushtarak thanë se votimi ia bëri me dije Blairit se ai do të rrezikonte ardhmërinë e vet politike nëse i angazhonte forcat britanike kundër Irakut pa pëlqimin e Kombeve të Bashkuara.
“Ai duhet të kujdeset për partinë e tij, por edhe më shumë duhet kujdesur për vendin”, ka thënë ish anëtari i parlamentit Tony Benn, një nga kritikët më të zëshëm të kryeministrit.
Anketimet e opinionit tregojnë se shumica dërrmuese e kundërshtojnë aksionin ushtarak, përveç nëse mbështetet nga Kombet e Bashkuara. Të shtunën, rreth 200 mijë demonstrues parakaluan rrugëve të Londrës në protestën më të madhe kundër luftës në dy dekadat e fundit.
“Presidenti Bush është përcaktuar për luftë, por është turp që qeveria jonë është e vetmja në botën perëndimore, e cila i shkon pas”, ka thënë Alice Mahon, anëtare e parlamentit.
Në fjalimet dhe paraqitjet publike, Blair e ka deklaruar mbështetjen e tij për një aksion të vendosur kundër Irakut. Javën e shkuar ai e bëri publike dosjen e inteligjencës, e cila e ngarkon Irakun se vazhdon t’i zhvillojë armët për shkatërrim në masë. Por i përballur me opozitën e brendshme, kryeministri gjithashtu i ka përkufizuar fushat që e dallojnë atë nga Uashingtoni. Ai ka theksuar se qëllimi i Britanisë është t’i jepet fund aftësisë së Irakut për zhvillimin e armëve bërthamore, kimike dhe biologjike, e jo të përmbyset Saddam Husseini.


XS
SM
MD
LG