Ndërlidhjet

Kushner: "Ka ardhur e pashmangshmja"


ZËRI
Janë të paharrueshme ato pamje, ato tablo, sepse me to, në vitet 1987, 1988, nisi procesi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kemi të bëjmë me të ashtuquajturat "Mitingjet e së vërtetës", të cilat i organizonte regjimi i Millosheviqit, UDBA serbe dhe
Sigurimi ushtarak i APJ-së së atëhershme. Në këtë mënyrë, duhej treguar që në realitet, Millosheviqi dhe liderët tjerë serbë nuk po bëjnë gjë tjetër, pos po e respektojnë vullnetin e popuilit të tyre, i cili, përndryshe, njëmend në këto tubime e thoshte të vërtetën politike të Serbisë së asaj kohe. Në këto mitingje kërkoheshin armë për të shkuar në Kosovë, përmes tyre, arrestoheshin politikanë të shquar shqiptarë, ato shënonin fillimin e masave të dhunshme ndaj Kosovës, duke përfshirë këtu edhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe vrasjet e demonstruesve anekënd Kosovës...

EPOKA E RE
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, ka thënë se misioni i BE-së do të veprojë në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Këto komente, Feith i ka bërë të mërkurën, pas një takimi me presidentin e Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu. Kryetari i vendit me këtë rast ka theksuar se Kosova do të jetë një vend që do të dëshmojë fuqishëm qëndrueshmërinë për stabilitet në rajon. Presidenti Sejdiu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës, e posaçërisht atyre të
komunitetit serb, që t'i kthehen sa më parë jetës së përbashkët, sepse Kosova është tërësi integrale, e mbështetur ndërkombëtarisht...

INFOPRESS
Serbia formalisht nuk e mbështet ndarjen, por politikanët serbë kanë thënë se nëse Kosova ndahet nga Beogradi, edhe shumica serbe në veri duhet të ndahet nga Prishtina. Deri tani, liderët serbë kanë qenë të kujdesshëm lidhur me avancimin e këtij argumenti, nga frika e provokimit të sulmeve në enklavat e vogla serbe në jug të Kosovës. Por, protestat e kësaj jave në Kosovën veriore, perfshirë sulmet e së martës në dy pikat kufitare, tregojnë se disa nga serbët kanë humbur durimin. Beogradi është distancuar nga dhuna, por është duke i shtuar ndihmat financiare për serbët e Kosovës, duke ofruar shërbime lokale në udhëheqjen e administratës paralele...

LAJM
Përveç Ministrisë së Jashtme, Republika e Kosovës së shpejti do ta ketë edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes ka përfunduar së hartuari dhe pritet që së shpejti Qeveria ta procedojë në Kuvend. Edhe Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes është në pakon legjislative të Martti Ahtisaarit, që është paraparë të miratohet deri më 11 mars. Grupi punues e ka hartuar projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes dhe e ka dërguar në Zyrën Civile Ndërkombëtare...

NACIONAL
Bernard Kushner: Kosova është që tani e tutje një shtet i pavarur. Franca i uron mirëseardhjen në komunitetin ndërkombëtar, pa ia kthyer krahët miqve të saj serbë. Megjithatë, ne jemi të gjithë në të njëjtën dhe të domosdoshmen Evropë. Më kujtohet përshtypja ime e parë, kur arrita në Kosovë, dhjetë vjet më parë, përtej dhimbjes dhe shkatërrimit të një vendi të vrarë nga lufta, përtej plagëve të një populli që kishte provuar mbi shpinë luftën, unë ndjeja, pa e thënë, se po vinte e pashmangshmja. Përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, unë kisha detyrën të bëja të pamundurën, të bëja që të bashkëjetonin komunitetet e Kosovës, serbë dhe shqiptarë veçanërisht, që ishin vrarë mes tyre; të ndërtoja një shtet; të gjeja një zgjidhje për problemin e statusit të kësaj krahine që kishte qenë autonome dhe që regjimi i Millosheviqit e shtyu drejt rebelimit. Ne nuk kishim as parapëlqim, e as urrejtje, as për njërin e as për tjetrin. Ne e kuptuam shpejt se pajtimi nuk mund te bëhej nga status-quo-ja...

KOSOVA SOT
"Kosova Sot": Si po ndiheni në Republikën e Kosovës?
Wiliam Woker: Është një ndjenjë e mrekullueshme. Nuk mendoj se kam festuar aq shumë sa kosovarët, por kam qenë në një ndejë shumë të mirë mbrëmë, mund të them në njërën nga ndejat më të mira në jetën time, ku u festua pavarësia nga Universiteti Amerikan.
"Kosova Sot": Si i komenton festimet që kanë qenë?
Wiliam Woker: Nëse e krahasoj ditën e sotme me para dy ditësh, është shumë ndryshe. Atë ditë njerezit festonin, por ende ishin duke shprehur frustrimin ndaj procesit nëntëvjeçar. Tash, ky frustrim ka shkuar dhe njerëzit kanë filluar një jetë normale...

BOTA SOT
Çdo hap që do ta ndërmarrë Serbia kundër pavarësisë së Kosovës, do ta godasë vetëm vetveten. Rrezik tjetër prej saj, për Kosovën, nuk ka. Të gjitha veprimet që i bëri pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, këtë kuptim e kanë. Keq është vetëm se, në kufi me Kosovën, e kemi një shfet fqinj që, duke mos e kuptuar realitetin, po sillet si somnambull. Gërmina për të është e pashmangshme nga vetvetja, se Kosova furishëm po ecën në rrugën e saj drejt BE-së... Reagimi i ashpër i KFOR-it ia bëri me dije Serbisë se asnjë lojë e saj në Veri, nuk do të rezultojë e suksesshme. "Protestuesit" serbë, në shenjë zhgënjimi se plani i tyre do të haste në reagimin e ashpër të KFOR-it, ua vunë zjarrin dy pikave kufitare. Kaq mundën të bëjnë dhe kaq bënë...

EXPRESS
Numërimi i periudhës transitore, e cila në kohën kur zgjidhja e statusit të Kosovës pritej të shkojë përmes OKB-së, parashikohej të hynte në fuqi pas hyrjes në fuqi të pakos së Ahtisaarit. Mirëpo, kjo aktualisht mbetet ende e paqartë, pasi që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, ende nuk i ka dhënë instruksione shefit të UNMIK-ut për bartjen e kompetencave. Këto vendime njëkohësisht pritet të japin edhe përgjigjen rreth largimit të administrates së UNMIK-ut, për t'ia lënë vendin Misionit të BE-së, i cili ka një rol të ri në Kosovë - të ndryshëm nga ai me UNMIK-un. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën, ka lënë të kuptohet se largimi i UNMIK-ut do të ndodhë pas periudhës transitore, mirëpo nuk ka përmendur se kur do të fillojë numërimi i saj...

KOHA DITORE
Heqja e fotografisë së ish-presidentit, Ibrahim Rugova, nga holli i Kuvendit të Kosovës, ku ishte e vendosur që nga viti 2006, përkatësisht që nga vdekja e tij, ka rrezikuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Tri ditë pas bërjes së Kosovës shtet, deputetët e dy partive që ndjekin filozofinë e presidentit të ndjerë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë, publikisht deklarojnë se pa fotografinë e Rugovës nuk do të mbahej seanca solemne. Këto dy parti së bashku kanë 36 deputetë dhe pa votën e tyre nuk do të mund të miratohej Deklarata e Pavarësisë. Për më tepër, deputetët e këtyre dy partive politike tregojnë se i kanë pasur të përgatitur edhe skenarët se si duhej vepruar në rast se fotografia e Rugovës nuk do të kthehej në vendin e mëparshëm...





XS
SM
MD
LG