Ndërlidhjet

logo-print

NYT/WP: Në Beograd kthehen taktikat e Millosheviqit


"New York Times", "Washington Post"


"Paaftësia e Beogradit për të ndalur turmën e tërbuar që dogji ambasadën amerikane dhe sulmoi disa të tjera është befasuese dhe e papërgjegjshme", shkruan "New York Times".

Është brengosëse të shohësh që Qeveria e Serbisë nuk është e gatshme të qetësojë zemërimin e qytetarëve.

Gazeta vë në pah se Kosova ka shpallur pavarësinë javën e kaluar, pas gati një dekade të administrimit ndërkombëtar dhe me mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe fuqive tjera të mëdha, krahas miratimit të një plani të arsyeshëm të Kombeve të Bashkuara (plani i Ahtisaarit), që përfshin mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe mbrojtjen e pakicës serbe.

"Ardhmëria e Kosovës është dashur të zgjidhet që Ballkani përfundimisht të shkëputet nga urrejtja anakronike", shkruan "New York Times".

Në vazhdim, gazeta vë në pah se policia serbe, që, sipas Konventës së Vjenës, kishte obligim të mbronte përfaqësitë diplomatike, kishte lënë të pa mbrojtur ambasadën amerikane, duke u lejuar demonstruesve të depërtojnë deri te ajo dhe ta djegin, për të shtuar se më heret "liderët nacionalistë kishin nxitur epshet me retorikën anti-perëndimore dhe premtimet se kurrë nuk do ta japin Kosovën".

"New York Times" gjithashtu shkruan se është zhgënjyese që Boris Tadiq, pikërisht atë ditë, ishte jashtë vendit në një çast aq të ndjeshëm.

"Nëse dëshiron të përmbushë vizionin për Serbinë perëndimore, ai (Tadiq) duhet të tregojë më shumë guxim dhe dorë të fortë", shkruan "New York Times".

Gazeta në vazhdim pohon se tash liderët serbë kanë zgjedhjen ndërmjet nxitjes së ksenofobisë që do t'i izolonte ose uljes së epsheve dhe pranimit të ofertës së Evropës për integrim evropian.

"New York Times" konkludon se zemërimi ballkanik mund të nxitë konflikte më të gjera dhe se kjo nuk guxon të ndodhë sërish.

Ndërkaq, gazeta tjetër amerikane "Washington Post" gjithashtu shkruan për trazirat në Beograd, në një artikull që e ka titulluar "Taktikat e Sllobodan Millosheviqit kthehen në Beograd".

"Washington Post" shkruan se kryeministri Koshtunica ka nxitur serbët kundër Shteteve të Bashkuara dhe qeverive tjera që kanë njohur shtetin e ri të Kosovës, se policia ishte larguar nga qendra e Beogradit gjatë mitingut dhe u kishte lejuar banditëve të maskuar të sulmonin ambasadën amerikane dhe disa të tjera.

"Washington Post" krahason veprimet e Koshtunicës me ato të Sllobodan Millosheviqit në vitit e 90-ta.
Koshtunica e sheh vetveten si luftëtar për ruajtjen e Kosovës nën Serbi dhe nxitja që u ka bërë sulmeve ndaj ambasadave, mbase është pjesë e përpjekjeve të tij për t'i ndalur qeveritë tjera në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

"Por, efekti i vetëm i aksioneve të tij do të jetë izolimi i sërishëm i Serbisë nga pjesa tjetër e Evropës", konkludon "Washington Post".

XS
SM
MD
LG