Ndërlidhjet

Bush, në prill, në Kosovë?


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka qëndrim unik karshi Kosovës. Ai ka thënë se nuk ka kthim prapa, pasi që tashmë 12 shtete anëtare të BE-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. “Jemi ballafaquar me sfida, ndaj të cilave po përgjigjemi me një mënyrë që stabilizon rajonin në aspekt afatgjatë”, ka thënë Jansha, kryesues aktual i Këshillit të Evropës, në Forumin Evropian në Lech të Austrisë. Jansha po ashtu ka thënë se BE-ja, shumë kohë më parë, ia ka shtrirë dorën Serbisë dhe se ky qëndrim mbetet i pandryshuar, pa marrë parasysh se në kohën e fundit, nga Serbia vijnë sinjalet dekurajuese...

BOTA SOT
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George Bush, mund të zhvillojë një vizitë në Kosovë pas samitit të NATO-s, që do të mbahet në Bukuresht, në muajin prill. Pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së saj në mënyrë të menjëhershme nga presidenti i SHBA-ve, George Bush mund të vizitojë Kosovën së shpejti. Lajmi është bërë i ditur nga disa media kroate, të cilat veç më konfirmojnë vizitën e presidentit amerikan në Kroaci. Sipas tyre, kreu i SHBA-ve mund të jetë gjatë muajit prill në Kroaci dhe Kosovë. Nëse ky informacion konfirmohet, kjo do të ishte vizita e dytë e një presidenti amerikan në një territor me popullsi shqiptare...

ZËRI

Në kohën kur Kosovës, por edhe Perëndimit (SHBA-ve, BE-së, paktit NATO), i duhet një UNMIK më i fortë se kurrë dhe më i vendosur si asnjëherë më parë për të funksionuar si duhet dhe për ta përmbushur mandatin që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, realisht, UNMIK-u kurrë nuk ka qenë më i dobët, më i paorganizuar, më i pafuqishëm... Pse UNMIK-u dhe OKB-ja nuk kanë qenë të gatshëm për zhvillimet e muajve të fundit në Kosovë? Si ndodh që Joachim Ruecker, si PSSP, me një mandat shumë të fuqishëm nga Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, të marrë rekomandime nga Nju Jorku që duhet të mbetet pasiv?...

EPOKA E RE
Komandanti i TMK-së, gjeneral-lejtnant, Sylejman Selimi, në një intervistë për “Epokën e Re”, ka treguar arsyet pse TMK-ja nuk ka qenë pjesë e ceremonive të institucioneve me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjeneral-lejtnant Selimi ka thënë se situata e sigurisë është shqetësuese, duke parë që UNMIK-u nuk është i vendosur në qëndrimet e veta. “Tash e kemi një realitet të ri në veri. Përveç protestave që janë të natyrshme, atje veprojnë edhe njerëz të armatosur. Nuk dihet se çfarë pritet nesër nga ta. Nëse gjendja vazhdon të jetë e tillë, atëherë mund të fillojë eskalimi i situatës dhe de facto ndarja e Kosovës dhe veriut të Mitrovicës”, ka thënë gjeneral lejtnant Selimi...

KOSOVA SOT
Teuta Sahatçia, ish-deputetja aktive e Kuvendit të Kosovës, tashmë është në karrigen që mbante botuesi Veton Surroi, i tërhequr pas humbjes në zgjedhjet e 17 nëntorit të vitit të shkuar. Partia Reformiste ORA ka mbajtur një kuvend të jashtëzakonshëm, por pa arritur ta kapërcejë krizën konceptuale. Humbja e elektoratit të ORA-s ishte një goditje e rëndë për partinë, e cila konsiderohej si “simpatikja” e legjislativit, ndërkohë politikania që ka pranuar sfidën e re, ka një përgjegjësi të madhe mbi vete. Gjykuar në deklaratat e saj, duket se Sahatçia do të mbetet nën hijen e ish-kryetarit Surroi, të cilin e konsideron si “të përhershëm” në ish-postin e tij...

LAJM
Demarkacioni i vijës kufitare do të bëhet vetëm pasi Shkupi zyrtar të marrë vendimin për njohjen e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur. Maqedonia duhet të marrë vendimin menjëherë për njohjen e Kosovës, aq më tepër kur 30 për qind të popullatës së saj e përbëjnë shqiptarët. Dhe, e dyta, bisedimet bëhen vetëm atëherë kur palët janë të barabarta. Përveç Ali Ahmetit e Bardhyl Mahmutit, njohjen para demarkacionit e përkrah edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, edhe pse nuk i pëlqen qasja politike e kryeministrit, Hashim Thaçi...

EXPRESS
Përfaqësuesit e minoriteteve joserbe i kanë kërkuar të dielën presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, të krijojë Këshillin Konsultativ për Komunitetet. Ky mekanizëm obligohet nga propozimi gjithëpërfshirës i emisarit Martti Ahtisaari, atributet e të cilit autoritetet në Prishtinë kanë marrë obligim t’i implementojnë. Ai do të duhej të shërbente për konsultimin e komuniteteve nga liderët shqiptarë para se të merret cilido vendim i rëndësishëm që prek interesat e tyre. Përfaqësuesit e minoriteteve joserbe thonë se është koha për funksionalizimin e këtij mekanizmi. Serbët paralajmërojnë se do ta bojkotojnë atë...

NACIONAL
Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur pakënaqësi me draft-kushtetutën, flamurin dhe stemën e Kosovës. Albin Kurti, lider i “Vetëvendosjes”, tha se Kushtetuta e Kosovës mohon identitetin kombëtar dhe shtoi se kjo kushtetutë nuk siguron as sovranitet e as integritet territorial. “Gjyqësori i pavarur, barazia para ligjit, demokracia shoqërore, nuk mund të bëhen për shkak se kjo kushtetutë ka brenda pakon e Ahtisaarit, e cila është mbi kushtetutën”, theksoi Kurti. Ai shpalljen e pavarësisë së Kosovës e quajti një hap para dhe tre hapa prapa...

KOHA DITORE
Suspendimi i rreth 260 policëve serbë, për Shërbimin Policor të Kosovës nuk do të thotë se në territorin, të cilin e kanë mbuluar stacionet ku kanë shërbyer policët “e rebeluar”, do të ketë rritje të shkallës së krimit. Në SHPK thonë se e kanë mbuluar mungesën e policëve serbë, të cilët kanë refuzuar të punojnë nën zinxhirin komandues të policisë kosovare. “Shumë pak ka mundësi të rritet shkalla e krimit në rajonet ku policët serbë janë suspenduar”, ka thënë zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani. “Në të gjitha stacionet ku janë suspenduar policët serbë, janë dërguar policë shtesë për t’i zëvendësuar ata. Zëvendësimet janë dërguar nga rajonet policore, në të cilat janë suspenduar policët”, ka pohuar Elshani...



XS
SM
MD
LG