Ndërlidhjet

Serbët ende shpresojnë se Serbia mund ta kthejë Kosovën


Mitrovicë
Mitrovicë

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës i kanë bërë thirrje sot Kuvendit të Serbisë që të jetë unik dhe ta mbështesë Rezolutën e radikalëve për mbrojtjen e integritetit të Serbisë.


Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë kërkuar sot nga Kuvendi i Serbisë që ta mbështesë Rezolutën e Partisë Radikale Serbe për mbrojtjen e integritetit të Serbisë dhe shqyrtimin e marrëdhënieve me bashkësinë ndërkombëtare, në veçanti me Bashkimin Evropian.

Liderë lokalë serbë nga Bashkësia e Komunave dhe ata të Këshillit Nacional Serb vlerësuan se mbështetja që Kuvendi i Serbisë do t’i jepte rezolutës së radikalëve, nuk i mbyll rrugën Serbisë drejt integrimit të saj në BE.

Ata e cilësuan si parësore për Serbinë që ta kthejë Kosovën nën kufijtë e saj.

Marko Jakshiq tha se Kuvendi i Serbisë duhet ta miratojë këtë rezolutë, duke i bërë të qartë edhe Bashkimit Evropian se integrimi i këtij vendi në BE, bëhet i mundshëm vetëm nëse në kufijtë e saj është edhe Kosova.

“Kuvendi i Serbisë duhet ta thotë dhe konfirmojë se Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa kufijtë e saj, përkatësisht pa Kosovën”, tha Jakshiq.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë dëshmuar edhe këtë herë se janë në mbështetje të radikalëve në Serbi dhe jo të presidentit serb, Boris Tadiq, të cilin e kanë akuzuar se krahas Uashingtonit e Brukselit ka kontribuuar në pavarësimin e Kosovës.

“Shpallja dhe formimi i Kosovës së pavarur ka marrë pëlqimin pikërisht në kabinetin e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq”, theksoi Marko Jakshiq, duke e akuzuar presidentin serb se ka lidhur marrëveshje me ndërkombëtarët për ndarjen e Serbisë.

Ndërkaq, Milan Ivanoviq, nga Këshilli Nacional Serb, tha se Serbisë i është ofruar integrimi në BE dhe një jetë më e mirë për qytetarët e saj, nëse e fal Kosovën. Por, sipas tij, ende ka gjasa që Serbia ta kthejë Kosovën, nëse shumica në Kuvend deklarohet se nuk do të lejojë shkëputjen e saj.

“Duhet të përdorën të gjitha kapacitetet në luftë për Kosovën dhe kjo mund të arrihet vetëm nëse Kuvendi i Serbisë lidh marrëveshje mes partive përbërëse, që të mos e lejojë ndarjen e Kosovës”, u shpreh Ivanoviq.

Ndonëse pavarësia e Kosovës tashmë është një realitet për shumicën e vendeve të Evropës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, serbët e Kosovës kanë paralajmëruar dhe paralajmërojnë se nuk do të pranojnë t’i nënshtrohen shtetit të Kosovës dhe për këtë qëllim, ata thonë se do të funksionojnë mbi bazën e strukturave të ngritura, që nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare, quhen struktura paralele.

Në anën tjetër, sot, Qeveria e Kosovës është zotuar se nuk do të lejohet formimi i shtabeve të krizave apo i shtabeve speciale e as funksionimi i strukturave paralele.
XS
SM
MD
LG