Ndërlidhjet

logo-print

Krasniqi: Kushtetuta fuqizon pakon e Ahtisaarit para tranzicionit


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi

Për dallim nga grupet e përbashkëta për tranzicionin që thonë se Kushtetuta dhe ligjet e pakos së Ahtisaarit hyjnë në fuqi pas tranzicionit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se me miratimin e Kushtetutës, duhet të hyjnë në fuqi edhe ligjet shtetërore. Në mungesë të shpalljes zyrtare të periudhës së tranzicionit, çështja e hyrjes në fuqi e akteve shtetërore në Kosovë vazhdon të interpretohet në forma të ndryshme.


Faza e tranzicionit, që nga shpallja e pavarësisë e deri te largimi i UNMIK-ut nga Kosova, po u shërben institucioneve vendore që të përgatisin infrastrukturën e nevojshme kushtetuese – ligjore, për të përgatitur vendin të funksionojë si shtet.

Në këtë kuadër, sot u tha se janë duke u finalizuar edhe procedurat për shpalljen e konkursit për himnin e Republikës së Kosovës, i cili krahas flamurit e stemës, do të rrumbullakonte miratimin e simboleve shtetërore.

Mirëpo, mbetet ende dilemë çështja e hyrjes në fuqi të akteve shtetërore që po miratohen në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa në grupet e përbashkëta vendore e ndërkombëtare për tranzicionin është thënë se Kushtetuta, ligjet dhe aktet tjera shtetërore hyjnë në fuqi pas tranzicionit, përkatësisht pas largimit të UNMIK-ut, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, langoi sot idenë që këto akte të hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të Kushtetutës.

“Ligjet e pakos nuk hyjnë në fuqi pas shkuarjes së UNMIK-ut, por ato hyjnë në fuqi pas miratimit të Kushtetutës së ardhshme të Kosovës dhe mendoj se brenda muajit edhe kjo çështje do të përfundojë”, thotë Krasniqi.

Ndërsa vendorët flasin në vazhdimësi se tranzicioni ka filluar, kjo fazë katër-mujore ende nuk është shpallur nga shefi i UNMIK-ut.

Por, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se që nga 17 shkurti, Kosova ka subjektivitet tjetër ndërkombëtar dhe kjo, sipas tij, nënkupton se ka ndryshuar jo vetëm statusi i saj politik, por kanë ndryshuar edhe kompetencat që ushtron si shtet.

“Më 17 shkurt, në Kosovë, ka filluar tranzicioni dhe Kosova frymon ndryshe; është shtet i pavarur e sovran, i njohur edhe ndërkombëtarisht dhe misioni i UNMIK-ut përfundon në qershor”, thekson Kuçi.

Sidoqoftë, me Rezolutën 1244, autoriteti kryesor në Kosovë mbetet shefi i UNMIK-ut.

Mirëpo, kosovarët besojnë se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara bashkë me Bashkimin Evropian, që pritet të nisë misionin civil në Kosovë, do të gjejnë zgjidhje për t’i dhënë fund administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara.

E këtij mendimi është jo vetëm qeveria, por edhe opozita, e cila beson se UNMIK-u nuk do të bëjë obstruksione e as zvarritje, por do t’i bartë përgjegjësitë e mbetura dhe do të largohet sipas parashikimeve.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, thotë se aktualisht po harmonizohen detajet që e bëjnë përcjelljen e UNMIK-ut nga Kosova, për ta zëvendësuar me EULEX-in.

“Së paku 17 shkurti përcakton ditën kur EULEX-i fillon formën e misionit permanent në Kosovë, jo administrim siç ishte UNMIK-u, por mision observimi dhe këshillimi”, thotë Isufi.

Përderisa koha se kur UNMIK-u do të largohet mbetet çështje e zhvillimeve politike në aspektin diplomatik ndërkombëtar, në anën tjetër, institucionet kosovare presin që edhe këtë javë të miratojnë në Kuvend të paktën 10 ligje nga pakoja e Ahtisaarit.

Ndërkaq, po bëhen përgatitjet që në fund të muajit të miratohet dhe të shpallet në Kuvend edhe Kushtetuta e Kosovës. Vetëm atëherë do të mund të shihet nëse Kushtetuta do të prodhojë efekte të menjëhershme edhe sa i përket hyrjes në fuqi të saj dhe të ligjeve shtetërore të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG