Ndërlidhjet

Kosova mund të qëndrojë vetë ekonomikisht?


Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për vetëqëndrueshmëri ekonomike, por në këtë periudhë për vetëqëndrueshmëri ekonomike nevojitet bashkëpunim me vendet e rajonit dhe vende të ndryshme të botës, thonë zyrtarë të Qeverisë dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, thotë se Kosova ka potencial që në bashkëpunim me tregun rajonal dhe global, të qëndrojë përballë sfidave dhe konkurrencës që ka.

“Konsideroj se Kosova i ka ato paradispozita, e ka potencialin. Në këtë potencial do të kisha vënë në rend të parë rininë, pra popullatën e Kosovës dhe pastaj resurset natyrore të Kosovës. Praktikat tjera botërore kanë treguar se në qoftë se dy potenciale ekzistojnë, nuk ka dyshim se një shtet mund të qëndrojë”, tha Shala.

Rinia e Kosovës është potencial numër një, thotë Ahmet Shala, duke shtuar se rinia është potencial jo vetëm i Kosovës, por edhe potencial evropian.

“Duhet të diskutojmë me partnerët tanë, me Unionin Evropian, se si duhet ta shfrytëzojmë këtë resurs për të mirën e të gjithëve. Kemi reflektime pozitive nga disa shtete evropiane që bashkërisht ta shfrytëzojmë këtë të mirë“, thotë Shala.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se resurset e Kosovës janë të mjaftueshme për vetëqëndrueshmëri ekonomike, por për këtë nevojiten projektet konkrete nga Qeveria e Kosovës.

Ibrahim Rexhepi thotë se institucionet e Kosovës tashmë duhet të krijojnë mundësi për shfrytëzimin e resurseve vendore dhe mos të shpresohet se zhvillimi ekonomik varet vetëm nga donacionet.

“Kur merren parasysh resurset, qoftë njerëzore apo resurset natyrore, Kosova ka një qëndrueshmëri ekonomike. Ato duhet të identifikohen më shpejt edhe t’u dërgohen mekanizmave apo edhe institucioneve që janë të interesuara që të investojnë aty. Ndërkaq, orientimi i vetëm nga donacionet mund të jetë një mashtrim i madh i Qeverisë”, thotë Rexhepi.

Qeveria e Kosovës tashmë i ka renditur prioritetet e veta, thotë ministri Ahmet Shala.

“Konsideroj se të gjitha dikasteret janë duke punuar në mënyrë shumë intensive, për t’u përgatitur për Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, pra për të përcaktuar prioritetet brenda këtyre 3 vjetëve të ardhshëm, për t’i ndërtuar politikat, për të arritur tek këto. Ne shumë shpejt do të dalim me informacione të sakta rreth këtyre përparësive dhe këtyre prioriteteve”, thotë Shala.

Megjithatë, ai pohon se në këtë periudhë, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk mund të ketë rritje ekonomike pa ndihmën e donacioneve nga jashtë.

Pikërisht për këtë, Shala thotë se Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur për Konferencën e donatorëve, që mjetet që do të sigurohen nga kjo konferencë, të shfrytëzohen për zhvillimin e resurseve natyrore, që në të ardhmen Kosova të qëndrojë vetë ekonomikisht.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG