Ndërlidhjet

Gërdec: Numri i të vdekurve arrriti në nëntë


Nëntë vetë kanë humbur jetën nga shpërthimet tragjike të depos së armatimit në Gërdec afër Tiranës, kanë thënë autoritetet. Trupat ushtarake dhe policia e kanë bllokuar hapësirën ku gjendej kjo depo, ndërsa ekipet e kërkim – shpëtimit po vazhdojnë operacionin për gjetjen e personave që konsiderohen të zhdukur.

Mendohet se nëntë punëtorë dhe fshatarë janë të zhdukur. Ministri i shëndetësisë, Nard Ndoka tha se afro 300 vetë janë plagosur, përfshirë edhe fëmijë, ndërsa më se 50 persona ende mbeten në spital. Tetë nga të plagosurit janë në gjendje serioze dhe po dërgohen në Itali për trajtim të mëtejmë.

Ushtarët e Shteteve të Bashkuara po ndihmojnë në përpjekjet për shpëtim, ndërsa pritet që këtyre përpjekjeve tu bashkohen edhe truapt daneze dhe norvegjeze. Kryeministri Sali Berisha tha se shpërthimi në Gërdec, që është 10 kilometra në veri të Tiranës, ishte aksident. Zinxhiri i shpërthimeve filloi dje dhe zgjati deri sot në mëngjes. Ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu u bëri thirrje civilëve që të mos hyjnë ende në Gërdec pasi zona nuk është e sigurtë. Fshatarët janë shprehur të indinjuar me mungesën e kushteve të sigurisë së depove ku bëhej çmontimi i armatimit.

Zyrtarët thanë se së paku 318 shtëpi janë shkatërruar, 185 të tjera janë dëmtuar seriozisht ndërsa afro 1800 shtëpi kanë pësuar dëmtime më të lehta. "Qeveria e Shqipërisë do tu ndihmoj të gjitha familjeve dhe banorëve të këtij rajoni", tha kryeministri Berisha, duke shtuar se tashmë kanë filluar hetimet lidhur me këtë tragjedi të rëndë.
XS
SM
MD
LG