Ndërlidhjet

Vdes një polic i UNMIK-ut


Njësitet speciale të Policisë së UNMIK-ut
Njësitet speciale të Policisë së UNMIK-ut

Një pjesëtar i Policisë së Kombeve të Bashkuara, ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm nga plagët që ka marrë gjatë përplasjeve të djeshme me protestuesit serbë në Mitrovicë. Zëdhënësi i SHPK-së, Veton Elshani, ka konfirmuar se viktima është polic nga Ukraina. Zyrtarët e KFOR-it, ndërkaq, kanë njoftuar se nga 22 paqeruajtës të lënduar, 12 janë dërguar në Francë për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.


Ndryshe, situata në Mitrovicë sot është e qetë, por e tensionuar.

Pas protestave të dhunshme, të cilat janë zhvilluar dje në veri të Mitrovicës, ku u plagosen policë të UNMIK-ut dhe ushtarë të forcave paqeruajtëse, sot është rikthyer qetësia atje. Gjatë natës dhe mëngjesit të sotëm, sipas Besimi Hotit, situata paraqitet e qetë dhe nën kontroll.

"Gjatë orëve të mbrëmjes, ashtu si edhe gjatë orëve të pasdites së djeshme, në veri të Mitrovicës nuk ka njoftime për incidente. Situata është tërësisht e qetë dhe nën kontroll të forcave të KFOR-it dhe nuk ka pasur asnjë incident të shënuar gjatë orëve të mbrëmjes", tha Besim Hoti.

Ai tha se në orët e mbrëmjes së djeshme nuk ka pasur lëvizje të mëdha të banorëve serbë në veri, për të shtuar se sot do të bëhet rivlerësimi i situatës për rikthim të policisë në detyrat e veta.

"Nuk ka pasur as të shtëna, as nuk ka pasur lëvizje të shtuar të njerëzve, përveç individëve që dalin normalisht për detyrat e tyre të shtëpisë dhe blerjen e gjërave për furnizim. Është me rëndësi që nuk ka pasur tubime apo grupime të njerëzve. Gjatë ditës së sotme, ne do të shohim dhe do të bëjmë një rivlerësim të situatës së përgjithshme, në mënyre që t'i kemi forcat policore përsëri në kryerje të detyrës, në veri të Mitrovicës", tha Hoti.

Përfaqësuesit e policisë bëjnë te ditur se të gjithë të plagosurit, të cilët pësuan dje në protestë, janë jashtë rrezikut për jetë.
XS
SM
MD
LG