Ndërlidhjet

Shpresa për përmirësimin e gjendjes shëndetësore



Sistemi i përgjithshëm shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të shumta, madje edhe me mungesë të barnave elementare, thonë zyrtarë të institucioneve të ndryshme shëndetësore, në Ditën Botërore të Shëndetit. Por, kjo ditë, institucionet kryesore të shëndetit i gjen me një përkushtim të fuqishëm që të ndalin degradimin e mbikëqyrjes shëndetësore, i cili ka arritur në një shkallë ku vihet në pikëpyetje financimi dhe zbatimi i doktrinës së paraparë nga Organizata Botërore e Shëndetit, thotë Alush Gashi, ministër i Shëndetësisë. Ai pohon se gjendja e rëndë në shëndetësi është e papranueshme përballë kuadrove që ka shëndetësia e Kosovës. Por, megjithatë, ai thotë se shëndetësia ka nevojë për para dhe buxhet.

“Kemi një numër të mirë të profesionistëve në këtë vend. Por, nevojitet funksionalizmi i këtij sistemi, organizimi i sistemit informativ të integruar shëndetësor dhe fillimi i zbatimit të sigurimeve shëndetësore në vendin tonë. Ne jemi vend evropian, i cili nuk ka ende sigurim shëndetësor në bazë të ligjit”, thotë Gashi.

Por, në Ditën Botërore të Shëndetit, udhëheqës të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ankohen për mungesë të theksuar të barnave elementare. Jusuf Ulaj, drejtor i kësaj qendre, theksoi nevojat për barna dhe material shpenzues medicinal dhe investimin në aparaturë.

“Ditët e fundit mungojnë edhe gjërat elementare, kemi mungesë të filmave, të gazave e të disa materialeve tjera që janë bazike”, thekson Ulaj.

Problemet aktuale në sistemin shëndetësor janë pasojë e vonesës së miratimit të buxhetit të konsoliduar të Kosovës, thotë ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, duke shtuar se kjo po rezulton edhe me vonesën e tenderëve të ndryshëm. Ndryshe, ministri Gashi premton se brenda këtij viti do të vërehen përmirësimet e para jo vetëm në QKUK, por edhe në sistemin e përgjithshëm shëndetësor.

“Ne kemi mirëkuptimin e qytetarëve të Kosovës për vështirësitë financiare, në të cilat gjendet vendi ynë. Kemi një mbështetje të fuqishme që të hollat publike të harxhohen në mënyrë transparente, me një planifikim të mirë dhe me një llogaridhënie. Unë jam i sigurt se gjendja në Republikën e Kosovës, gjatë vitit 2008, do të fillojë se përmirësuari dukshëm”, u shpreh ministri Gashi.

Duke marrë parasysh gjendjen e shëndetësisë në të kaluarën, tashmë janë arritur rezultate, por jo në nivelin e duhur, thotë Skënder Syla, udhëheqës i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetit në Prishtinë. Ai, madje, thotë se për funksionimin e mirëfilltë të sistemit shëndetësor, janë të domosdoshme katër elemente:

“Financimi i qëndrueshëm, qeverisja e mirë e sistemit shëndetësor, ngritja e kuadrove dhe ofrimi i shërbimit shëndetësor cilësor“, thotë Syla.

Sistemi shëndetësor në Kosovë shumë herë është akuzuar për shërbim jocilësor ndaj pacientëve. Por, zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë pohojnë se një përmirësim i tillë mund të ndodhë vetëm me investime. Sipas tyre, askund nuk janë më të nevojshme dhe më të frytshme investimet, sesa në sistemin shëndetësor.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG