Ndërlidhjet

Me mjete ligjore kundër zgjedhjeve serbe


Harta e Republikës së Kosovës

Harta e Republikës së Kosovës

Shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, ia ka kthyer letrën Beogradit zyrtar, me të cilën qartëson se mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë shkel Rezolutën 1244, përderisa mban qëndrim neutral lidhur me zgjedhjet parlamentare. Në anën tjetër, edhe UNMIK-u, edhe Qeveria e Kosovës thonë se të vetmet mjete që do të përdorin për të penguar zgjedhjet lokale serbe, janë ato ligjore. Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kërkon që të gjitha institucionet të shprehen në mënyrë shumë të prerë kundër zgjedhjeve komunale serbe dhe të mos i lejojnë ato që të mbahen në Kosovë.


Kreu i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joachim Ruecker, përmes një letre ia ka bërë me dije Qeverisë serbe, se zgjedhjet lokale serbe nuk mund të mbahen në Kosovë, pasi shkelin Rezolutën 1244. Por, Ruecker ka mbajtur një qëndrim neutral rreth zgjedhjeve parlamentare.

“Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm tashmë i ka dërguar letër Samarxhiqit sa i përket qëndrimit të UNMIK-ut për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë. Siç është thënë edhe më herët, zgjedhjet lokale do të konsiderohen jovalide, ndërsa zgjedhjet parlamentare do të jetë në rregull që të mbahen”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut, Sven Lindholm, duke saktësuar se UNMIK-u as nuk do të ndihmojë e as pengojë zgjedhjet parlamentare serbe.

Por, megjithëse konsiderohen të paligjshme, as zgjedhjet lokale serbe, duket se nuk do të pengohen në Kosovë, meqë edhe Qeveria, edhe UNMIK-u, kanë zgjedhur vetëm mjete ligjore për t’i shpallur ato jovalide. Zyrtarë të dy institucioneve thonë se nuk do të përdorin mjete tjera për t’i penguar ato. Këtë e konfirmon zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

“Veprimi i parë është që ato të shpallen jo të ligjshme dhe i dyti, rezultatet e tyre nuk do kenë efekt ligjor në Kosovë. Nuk është qëllimi i Qeverisë së Kosovës që ta përdorë dhunën në asnjë rast, por ta ruajë sovranitetin e vet dhe funksionimin si shtet”, tha Kuçi.

Por, opozita ka reaguar ashpër duke kërkuar një qëndrim të prerë ndaj institucioneve që të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk duhet lejuar në asnjë formë që Serbia të mbajë zgjedhjet komunale në Kosovë.

“Në praktikën e ligjit ndërkombëtar, nuk ka shtet që mund të mbajë zgjedhje për institucione të saj në një shtet tjetër. Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, në bazë të parimit të dyshtetësisë, ne do ta respektojmë këtë parim. Por, nuk mundet Serbia të mbajë zgjedhje komunale në asnjë komunë në Kosovë dhe ky duhet të jetë qëndrim i prerë nga institucionet e Kosovës, nga presidenti, nga Qeveria, Parlamenti dhe nga të gjithë akterët tjerë ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë. Këtu duhet të jemi shumë të prerë. Në rast se ne bëjmë kompromis në parime kaq domethënëse për shtetin e ri të Kosovës, për kuptimin e sovranitetit, atëherë ne po hapim rrugë për zhvillime që nuk do të jenë në të mirën e Kosovës, qytetarëve të saj, edhe të serbëve të Kosovës, por gjithsesi as në të mirën e marrëdhënieve ndërfqinjësore ”, tha kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Por, Komisioni Republikan Zgjedhor i Serbisë tashmë ka vendosur që të organizojë zgjedhjet e të dy niveleve në Kosovë. UNMIK-u pret reagimet e Qeverisë serbe ndaj qëndrimit të saktësuar në letër, në mënyrë që të vendosë për veprimet e mëtutjeshme.

“Ne ia kemi bërë me dije Serbisë pozicionin tonë legal dhe tash do të presim përgjigjen e tyre ndaj qartësimit tonë. Ne do të presim reagimin e tyre, për t’i shqyrtuar më pas veprimet tona të ardhshme. Sidoqoftë, ne do të përdorim vetëm mjete ligjore”, tha Sven Lindholm.

Në anën tjetër, Nenad Radosavleviq, anëtar i Këshillit Nacional Serb për Leposaviqin, thotë se UNMIK-u nuk duhet të përzihet në zgjedhjet lokale dhe parlamentare serbe, meqë, sipas këtij politikani serb, kjo është çështje e brendshme e komunitetit serb.

“Unë edhe para 4 vjetësh kam menduar që të krijoj komunat serbe dhe komuniteti serb të ruhet si element konstituiv i kësaj hapësire. Mendoj se kjo është plotësisht e kuptueshme, që të lejohet dhe të pranohet si një realitet. Kjo nënkupton se serbët duhet të jenë zot në territorin e vet, që të udhëheqin me jetën e tyre”, tha Radosavleviq.

Komunat serbe në veriun e Kosovës kanë bojkotuar zgjedhjet lokale të 17 nëntorit dhe udhëheqësve të këtyre komunave u është zgjatur mandati nga shefi i UNMIK-ut. Qeveria dhe UNMIK-u thonë se nëse serbët dalin në zgjedhjet lokale serbe, ata nuk do ta njohin rezultatin e tyre, sikurse që nuk do t’i shohin të zgjedhurit eventualë si përfaqësues legjitimë.

Hajredin Kuçi thotë se janë dy mundësi, se si të zgjidhet problemi i zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe.

“Ka dy mundësi, t’u vazhdohet legjitimiteti në ato komuna dhe, e dyta, është organizmi i zgjedhjeve për ato komuna. Zgjidhja e parë është më e mirë”, tha Kuçi.

Ndryshe, zgjedhjet parlamentare serbe nuk janë duke u parë si problem as për Qeverinë e as për UNMIK-un, meqë serbët e Kosovës mund të votojnë në to, duke pasur për bazë parimin e dyshtetësisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG