Ndërlidhjet

Ushqimi shtrenjtohet për 13 për qind


Mbi 13 për qind janë ngritur çmimet e konsumit në Kosovë, në krahasim me vitin e kaluar. Gjatë këtij viti, vetëm mielli dhe vaji janë shtrenjtuar më shumë se 100 për qind. Çmimi i një buke nga 25 cent, sa ka qenë vitin e kaluar, është ngritur në 45 cent, ndërkaq vaji, nga 80 cent, është ngritur në 1.80 cent. Këto janë të dhënat e fundit të Indeksit të Çmimeve të Entit të Statistikave të Kosovës për periudhën mars 2007 - mars 2008.


Asllan Ibishi, nga departamenti i statistikave ekonomike në këtë ent, thotë se ngritja e çmimeve të produkteve tjera ushqimore, është shkak i rritjes së çmimit të bukës dhe drithërave.

“Çmimet e konsumit në Kosovë u ngritën nga një mesatare për 13.2 për qind në mes të muajit mars 2008 dhe mars 2007. Kjo kryesisht shpjegohet për shkak të rritjes së çmimit të bukës dhe drithërave për 57.2 për qind; vajrat dhe yndyrat 65 për qind, pemët 42 për qind, qumështi, djathi dhe vezët për 19 për qind dhe përdorimi i pajisjeve për transport personal 23.3 për qind”, thotë Asllani.

Ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore në masë të madhe ka goditur buxhetin familjar. Qytetarë të ndryshëm të Kosovës pohojnë se me pagat që marrin, nuk arrijnë të furnizohen me të gjithë artikujt e nevojshëm. Njëra prej tyre është Safete Rogova, aktore në Teatrin Kombëtar të Prishtinës.

“Më këtë standard që kemi, me këto paga që marrim, unë punoj në teatër dhe marr 150 euro rrogë, unë nuk arrij të ushqehem, por as të vishem. Por, unë nuk kam gajle për vete, mendoj për të gjithë masën, për ata që nuk punojnë fare apo ata që jetojnë me asistencë sociale, apo pensione - ata e kanë vështirë. Vërtet e kanë shumë vështirë“, shprehet Rogova.

Agron Kuqi, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Deçan, thotë se rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë të përditshëm, ka rënduar tej mase jetën e qytetarëve. Kjo situatë, thotë ai, do të rrisë edhe më tepër shkallën e varfërisë.

“Kjo rrjedhojë do të përkeqësojë edhe më shumë gjendjen ashtu të rënduar të qytetarëve të Kosovës”, thotë Kuqi.

Safete Rogova thotë se institucionet e Kosovës duhet t’i kontrollojnë çmimet në tregun kosovar, sidomos çmimin e bukës.

“Parësore është që t’u sigurohet ekzistenca njerëzve. Pastaj, këto punët tjera. Ne dimë se duhet të zhvillohet Kosova, duhet të ndërtohet, rindërtohet, mirëpo së pari duhet të ushqehet trupi, të mbahet trupi e më pas këto gjërat tjera”, shprehet Rogova.

Por, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pohojnë se Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në çmimet e tregut kosovar. Izet Arifi, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se ngritja e çmimeve të disa produkteve ushqimore ka ndodhur për shkak të ndryshimeve globale në tregun botëror.

“Tash nuk është duke u përballur vetëm Kosova me një ngritje të çmimeve, që është shqetësuese, por me ngritje të çmimeve është duke u përballur i tërë tregu botëror dhe Kosova në këtë rast nuk është përjashtim”, pohon Arifi.

Ndryshe, edhe zyrtarë të Bankës Botërore tashmë kanë deklaruar se dyfishimi i çmimit të ushqimeve gjatë tre vjetëve të fundit mund të shkaktojë krizë globale të ushqimit.

XS
SM
MD
LG