Ndërlidhjet

logo-print

Pezullimi i pjesëtarëve serbë të SHPK-së


Pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës

Pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës

Pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës që nuk kanë respektuar urdhrat e komandës së SHPK-së dhe kërkojnë t'i zbatojnë vetëm urdhrat e administratës së UNMIK-ut, vazhdojnë të jenë të pezulluar nga puna e tyre. Sipas zyrtarëve të SHPK-së, nga 325 pjesëtarë serbë të suspenduar, vetëm 13 janë kthyer në vendet e tyre të punës.


Reshat Maliqi, asistent i komisarit të policisë, thotë se Shërbimi Policor i Kosovës është një institucion multietnik dhe pjesëtarët serbë duhet të kthehen në punë sa më parë. Ai thotë se kjo që po ndodh, është pasojë e presioneve të Qeverisë serbe.

“Deri tash kanë arritur të kthehen 13 prej tyre. Ne presim që ai numër do të rritet. Tani tensioneve dhe presioneve që kanë qenë në momentin e largimit, gradualisht sikur po u bie intensiteti. Por, presioni më i madh vjen nga politika. Normalisht, politikën më të madhe në këtë rast me serbët e Kosovës tenton të bëjë Serbia", tha Maliqi.

Kërkesa kryesore e policëve serbë të suspenduar ka qenë që të punojnë nën komandën e policisë së UNMIK-ut. Kjo, sipas Maliqit, mbetet edhe më tutje e pamundur.

"Ne, së shpejti, do të jemi agjencia e vetme për zbatimin e ligjit në Kosovë dhe policia e vetme që do të bëjë zbatimin e ligjit. Kërkesat e tyre që të jenë nën menaxhmentin dhe t'i japin llogari drejtpërsëdrejti policisë së UNMIK-ut, tanimë janë të papranueshme. Ata janë të mirëseardhur nëse kthehen dhe i nënshtrohen urdhrave, i raportojnë Shërbimit Policor të Kosovës dhe e mbështesin strukturën dhe hierarkinë të cilën e ka SHPK-ja", tha Maliqi.

Shumica e policëve të suspenduar kanë punuar në Graçanicë si dhe në vendet tjera ku shumicën e përbën komuniteti serb. Ushtruesi i detyrës së komandantit të stacionit policor në Graçanicë pohon se në vendet e punës nuk po paraqiten pjesëtarët e komuniteti serb.

“Saktësisht, stacioni policor i Graçanicës i ka 34 policë të nacionalitetit serb, që janë në suspendim me pagesë që nga data 1 mars 2008. Në stacionin tonë nuk është kthyer ende asnjë", tha Kryeziu.

Të suspenduarit serbë vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre të rregullta nga buxheti i Kosovës. Megjithatë, këtë status ata nuk do ta kenë edhe për një periudhë të gjatë, meqë do të jetë Inspektorati i rendit ai që do të vendosë nëse policët do të largohen përfundimisht nga detyra.

Reshat Maliqi shpjegon më shumë:

"Ata për ne janë të suspenduar për momentin. Ne rastin e kemi dorëzuar në Inspektoratin e rendit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në afatin brenda tre muajsh kanë kohën që të bëjnë hetimet. Se cilat do të jenë masat pas tre muajsh, nuk mund të paragjykoj tani, sepse nuk e di se si do të veprojë Inspektorati i rendit dhe me cilat rekomandime do të dalë", tha Maliqi.

Kreu i komandës së policisë në Graçanicë, Ramë Kryeziu, thotë se nga disa takimet individuale që ka pasur me pjesëtarët serbë të SHPK-së, i është krijuar përshtypja se ata mund të kthehen në punë pas përfundimit të zgjedhjeve serbe.

"Kanë presione të ndryshme për moskthimin për momentin, para zgjedhjeve serbe. Ata shprehin gatishmërinë ndoshta pas zgjedhjeve serbe; ndoshta dikush prej tyre kthehet", tha Kryeziu.

Ndryshe, të vetmit policë serbë që nuk janë suspenduar për shkak të mosbindjes ndaj urdhrave të SHPK-së, janë ata që punojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, meqë stacionet policore atje vazhdojnë të jenë nën komandën e policisë së UNMIK-ut.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG