Ndërlidhjet

Punëtorët protestojnë


Protestë në Prishtinë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve
Protestë në Prishtinë, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve

Në Ditën Ndërkombëtare të Punës, Bashkimi i Sindikatave të Kosovës kërkoi përmirësimin e kushteve të punëtorëve. Mijëra pjesëmarrës në protestën që u mbajt në Prishtinë, kërkuan garantimin me ligj të të drejtave të punëtorëve, zbatimin e kontratës kolektive, mënyrë ndryshe të privatizimit dhe kthimin e fondeve përkatëse në Kosovë.


Me moton “Protestoni për të drejtat tuaja”, sot, në Prishtinë, mijëra punëtorë dhe pensionistë kanë mbajtur një protestë, duke kërkuar urgjentisht respektimin e të drejtave në vendet e tyre të punës.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës , që ka organizuar protestën, vlerëson se në Kosovë ka shkelje sistematike të të drejtave të punëtorëve.

Haxhi Arifi, kryetar i BSPK-së, thotë se Qeveria e Kosovës, tashmë pas krijimit të shtetit, duhet të përqendrohet në përmirësimin e pozitës së të punësuarve, si në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.

Ai ka kërkuar nga institucionet që të merren masa të menjëhershme për përmirësimin e gjendjes së rëndë të punëtorëve.

“Në Kosovë, format dhe mënyrat e shkeljes së të drejtave të punëtorëve janë nga më të ndryshmet. Shumë punëtorë, sidomos në sektorin privat, veçmas në ekonominë joformale, nuk kanë kurrfarë statusi të punëtorit, nuk kanë kontratë pune, nuk kanë orar të caktuar, por punojnë edhe 12 orë në ditë, pa ua paguar punën jashtë orarit, nuk kanë sigurim shëndetësor, pensional apo invalidor, pagat nuk u jepen me rregull, nuk kanë as mjete të mbrojtjes teknike në punë”, tha Arifi.
Pamje nga protesta

Para masës, nënkryetari i BSPK-së, Xhafer Xhaferi, paraqiti kërkesat konkrete ndaj qeverisë dhe institucioneve tjera të Kosovës.

“Dialog të mirëfilltë social, të fillojë së implementuari kontrata e përgjithshme kolektive dhe ajo sektoriale, aprovim të menjëhershëm të legjislacionit përkatës, të ligjit të punës, të ligjit për organizimin sindikal, të ligjit mbi grevat, të ligjit për sigurimin pensional e invalidor dhe ligjit mbi sigurimin shëndetësor, pagesë të 20 përqindëshit të pagave të papaguara dhe obligimeve të tjera ndaj punonjësve të ndërmarrjeve të privatizuara dhe kthim në Kosovë të fondit, të mjeteve të grumbulluara nga ky proces”, u shpreh Xhaferi.

Edhe disa ish-punonjës, pjesëmarrës në protestë, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, për shkak të humbjes së vendeve të punës, për shkak të procesit të privatizimit.

Njëra prej tyre është Kada Zeqiri, e cila ka punuar më shumë 20 vjet në industrinë e tekstilit “Kosova-tex”.

“Njëzet vjet kam punuar, e kanë shitur sipërmarrjen, nuk na kanë dhënë as rroga; na kanë mbetur 5-6 rroga, pa na dhënë edhe 20 përqindëshin. Burrin e kam pa pension, as ato 40 euro nuk i takojnë, sepse nuk i ka 65 vjet, kurse 10 vjet ka marrë pension e ia kanë ndërprerë”, tha Kada Zeqiri.

Enver Morina, magjistër i shkencave ekonomike, ka punuar mbi 40 vjet. Tani është pensionist dhe me parat që i merr thotë se nuk mund të sigurojë as ilaçet.

“Kemi ardhur për t’i kërkuar të drejtat tona. Deri më tani janë anashkaluar dhe kam përshtypjen se sikurse kanë dëshirë që sa më shpejt të shkojmë ne, pensionistët. Unë kam punuar 42 vjet dhe 40 euro nuk më mjaftojnë as për shërim, e jo të mbaj familjen. Prandaj, kemi ardhur të kërkojmë që sa më parë të zgjidhet çështja jo vetëm e jona, por edhe e atyre që jetojnë në varfëri të skajshme”, thotë Enver Morina.

Sindikatat kërkuan gjithashtu kujdes dhe maturi në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve me rëndësi të veçantë, siç është Korporata Energjetike e Kosovës.

Bashkimi i Sindikatave paralajmëroi se edhe në të ardhmen, në forma të ndryshme, do të vazhdojë t’i shprehë pakënaqësitë në raport me institucionet udhëheqëse të vendit.
XS
SM
MD
LG