Ndërlidhjet

Rice: Të sigurohemi se s'ka përpjekje për ndarjen e Kosovës


Condoleezza Rice
Condoleezza Rice

Sekretarja amerikane e shtetit, Condoleezza Rice, tha se synon të shmangë çdo lëvizje drejt ndarjes së Kosovës, pas pavarësisë së saj më 17 shkurt të këtij viti. "Ne duam të sigurojmë se nuk ekzistojnë përpjekje për ndarjen e Kosovës", tha zonja Rice.


Sekretarja e shtetit, Condoleezza Rice, tha se synon të shmangë çdo lëvizje drejt ndarjes së Kosovës, pas pavarësisë së saj më 17 shkurt të këtij viti.

"Ne duam të sigurojmë se nuk ekzistojnë përpjekje për ndarjen e Kosovës", tha Rice.

"Ajo çfarë nuk mund të lejojmë është që të ketë ndonjë rrëshqitje në raport me integritetin territorial të Kosovës", ka thënë Rice, derisa udhëtonte për në Londër, për të marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit.

Gjatë takimit me zyrtarët e lartë të Britanisë, Francës, Gjermanisë e Italisë, Rice diskutoi edhe për mundësitë që të ndihmohet tranzicioni në Kosovë.

"Ne do të punojmë që të ndihmojmë atë që ky shtet të ketë sukses, përmes mobilizimit të resurseve, përmes donorëve, të cilët duan të kontribuojnë, por gjithashtu edhe duke pranuar se tash nuk mund të ketë asnjë përpjekje për ta kthyer prapa në gjendjen para se Kosova të shpallë pavarësinë, të cilën e njohën shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Rice.

Ajo gjithashtu shtoi se "ne do të shikojmë se si të levizet përpara më shpejt në vendosjen e misionit të BE-së ".

Rice nënvizoi se "Kosova tani është shtet i pavarur, i njohur nga të gjitha vendet, që marrin pjesë në takmin e Londrës".

Kryediplomatja amerikane tha se prej shpalljes së pavarësisë, kosovarët kanë reaguar në mënyrë të përmbajtur dhe të përgjegjshme.

Megjithatë, zonja Rice ka pranuar se situata është pak e turbullt dhe se askush nuk ka pritur që të mos jetë e tillë.

Duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar bisedimet me Rusinë mbi Kosovën, Rice tha se "do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje që, përkundër dallimeve tona mbi Kosovën, të mos nxisim në çfarëdo mënyre ndonjë konflikt".

Ajo ka folur edhe për incidentet në veri të Kosovës, veçanërisht atë rreth gjykatave, duke e cilësuar si incident shqetësues.

"Me sa e kuptoj unë, ka pasur incidente në kuadër të përpjekjeve për të dëshmuar se disa pjesë të Kosovës funksionojnë si të pavarura".

"Duhet të bëhet dallim në mes të asaj që vërtet sfidon sovranitetin dhe integritetin e Kosovës dhe asaj që mund të jetë thjesht një lloj proteste", ka thënë sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili mori pjesë në takimin e Katërshes për Lindjen e Mesme, tha se Kosova ende mbetet në agjendën e Kombeve të Bashkuara.

"Është e drejta e partnerëve tanë që të diskutojnë çfarë të duan ndërmjet vete. Ne nuk ndjehemi të përjashtuar. Çështja e Kosovës është në agjendën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku Rusia është anëtar i përhershëm, prandaj nuk ndjehemi të përjashtuar", tha Lavrov.

Në takimin e Katërshes për Lindjen e Mesme mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Dmitrij Rupel, i cili foli në emër të Bashkimit Evropian.

"Bashkimi Evropian është mik i të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor dhe ne do të bëjmë çmos që Ballkani Perëndimor t'i afrohet sa më shumë të jetë e mundur Bashkimit Evropian", tha shefi i diplomacisë sllovene, Dimitrij Rupel.
XS
SM
MD
LG