Ndërlidhjet

logo-print

Prishtina përshëndet fitoren e forcave pro-evropiane në Serbi


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Zyrtarët kosovarë përshëndesin fitoren e forcave pro-evropiane në Serbi, ndërkohë që përsërsin se zgjedhjet komunale të Serbisë në Kosovë janë ilegale dhe të pavlefshme.


Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira me Serbinë, thonë udhëheqësit kosovarë, duke u ndërlidhur me procesin e djeshëm zgjedhor në këtë vend dhe fitoren e forcave që njihen si pro-evropiane.

Por, njëkohësisht, udhëheqësit kosovarë tërheqin edhe vërejtjen se mbajtja e zgjedhjeve komunale të Serbisë në Kosovë do të trajtohet si ilegale dhe se organet që do të dalin nga zgjedhjet e 11 majit, nuk do të njihen, por do të trajtohen si ilegale.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova mbetet shumë e interesuar që i gjithë rajoni të ketë një perspektive pro-evropiane.

“Për ne është shumë me rëndësi që i gjithë rajoni të marrë një kah të mirë në zhvillimin e proceseve demokratike dhe të ecjes drejt proceseve të integrimeve”.

“Po ashtu, është me rëndësi që ne mbetemi në ofertën që e kemi dhënë edhe gjatë procesit të bisedimeve, se Kosova është jetësisht e interesuar të ketë raporte të mira fqinjësore me të gjithë fqinjët e vet, në këtë rast edhe me Serbinë”.

“Mendoj se është një shans normal që e ardhmja të jetë një ardhme e raporteve të mira fqinjësore mes shteteve sovrane”, u shpreh presidenti Sejdiu.

Ndërsa për procesin zgjedhor në Serbi, presidenti Sejdiu tha se populli serb kishte në dorën e tij të vendoste rrugën përpara, ai ka përshëndetur në anën tjetër reagimin e shefit të UNMIK-ut, për t’i shpallur ilegale zgjedhjet e Serbisë në nivelin komunal, të mbajtura në Kosovë.

Në këtë kuadër, ai tha se sidomos veriu i Kosovës mbetet një çështje komplekse, por ai kërkoi që kjo çështje të zgjidhet në kuadër të institucioneve të Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare.

“E para është qëndrimi i institucioneve të Kosovës, që i gjithë ky proces është proces ilegal sa i përket Kosovës. E dyta është mirë që Përfaqësuesi Special ka reaguar në mënyrë të duhur, për të shpallur ilegalitetin e këtyre proceseve. Dhe, e treta, është me rëndësi të themi se çështjet në veri të Kosovës janë një trashëgimi e problemeve tash e nëntë vjet”.

“Nuk do të shkojë lehtë në proceset integruese; për ne është me rëndësi që të japim iniciativat tona në projekte zhvillimore për gjithë Kosovën, e edhe për këtë pjesë”, theksoi Sejdiu.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se Prishtina në vazhdimësi ka dërguar mesazhe për fitoren e forcave pro-evropiane në Serbi, si interes i përbashkët i tërë rajonit.

“Ne gjithnjë kemi thënë se jemi të interesuar që atje të vijnë forca demokratike, forca pro-evropiane dhe si duket këto forca kanë fituar më tepër. Por, fundi i fundit, kjo është çështje e brendshme dhe interes i Serbisë dhe popullit serb, se kënd do ta mbështesin me votat e tyre”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, thotë se vullneti i qytetarëve të Serbisë duhet të respektohet dhe se një pozicion të tillë do ta mbajë edhe Qeveria e Kosovës.

“Në raste kur qeveritë përreth nesh, në këtë rast edhe Qeveria e Serbisë do të jetë demokratike dhe pro-evropiane, pro integrimeve, do të jetë më lehtë për qytetarët e Serbisë, por me siguri se do të jetë me kooperuese edhe për rajonin, përfshirë edhe Kosovën në të ardhmen, për proceset integruese në BE”, tha Kuçi.

Ndërkohë, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës përshëndesin fitoren e forcave pro-evropiane në Serbi, duke shpresuar se Beogradi me këtë fiton një pozicion më të mirë kundër pavarësisë së Kosovës.

Oliver Ivanoviq beson se tash bashkësia ndërkombëtare ka me kënd të bisedojë në Beograd, lidhur me interesat e saj në Kosovë.

“Kjo do të thotë se tash kemi vendin, i cili mund të thotë se ky është territori im, ky është populli im në Kosovë dhe bashkësia ndërkombëtare do ta shohë Serbinë si partner, e jo si një vend në të cilin do të ketë shumë mosbesim”, thotë Ivanoviq.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq thotë se qytetarët e Serbisë nuk lejuan që të mashtrohen nga forcat që ishin për izolimin e Serbisë.

“Pres që Bashkimi Evropian të vazhdojë me aktivitete konkrete për Serbinë”, tha Trajkoviq, duke besuar se votat e 11 majit në Serbi ishin në funksion të mbrojtjes së interesave serbe, kundër forcave që mëtonin izolimin e këtij vendi.

Sidoqoftë, implikimi i Kosovës në zgjedhjet e 11 majit kishte të bënte më shumë me organizimin e tyre nëpër komunat e Kosovës ku jetojnë serbët.

Ndërsa, politika zyrtare e Prishtinës dhe e UNMIK-ut i cilëson ato si të pavlefshme dhe pa efekte politike, analistët në disa raste kanë tërhequr vërejtjen se organet paralele serbe nëpër komuna do të jenë një sfidë për institucionet e Kosovës, sovranitetin dhe për tërësinë territoriale, sidomos në aspektin e shtrirjes së qeverisjes së institucioneve kosovare në gjithë territorin e Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG