Ndërlidhjet

Judikatura në veri ende jashtë funksionit


Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, 14 mars 2008.
Protestuesit serbë para gjykatës në Mitrovicë, 14 mars 2008.

Pesë organe të judikaturës që gjenden në veriun e Mitrovicës, ende nuk i janë kthyer funksionit në objektet e tyre në veri. Sot bëhen dy muaj, kur disa ditë me radhë, serbët kishin uzurpuar objektin e gjykatës në veri, që tash është i mbyllur dhe ruhet nga forcat e KFOR-it.


Sot bëhen dy muaj, që kur dhjetëra serbë kishin uzurpuar për disa ditë me radhë objektin e Gjykatës Komunale në pjesën veriore të Mitrovicës.

Sot, ky objekt, në të cilin qenë vendosur disa organe të judikaturës, nuk punon dhe ruhet nga autoritetet e rendit.

Kapllan Baruti, kryetar i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, është skeptik se pesë organet e judikaturës, në veri, do t’i kthehen punës shpejt.

“Për fat të keq, ende gjykata nuk është duke funksionuar dhe sa i përket mundësisë sonë për kthimin në objektin e organeve të judikaturës me seli në pjesën veriore të Mitrovicës, ende nuk ka kurrfarë risie”, tha Baruti.

Në anën tjetër, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, thotë se ka ngritur çështjen e mosfunksionimit të gjykatave në veri, në rrafshe të ndryshme.

Ajo thotë se së fundi është formuar një komision i përbërë nga ndërkombëtarët dhe vendorët, që po synojnë rikthimin e punës së organeve të gjyqësisë në veri.

“Tani, kur së fundi kam ngritur përsëri çështjen e rifunksionalizimit të atyre gjykatave, ka filluar diçka të lëvizë. Po bisedohet rreth modaliteteve se si të ri funksionalizohen dhe unë pres që meqë është vendosur që të lëvizin çështjet, atëherë do të vendoset edhe fati i tyre dhe me siguri se do të rifunksionalizohen”, tha Kelmendi.

Por, kreu i Gjykatës së Qarkut, Kapllan Baruti, i cili me një staf prej 15 personash kanë zhvendosur një pjesë të punës, që konsiderohet të jetë më emergjente, në objektet e gjykatës në Vushtrri, thotë se pavarësisht bisedimeve, asgjë nuk është duke ndodhur në drejtim të funksionalizimit të gjykatave në veri.

“Kemi pasur dhe kemi kontakte të vazhdueshme edhe me subjekte politike, edhe të profesionit, me organizata si OSBE-ja, por këto biseda nuk po shoh se do të arrijnë ndonjë sukses në këtë drejtim”, tha Baruti.

As qeveria e as UNMIK-u nuk kanë paraqitur ndonjë plan se si t’i rikthejnë në funksion organet e gjyqësisë në veriun e Kosovës, ndërkohë që tashmë, në komunat veriore serbe, kanë filluar të punojnë strukturat paralele serbe të gjyqësisë.

Qëndrim të paqartë se kur do të rifillojë puna e organeve të gjyqësisë në veri, kanë edhe zyrtarët e UNMIK-ut..

“Situata është e njëjtë, sikurse pas 17 marsit dhe për arsye të sigurisë, objekti është i zbrazët dhe ruhet nga KFOR-it”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut për rajonin e Mitrovicës, Georgy Kakuk.

Sidoqoftë, ministrja Kelmendi është më optimiste, edhe pse nuk jep ndonjë afat kohor, se kur punëtorët shqiptarë do të mund të nisin sërish punën në objektet e gjykatës në veri.

“Jo, nuk ka ndonjë orientim kohor, mirëpo nuk do të zgjasë shumë”, tha Kelmendi.

Pas shpalljes së pavarësisë, punonjësit serbë të organeve të drejtësisë kanë braktisur punën për t’iu bashkuar organeve simotra të Republikës së Serbisë.

Ish-punonjësit tjerë serbë të organeve të drejtësisë po protestojnë thuajse çdo ditë, duke kërkuar kthimin në vendet e punës, që kanë mbajtur deri në vitin 1999.

Të njëjtit patën uzurpuar më 14 mars objektin e gjykatës në veri, për t’u larguar më pas nga autoritetet ndërkombëtare të rendit, veprim ky që shkaktoi trazirat e 17 marsit, nga të cilat mbeti i vrarë një polic ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG