Ndërlidhjet

Nuk ka rritje të skemave sociale



Përballë rritjes së shkallës së varfërisë dhe papunësisë në Kosovë, skemat sociale kanë mbetur të njëjta dhe nuk ka gjasa për ndryshime pozitive, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, me shqetësim të madh, po përcjell rritjen e shkallës së varfërisë, thotë Gjergj Dedaj, zëvendësministër, duke shtuar se mundësitë buxhetore nuk lejojnë përmirësim të skemave sociale.

“Dihet se ne këtë mund ta bëjmë vetëm në kuadër të mundësive buxhetore që ka MPMS-ja. Kur dihet që buxheti i Kosovës është i limituar, në këtë kontest edhe buxheti i Ministrisë së Punës po ashtu është i stërngarkuar dhe i limituar, tash për tash ne nuk mund të bëjmë atë çka kishim dashur të bëjmë, për të zbutur këtë gjendje sociale në Kosovë”, thotë Dedaj.

Ndihma që ministria ofron për këtë kategori të shoqërisë, karshi çmimeve të larta të produkteve esenciale, është shumë më e vogël sesa llogaritet të kushtojë një shportë ushqimore mujore për një familje.

Ndryshe, mbi 35 mijë familje që gjenden në listën e skemës sociale, marrin deri në 60 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtareve që kanë.

Gjergj Dedaj, megjithatë, pranon se kjo shumë nuk mjafton as për gjërat elementare, por, sipas tij, varfëria në Kosovë nuk mund të zbutet me skema sociale.

“Atë e kemi të qartë, se shporta është më e shtrenjtë, çmimet janë duke u rritur. Mirëpo, më së paku këtu ka faj Ministria e Punës. Kjo është çështje e tregut të lirë. Por, me rëndësi është t’i ndihmojmë qytetarët me ato mundësi që i kemi edhe ashtu të kufizuara”, shprehet Dedaj.

Por, ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se përballë gjendjes se rëndë socio-ekonomike, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në krijimin e vendeve të reja të punës.

Sefedin Sefa pohon se vetëm në këtë mënyrë mund të ulet shkalla e larta e varfërisë dhe e papunësisë.

“Rastet sociale gjithmonë përcillen si problematike në rritjen e përqindjes në buxhetin e tërësishëm të Kosovës, që, në të njëjtën kohë, krijon një pasqyrë që jemi qeveri konsumuese, e jo një qeveri që krijon kushte të mira për funksionalitet të mirë”, thotë Sefa.

Gjergj Dedaj, ndërkaq, shpreson se pas mbajtjes së Konferencës së donatorëve, që do të mbahet gjatë kësaj vere, do të ulet shkalla e varfërisë dhe e papunësisë.

“Ne tash presim një konferencë të fuqishme të donatorëve, presim hapjen e vendeve të reja të punës pas investimeve. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në zbutjen e gjendjes sociale, por edhe në uljen e shkallës së varfërisë dhe rritjen e shkallës së punësimit”, thotë Dedaj.

Ndryshe, 45 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri, 15 për qind prej tyre në varfëri të skajshme. Ndërkaq, 18 për qind e qytetarëve të tjerë janë të rrezikuar nga varfëria. Po ashtu, mbi 40 për qind është edhe shkalla e papunësisë.

Ndërkaq, në fillim të këtij viti, gjendja ekonomike e qytetarëve të Kosovës është përkeqësuar edhe me ngritjen e çmimeve të produkteve elementare për jetë, në 15 për qind.
XS
SM
MD
LG