Ndërlidhjet

Mllefi për të pagjeturit


Fotografitë e personave të pagjetur në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.
Fotografitë e personave të pagjetur në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.

Disa familjarë të personave të zhdukur, sot, kanë mbajtur një protestë para Zyrës për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore, duke kërkuar identifikimin e trupave të pajetë, që gjenden në morgun e Prishtinës. Në anën tjetër, udhëheqës të kësaj zyre pohojnë se analizat e ADN-së të 435 trupave të pajetë, që gjenden në morgun e Prishtinës, rezultojnë negative me gjakun e familjarëve.


Familjarë të mllefosur sot kanë kërkuar identifikimin sa më të shpejtë të trupave të pajetë të të afërmeve të tyre, që gjenden në morgun e Qendrës Klinike Universitare të Prishtinës.

Nesrete Kumnova, kryetare e Shoqatës ‘Thirrjet e Nënave’, pohon se 435 trupa të paidentifikuar mbahen në morgun e Prishtinës, për shkak të neglizhencës së autoriteteve kompetente për identifikimin e tyre.

“Ne sot kërkojmë informata konkrete, pse nuk identifikohen këta trupa. Le të gjejnë mënyrën dhe jo arsyetime. Disa familje që jemi këtu, i gjithë grupi është kthyer, një nuk është kthyer, ku në mesin e tyre jam edhe unë; pesë janë kthyer që janë marrë me djalin, djali im nuk është kthyer. 1000 për qind trupin e djalit e kam në frigoriferin e OMPF-së (Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore)”, shprehet Kumnova.

Edhe Mandua Jetishi beson se trupat e dy djemve të saj gjenden në morgun e Prishtinës.

“Njëri 20 vjeçar, tjetri 19 vjeçar, në grup kanë qenë 11. Prej tyre janë gjetur dy kufoma në Kosovë, jo në Serbi. Këta të tjerët i ka marrë KFOR-i dhe i ka dërguar në morgun e Rahovecit dhe prej morgut të Rahovecit i kanë sjell në morgun e Prishtinës. Kështu që dy djemtë e mi i kam këtu që nëntë vjet”, thotë Jetishi.

Në anën tjetër, Arsim Gërxhaliu, nga Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, pohon se numri i mbetjeve mortore të paidentifikuara nën mbikëqyrje të këtij instituti, është 435.

Në mesin e tyre, thotë ai, 382 trupa janë ekshumuar në Kosovë dhe 54 trupa tjerë mbesin ende të paidentifikuar nga grupi që është transferuar nga Serbia në qershor të vitit 2006.

Megjithatë, Gërxhaliu thotë se të gjitha këtyre të mbeturave mortore u është kryer autopsia dhe mostrat e eshtrave janë dërguar për analiza të ADN-së.

“Analizat që kthehen nga Komuniteti Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur, rezultojnë me negativitet. Nuk përputhen analizat apo mostrat e kockave që ne kemi në frigoriferët tanë, me gjakun e familjarëve të dhënë”.

“Mirëpo, bazuar nga përvoja, se kemi pasur gabime të shumta, edhe në të kaluarën te disa familjarë ka dalë se shumica kanë bërë gabime, në varrosjen në emër të të afërmeve të tyre, kanë varrosur dikë tjetër”, thotë Gërxhaliu.

Gërxhaliu shpreh dyshimin se janë bërë gabime në varrosjen e trupave të pajetë. Ai thotë se mbi 2000 familje kanë varrosur të afërmit e tyre pa asnjë analizë të ADN-së.

“Ne kemi kërkuar nga institucionet e Kosovës që t’i bindin ata familjarë dhe jo t’i prekim varret e tyre, por të marrim gjakun e atyre familjareve që nuk kanë dhënë kurrë gjak. Ne kemi përsëritur disa herë dërgimin e mostrave në Komitetin Ndërkombëtar dhe ka rezultuar me negativitet”,
pohon Gërxhaliu.

Ndryshe, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, persona të zhdukur konsiderohen rreth 2 mijë veta.
XS
SM
MD
LG