Ndërlidhjet

Blloku radikal në pushtet?


Megjithëse zgjedhjet kanë nxjerrë fituese Partinë Demokratike të presidentit të Serbisë Boris Tadiq, duket se blloku radikal është më intensiv në formimin e qeverisë. Formimi i qeverisë nga partitë e bllokut popullor dhe nacionalist është bërë një realitet i mundshëm. Por, gjithçka varet nga socialistët.


Zgjedhjet parlamentare kanë futur edhe më shumë Serbinë në dyshimet se kush do të udhëheqë vendin. Por, deri më tani, në këtë drejtim më së shumti kanë vepruar Partia Radikale e Serbisë me partinë e kryeministrit Vojisllav Koshtunica, duke tentuar të bëjnë një marrëveshje më Partinë Socialiste, që dikur i takonte Sllobodan Millosheviqit.

Por, asgjë nuk është konkretizuar me ndonjë nënshkrim, ndonëse është thënë këto tri parti kanë qëndrime të përafërta dhe për këtë ka mirëkuptim.

Nga ana tjetër, edhe Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiq ka paralajmëruar mundësinë e krijimit të qeverisë me Partinë Socialiste dhe pakicat, por gjithsesi bisedimet në këtë drejtim kanë qenë në një formë më defanzive.

Partia Socialiste e Serbisë ende nuk ka vendosur se me kë do të jetë në nivelin qendror dhe nga do ta orientojë të ardhmen e saj dhe të vendit.

“Kjo që është arritur deri tani nuk do të thotë ndonjë gjë. Ende duhet të flasim për marrëveshjen e koalicionit dhe kjo që është bërë deri tani, është vetëm 5 për qind e asaj që duhet të pasojë”, thotë Dragan Markoviq Palma, i Serbisë së Bashkuar, i cili është në koalicion më SPS-në, por që ka deklaruar se do të jetë pro Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.

Por, lufta është ndarë edhe në nivelin lokal. Tri partitë e bllokut radikal dhe popullor kanë tentuar të bëjnë kryetar të bashkisë së Beogradit sekretarin e partisë radikale, Aleksandar Vuçiq, një politikan të ri që dikur ka qenë ministër në Qeverinë e Millosheviqit. Por, kjo nuk ka arritur të kurorëzojë me sukses bisedimet mes partive.

"Çfarëdo që funksionon në Beograd, nuk është e rëndësishme në nivel kombëtar. Ju duhet të pyesni dikë tjetër se çfarë po ndodh në nivel kombëtar dhe çfarë marrëveshjesh janë bërë", ka thënë Vuçiq.

Ndërkaq, demokratët e presidentit besojnë se populli nuk i ka dhënë votën partive që po tentojnë të formojnë qeverinë. Marko Gjurishiq, kryesues i Këshillit Ekzekutiv të Partisë Demokratike, thotë se koalicioni nacionalist-socialist do të ishte jostabil.

"Unë besoj se kjo nuk do të ishte e qëndrueshme politikisht. Kjo nuk do të ishte një qeveri stabile dhe nuk do të ishte ndonjë qeveri që do të ndihmonte Serbinë që të integrohej shpejt në Evropë, të tërhiqte investimet e huaja, ose të krijonte vende të reja pune”,
thotë Gjurishiq.

Por, analistët mendojnë se radikalët kanë mundësi të krijojnë qeverinë, ndonëse mendojnë se kjo është një lojë tjetër politike që është duke u zhvilluar në Serbi.

Zoran Stoilkoviq, profesor në Universitetin e Beogradit, në Departamentin e Shkencave Politike, thotë se nuk përjashtohet mundësia që radikalët dhe demokratët të jenë të dy partnerë të socialistëve.

“Unë nuk e përjashtoj mundësinë që kësaj radhe të bëhet një kombinim, në të cilin socialistët do të gjendeshin me radikalët dhe DSS-në në Beograd, kurse me demokratët dhe pakicat në qeveri. Kjo nuk është një praktikë aq e zakonshme, por nuk është një praktike e paparë”, thotë Stoilkoviq.

Ndërkaq, sociologia Zagorka Goluboviq mendon se kjo është një lojë e qartë për të treguar forcë nga Partia Radikale e Serbisë dhe shihet që është një manipulim.

“Është shumë e qartë se kush janë humbësit e kush fituesit. Megjithatë, radikalët kanë vrapuar që natën e parë të tregojnë se nuk janë humbës, pasi që e kanë ditur se shumë lehtë mund të tërheqin Koshtunicën dhe eventualisht socialistët. Por, unë besoj që nuk është rënë dakord as për parimet, siç është thënë. Por, në mënyrë demagogjike janë duke bërë presion mbi qytetarët, pavarësisht rezultateve dhe duhet të bindin qytetarët se janë opsion legjitim”, mendon Goluboviq.

Partitë politike që do të mund të formojnë shumicën, do të duhet të konstituojnë Kuvendin e Serbisë në afatin njëmujor pas zgjedhjeve dhe rezultatit zyrtar.
XS
SM
MD
LG