Ndërlidhjet

Kosova - vend tranzit i krimit të organizuar



Kosova është vend tranzit për krimin e organizuar dhe format e kësaj pranie janë nga më të ndryshmet, thonë përfaqësues të Shërbimit Policor të Kosovës. Sipas tyre, ka raste edhe të vrasjeve që kryhen në kuadër të krimit të organizuar.

Rrahman Sylejmani, asistent i zëvendëskomisarit për shtyllën e krimeve në SHPK, tha se në Kosovë ekzistojnë dy lloj kategorish të krimit të organizuar, ai trans-kufitar dhe ai brendshëm.

“Duke marrë parasysh vetë pozicionin gjeografik që ka Kosova, periudhën që ka kaluar deri më tani, gjatë dhe pas luftës, në ndërtimin e të gjitha kapaciteteve, si dhe shtetet përreth, duke marrë parasysh edhe të gjitha ato rrugëtimet që i ka krimi i organizuar, kemi dy lloj kategorish të krimit të organizuar, atë trans-kufitar edhe të brendshëm”, thotë Sylejmani.

Rrahman Sylejmani shpjegon edhe format tjera nëpërmjet të cilave vepron rrjeti i krimit të organizuar në Kosovë.

“Kosova ballafaqohet me trafikimin e substancave narkotike në rend të parë, të qenieve njerëzore, kemi trafikimin e armëve. Këto janë ato kategoritë më të shumta, për të cilat një pjesë e territorit të Kosovës shfrytëzohet. Një pjesë e mallit të trafikuar sigurisht që është në Kosovë, por pjesa më e madhe ka destinacion vendet tjera perëndimore, nga juglindja në drejtim të perëndimit”, thotë Sylejmani.

Për të luftuar krimin e organizuar nevojitet vullnet politik, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, duke shtuar se përkushtimi i Qeverisë së Kosovës është zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.

“Ne kemi vullnetin, përkushtimin, por edhe instrumentet e nevojshme për luftimin e krimit të organizuar. Përfundimisht, roli dhe participimi i qytetarëve dhe i shoqërisë civile në këtë proces është jetik, që pashmangshëm dërgon arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Në luftën kundër krimit të organizuar do të jemi të pakompromis”,
thekson Pajaziti.

Ministri Pajaziti pohon se lufta kundër krimit të organizuar është lart në agjendën e prioriteteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kështu që brenda këtij viti kjo ministri, thotë ai, do të bëjë kompletimin e infrastrukturës ligjore dhe hartimin e politikave për luftimin e krimit të organizuar.

“Sundimi i ligjit është themeli i prioriteteve dhe aktiviteteve tona. Në kuadër të sundimit të ligjit hyjnë një varg aktivitetesh që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe atij ordiner, korrupsionit dhe dukurive tjera negative”.

“Ne jemi të përkushtuar që me të gjitha kapacitetet tona që i kemi, gjegjësisht me mekanizmat që ekzistojnë në kuadër të MPB-së e me theks të veçantë në Policinë e Kosovës, të jemi në nivel të lartë të detyrës që të mbrojmë sundimin e ligjit”, pohon Pajaziti.

Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, tha se krimi i organizuar shfaqet në gjithë rajonin dhe rrjedhimisht kjo çështje duhet të adresohet në nivel rajonal.

XS
SM
MD
LG