Ndërlidhjet

Nacionalistët marrin kryeqytetin serb


Aleksandar Vuçiq
Aleksandar Vuçiq

Socialistët e Serbisë kanë rënë dakord për nënshkrimin e marrëveshjes me partinë e kryeministrit Koshtunica dhe radikalët për Beogradin. Por, ende nuk kanë vendosur për qeverinë e vendit. Analistët presin që ky veprim t’i vështirësojë edhe më tutje negociatat për ekzekutivin e shtetit, pasi që demokratët kishin fituar shumicën edhe në kryeqytet.


Kryebashkiaku i Beogradit ka gjasa të mëdha të jetë Aleksandar Vuçiq, sekretar i Partisë Radikale të Serbisë dhe dikur ministër për informim në Qeverinë e Sllobodan Millosheviqit.

Blloku i partisë së kryeministrit Vojisllav Koshtunica, socialistët dhe radikalët kanë nënshkruar marrëveshjen e parë dhe kanë formuar një koalicion për kryeqytetin serb.

Këto parti janë bashkuar pas shumë debatesh dhe negociatash për qytetin. Por, ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me nivelin qendror.

Socialistët kanë vënë shumë kushte për të dyja palët dhe tentimet e tyre për të qenë partnerë të dyfishtë ende vazhdojnë.

Pak ditë më parë, ata u kanë vënë kushte radikalëve dhe bllokut popullor se Marrëveshja për Stabilizim Asociim nuk do të duhej të shfuqizohej. Kurse, tani ata kanë thënë se do të bëjnë marrëveshje edhe me demokratët nëse plotësohen kushtet e tyre.

Ata kanë kërkuar që familja e Sllobodan Millosheviqit, kreut të dikurshëm të kësaj partie, të mos përndiqet më dhe po ashtu të lirohet drejtori i dikurshëm i Radio Televizionit të Serbisë, që dikur bënte propagandën qeveritare.

Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiq ende shpreson se asgjë nuk ka mbaruar. Vetë Tadiq e ka quajtur këtë akt si një gjë antikombëtare dhe ka thënë se nuk do t’i ndihmojë asgjë ndryshimeve në vend.

Por, Aleksandar Vuçiq, pas nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit, u ka premtuar qytetarëve se nuk do të grindet me kundërshtarët e tij politikë dhe se do t’i pranojë kritikat nga ta. Ai ka premtuar se Beogradi do të jetë një nga vendet më joshëse.

“Do të befasoheni kur t’i shikoni të gjitha ato gjëra që ne do t’i bëjmë. Do të befasoheni kur të shikoni se cilat banka do të akreditohen në Beograd dhe me disa jemi tashmë në kontakt. Unë ju premtoj se brenda 15 ditëve do të befasoheni kur të shihni investitorët e huaj që do të vijnë për të folur për të ardhmen e Beogradit”, ka thënë Vuçiq.

Gjithsesi, analistët nuk i besojnë sekretarit të përgjithshëm të radikalëve dhe thonë se ai e ka dëshmuar të kundërtën dhe aftësitë e tij nuk arrijnë ndonjë nivel.

Dejan Anastasijeviq, nga javorja Vreme dhe Time, thotë se kjo marrëveshje do të krijojë vetëm probleme politike brenda Serbisë dhe asnjë ndryshim për të mirë.

“Kjo sigurisht që do të ketë ndikim në bisedimet për qeveri, që Partia Demokratike ka për qëllim t’i bëjë me Partinë Socialiste të Serbisë. Tani do të jetë më vështirë të arrihet kjo marrëveshje. Partia Socialiste, një pjesë të apetiteve të saj i ka ngopur, por i ka bërë dëm demokratëve”.

“Duhet të shikohen reagimet e demokratëve dhe të shihet nëse mund të bëhet megjithatë qeveria. Beogradi është një politikë e komplikuar, edhe financiare, edhe politike, dhe kështu nuk do të ketë kapacitet, por Aleksandar Vuçiq do të krijojë vetëm probleme në këtë punë”, mendon Anastasijeviq.

Ndërkaq, Jelena Milliq, nga Qendra për Studime Euroatlantike, thotë se deklaratat e fundit për mundësinë e zgjedhjeve të reja janë shqetësuese, por është e keqja më e vogël pasi që serbët nuk mund të humbin kaq shumë kohë për të gjetur qeverinë e duhur.

“Ne mund t’i japim kredibilitet qeverisë lokale, por mendoj se shumë qytetarë janë të pakënaqur me një gjë të tillë dhe dymbëdhjetë vjet pas protestave të dimrit, tetë nga tetori i vitit 2000, ky do të jetë një shok për shumë qytetarë”, shprehet Milliq.

Partia Demokratike e presidentit Tadiq nuk është deklaruar menjëherë pas marrëveshjes së arritur në Beograd.

Megjithatë, koalicioni për Serbinë evropiane ka shfaqur probleme brenda tij pasi që partia G-17 plus, e Mllagjan Dinkiqit ka kundërshtuar pjesëmarrjen e saj në një qeveri me socialistët, nëse ata vendosin për koalicionin në nivelin e kryeqytetit. Por, demokratët kanë premtuar se ende asgjë nuk ka mbaruar.
XS
SM
MD
LG