Ndërlidhjet

Demokratët serbë ende kanë shpresa


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes të socialistëve, radikalëve dhe bllokut popullor, në Serbi është rihapur tema e bashkëpunimit në mes të pushtetit lokal dhe qendror. Demokratët deri tani kanë mbetur opozitë në kryeqytet, por analistët mendojnë se ende ka gjasa për nivelin qendror.


Shpresat për një qeveri evropiane në Serbi nuk janë shuar edhe pse marrëveshja e parë në mes të bllokut popullor, radikalëve dhe socialistëve tashmë është fakt i kryer.

Partia Demokratike e presidentit Boris Tadiq ka deklaruar se asgjë nuk ka përfunduar, ndërkohë që Partia G-17 Plus është gjithnjë e më shumë kundër futjes në qeveri të socialistëve. Në këtë rast, sipas zyrtarëve të kësaj partie, G-17 Plus do të jetë një parti jashtë qeverisë, por mbështetëse e saj.

Një pjesë e analistëve dhe intelektualëve të Beogradit nuk janë të kënaqur me faktin se kryebashkiak i tyre do të jetë sekretari i radikalëve, Aleksandar Vuçiq.

Svetozar Cvetkoviq, drejtor i kinos Atelea 212 dhe dikur i afërt me kryeministrin Zoran Gjingjiq, thotë se nëse kjo përfundimisht ndodh, ai nuk do të drejtojë më me kinon, sepse radikalët janë duke bërë revanshizëm në kryeqytet.

“Duhet të them se është një ndjenjë e pakëndshme, sepse kthehemi në një kohë të shkuar. Dhe, kjo do të ishte më e keqe se ajo që ka qenë, sepse ekziston një lloj hakmarrjeje ndaj të gjithë njerëzve që kanë punuar punët e tyre në dekadën e fundit. Kështu që do të ktheheshim në rehabilitimin e të gjithë e asaj që ka qenë e keqe”, shprehet Cvetkoviq.

Ndërkaq, Vida Ognjenoviq, shkrimtare e njohur serbe dhe nënkryetare e Partisë Demokratike të presidentit Tadiq, shpreson se kjo fazë do të jetë një gjë kalimtare.

“Për mua është një gabim i papritur shoqëror dhe është një triumf i matematikave mbi shoqërinë dhe mbi politikën e vërtetë. Shoqëria duhet të mbijetojë edhe këtë gjë, sepse shumë njerëz kanë votuar për një gjë tjetër. Shpresoj që kjo që ka ndodhur me qytetin, nuk do të ndodhë me qeverisjen qendrore”, ka theksuar Ognjenoviq.

Dragan Bujoseviq, gazetar shumëvjeçar i politikës në javoren NIN, thotë se Partia Demokratike ende mund të ketë gjasa për formimin e qeverisë, por nuk ekziston ndonjë joshje e vërtetë për ta për pushtetin qendror.

“Atë që Partia Demokratike mund t’ua ofrojë socialistëve në kuptimin e parave, të mirëqenies, të pushtetit, është gjithçka që mund t’ua ofrojnë radikalët dhe demokratët e Koshtunicës. E vetmja gjë që nuk kuptohet, është një tjetër gjë; në rastin me demokratët, socialistët zgjedhin rrugën e tyre dhe nëse shkojnë me grupin tjetër, zvogëlojnë mundësitë e tyre për të qenë një faktor relevant
”, mendon Bujoseviq.

Por, politikologu Zoran Stojilkoviq, nga Universiteti i Beogradit, Departamenti i Shkencave Politike, mendon se gjasat e demokratëve do të jenë ekzistuese, derisa të mos nënshkruhet një marrëveshje.

“Derisa të mos shihet një përgjigje kompetente, mund të pritet një gjë e tillë. Edhe pse ka ndodhur kjo në qytet dhe që do të jetë e vështirë të koordinohet, ende ekziston mundësia derisa ky proces të jetë i hapur dhe derisa vazhdojnë negociatat në mes të partive”, shton Stojilkoviq.

Analistët serbë, megjithatë, mendojnë se në Serbi nuk është aq normale që pushtetin në kryeqytet ta ketë një parti që në pushtetin qendror do të ishte opozitare, pasi që, sipas tyre, kjo vështirë se prodhon ndonjë rezultat pozitiv.
XS
SM
MD
LG