Ndërlidhjet

"BE në pritje të sinjaleve nga OKB-ja"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
UNMIK-u u ka sugjeruar autoriteteve të Kosovës dhe pranisë së ardhshme ndërkombëtare në Kosovë që të kenë kujdes se si do t'i qasen problemeve në veriun e Kosovës. Duke pasur me vete përvojën e hidhur nëntëvjeçare në adresimin e çështjes së autoritetit të vet në këtë pjesë të Kosovës, zyrtarë të UNMIK-ut, në dhjetëditëshin e fundit të administrimit të Kosovës kanë sugjeruar "hapa të matur" në komunat me shumicë serbe në veri, vendi ku që nga viti 1999 Beogradi ka mbështetur në të gjitha format strukturat paralele që kanë sfiduar mandatin që i është dhënë OKB-së përmes Rezolutës 1244. Porosia e UNMIK-ut ka ardhur vetëm pak ditë pas deklaratave të drejtuesve të institucioneve të Kosovës për shtrirjen e pushtetit të Prishtinës në pjesën veriore të vendit menjëherë pas 15 qershorit, dita kur do të hyjë në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës, deklarata këto të riafirmuara edhe dje nga kabineti i kryeministrit të Kosovës...

LAJM
LDK-ja nuk po i ndihmon aspak partnerit të saj në koalicion, PDK-së, për përballimin akuzave që po i drejtohen qeverisë nga partitë opozitare, veçmas nga AAK-ja. Megjithëse i drejtojnë gjashtë ministri në Qeveri, ministrat e LDK-së as nuk po kritikohen nga opozita, por as nuk po i dalin në krah kryeministrit për t'i "demantuar" akuzat për keqqeverisje. Heshtja e ministrave të LDK-së e vë në dyshim vullnetin e për të qenë pjesë e devotshme e "Qeverisë Thaçi", dhe aktualisht për t'i dale në mbrojtje asaj. Ali Lajçi, anëtar i Kryesisë së LDK-së, thotë se mospërfshirja në luftën politike, mes opozitës dhe pozitës, e zyrtarëve të Qeverisë, të cilët i takojnë partisë së tij, është pasojë ose e faktit që ata janë më të mirët, ose që s'janë kurrfarë faktori në këtë qeveri. Pa dashur ta zgjedhë njërën si më të mundshme, Lajçi thotë vetëm se, si shumë zyrtarë të tjerë të LDK-së, nuk e di ende se çfarë pozite ka LDK-ja në këtë koalicion. “Tjetërkush i di këto çështje. Ne veç po dëgjojmë"...

EPOKA E RE
Kosova do të jetë tema kryesore e bisedimeve mes kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit të ri të Rusisë, Dimitrij Medvedev, i cili viziton për herë të parë sot (e enjte) Gjermaninë. Kancelarja Merkel është e vendosur që ta zbusë qëndrimin rus për Kosovën. Një ditë më parë Merkel kishte deklaruar se do të ushtrojë presion te Medvedev që ta pranojë misionin EULEX në Kosovë, një mision të cilin Rusia deri tani e ka quajtur të paligjshëm. Në fakt, marrëdhëniet e Gjermanisë dhe Rusisë janë të fuqishme për shkak të lidhjeve ekonomike. Pak javë më parë, Merkel i ka bërë thirrje BE-së dhe NATO-s t'i forcojnë lidhjet me Rusinë dhe të organizojnë sa me shpesh takime partneriteti mes bllokut dhe Moskës. Po ashtu, Merkel ka përshëndetur vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së që të fillojnë bisedimet me Rusinë për një marrëveshje bashkëpunimi ekonomik midis Brukselit dhe Moskës...

KOHA DITORE
Dhjetë ditë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, BE-ja nuk është e sigurt se çfarë do te sjellë kjo ditë, por është gjithnjë e më e sigurt se nuk do të jetë në gjendje të nisë misionin e saj në fushën e rendit dhe të ligjit - EULEX. Kjo përshtypje është krijuar pas paraqitjes së djeshme para disa gazetarëve të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Javier Solana, dhe ministrit të Jashtëm të Sllovenisë, Dimitrij Rupel, që është edhe kryesues i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së. Javier Solana, në fjalimin e tij, në seancë plenare të Parlamentit Evropian, ka thënë se më 15 qershor do të hyjë në fuqi një pako me ligje, përfshirë edhe Kushtetutën e Kosovës, por ka qenë, me apo pa qëllim, mjaft i paqartë rreth misionit të BE-së, EULEX, që ishte parashikuar po ashtu të fillonte atë ditë. "Shpresoj se do të mund të shkojmë përpara me misionin e EULEX-it", ka thënë Solana. Më pas, duke folur para gazetarëve, Solana, i pyetur se çfarë mendon me "përparim" rreth misionit të EULEX-it në ditët që vijnë, ka thënë se "ky është një vendim që nuk më takon mua ta marr, por është më shumë vendim që duhet të merret në Nju Jork"...

EXPRESS
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ia ka parë për të madhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, për rolin e tij avokues ndaj SHIK-ut. Lideri opozitar, duke folur për Express gjatë një vizite në Lipjan, të mërkurën, ka mohuar deklarimet e Krasniqit se SHIK-u madje ka ndihmuar edhe vetë Haradinajn në periudha të ndryshme. Ky është shkallëzimi më i fundit i polemikave mes drejtuesve të PDK-së dhe AAK-së, që ka për thelb kontestimin, respektivisht mbrojtjen e rolit të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK). Haradinaj thotë se kjo organizatë e ka dëmtuar atë. "Nuk kam informata që më kanë ndihmuar. Unë kam informata që më kanë dëmtuar", është shprehur Haradinaj. "Informatat që i kam, janë të natyrës ligjore. Për shkak të implikimit të tyre ligjor, i dedikohen vetëm mekanizmave ligjorë", ka thënë ai, duke mos sqaruar se çfarë informatash posedon ai...

KOSOVA SOT
Takimi gjithëpërfshirës në mes të Komisionit Kushtetues, i cili ka pasur për barrë edhe finalizimin e procesit për bërjen e simboleve të Kosovës, është zhvilluar pa prani të mediave, në paraditen e së mërkurës. Në këtë takim, përveç liderëve kryesorë të institucioneve, presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, kanë marrë pjesë edhe anëtarët e kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare nga të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend. Në këtë kafe pune dhe relaksi muzikor ka marrë pjesë edhe një përfaqësues i Zyrës amerikane. Pasi i kanë dëgjuar të tri propozimet dhe pasi janë marrë vesh që të lobohet deri në maksimum për propozimin e parë të titulluar "Evropa", e kanë përfunduar takimin duke u ndarë shumë të kënaqur. “Ne kemi menduar që të bëhet edhe një dëgjim i tri propozimeve tona nga të gjitha grupet parlamentare e pastaj të vihet nga grupet parlamentare në një konsensus dhe të shkohet me një propozim të përbashkët në Kuvendin e Kosovës, i cili ka nevojë që t'i marrë dy të tretat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës", tha kryetari i Komisionit, Hajredin Kuçi...

INFOPRESS
Bordi i Drejtorëve të KEK-ut është njoftuar nga Drejtori Menaxhues mbi letrën që ky i fundit i ka dërguar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare mbi problemet që është duke paraqitur borxhi i konsumatorëve serbë ndaj Korporatës. Bordi u njoftua që vetëm gjatë muajve mars dhe prill, fatura që KEK-u ka adresuar në UNMIK dhe institucionet tjera relevante në vend në emër të borxheve të konsumatorëve serbë ndaj Korporatës, ka arritur shumën prej € 4 milionë. Përderisa borxhi total i akumuluar nga viti 1999 e deri tani kalon shumën prej €110 milionë. Bordi i Drejtorëve u ka bërë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të ndërmarrin masa të menjëhershme në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje për problemin në fjalë. Në të kundërtën, nëse nuk ndërmerret diçka në këtë drejtim, Bordi ka paralajmëruar që Menaxhmenti do të jetë i shtyrë të ndërmarrë veprime ndaj këtyre konsumatorëve në përputhje me statutin që ka si shoqëri aksionare...

BOTA SOT
Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, po qëndron për vizitë zyrtare në Zvicër. Përveç pjesëmarrjes bashkë me një grup deputetësh nga Kuvendi i Kosovës në Konferencën e organizuar nga DKAF-i lidhur me sektorin e sigurisë në Republikën e Kosovës, ministri Pajaziti po realizon takime të shumta me autoritetet zvicerane. Në këtë aspekt janë prekur një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me lehtësimin e pajisjeve të dokumenteve valide të shtetasve të Kosovës... Ngjitas kësaj, Republika e Kosovës dhe shteti i Zvicrës kanë ngritur marrëdhëniet bilaterale në fushën e sigurisë dhe aspekte tjera me interes të dyanshëm. Në agjendën e tij, kreu i MPB-së, Pajaziti, pati një takim pune me homologun e tij zviceran, Eduard Gnesa, me të cilin diskutoi për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, në fushën e punëve të brendshme, veçanërisht në çështjet që ndërlidhen me migracionin, dokumentet civile, regjistrat civilë etj...
XS
SM
MD
LG