Ndërlidhjet

Kosova kërkon mbi 1 miliard euro


Zyrtarë të qeverisë tashmë kanë deklaruar se Kosova do të kërkojë 1 miliard e 400 mijë euro ndihmë financiare për projektet e saj në Konferencën e donatorëve, që do të mbahet më 11 korrik në Bruksel. Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se kjo shumë është e mjaftueshme dhe e arsyeshme, nëse mjetet shpenzohen në mënyrë efikase.


Ekspertë për çështje ekonomike thonë se shuma që do të kërkojnë institucionet e Kosovës në Konferencën e donatorëve është e mjaftueshme dhe e arsyeshme, nëse ato mjete shpenzohen në mënyrë efikase dhe do të ndikojnë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

Eksperti Ismail Kastrati pohon se një miliard e 400 mijë euro, për nevojat e kosovareve janë pothuajse të mjaftueshme, edhe pse, shton ai, kjo shifër mund të mos realizohet, për shkak se kjo varet nga gatishmëria e donatorëve.

“Qeveria do t’i shfrytëzojë në bazë të programeve të veta. Do të ishte mirë që qeveria të ketë një liri më të madhe në shfrytëzimin e tyre, ndërkaq donatorët të kenë një mbikëqyrje të shfrytëzimit të tyre, sa do të jenë të efektshme dhe efikase”, tha Kastrati.

Ndryshe, zyrtarë të qeverisë tashmë kanë deklaruar se Kosova do të kërkojë 1 miliard e 400 mijë euro ndihmë financiare për projektet e saj në Konferencën e donatorëve. Sipas tyre, janë 6 prioritete që kanë nevojë urgjente për investime, në mesin e të cilave janë energjia, arsimi, sundimi i rendit dhe i ligjit.

Por, Ismail Kastrati thotë se me mjetet e fituara nga donatorët, efektet mund të vërehen në sistemin e arsimit, por jo në sistemin energjetik.

“Nuk janë të mjaftuara për energji, për shkak se energjia do të ketë nevoja shumë të mëdha për të investuar, në rend të parë për të rehabilituar këto kapacitete dhe për investime të reja. Por, me siguri se në arsim do të ketë ndikim dhe në sektorë do të ketë ndikim”, thotë Kastrati.

Në anën tjetër, Muhamet Sadiku, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, thotë se Kosova në këtë situatë të re, si shtet i pavarur, ka nevojë për investime publike dhe për investime në projektet me karakter nacional. Për këtë arsye, ai beson se donatorët do të jenë të gatshëm t’i financojnë projektet e përgatitura nga Qeveria e Kosovës, të cilat kapin shumën mbi një miliard euro.

“Unë shpresoj se Qeveria e Kosovës do të shkojë me një koncept të qartë, në kuptimin e identifikimit dhe promovimit të projekteve të qarta, nga të cilat varet rritja ekonomike e Kosovës, varet adresimi i çështjeve, siç janë papunësia dhe varfëria”, shprehet Sadiku.

Sidoqoftë, Konferenca e donatorëve për Kosovën do të mbahet më 11 korrik në Bruksel. Ka vite që zyrtarë dhe ekspertë të ekonomisë, këtë konferencë e shohin si shpresën e vetme për përmirësimin e gjendjes ekonomike në vend.
XS
SM
MD
LG