Ndërlidhjet

logo-print

Knaus: Konfuzioni për praninë ndërkombëtare - turp i madh


Verena Knaus

Verena Knaus

“Është turp i madh, që 9 ditë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës, ende ka konfuzion për praninë ndërkombëtare”, thotë Verena Knaus, drejtoreshë e Iniciativës Kosovare për Stabilitet, në intervistë për Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Knaus, ju e njihini mirë problemin e Mitrovicës. Atje, edhe pas shpalljes së pavarësisë, situata mbetet e njëjtë - qyteti është i ndarë. A shihni ndonjë lëvizje drejt zgjidhjes?

VERENA KNAUS
Siç thatë ju, Mitrovica është dhe mbetet problem i madh. Unë shoh një trend pozitiv, meqë ka interes të madh për zgjidhjen e problemit të Mitrovicës. Mendoj se ky shans rritet, meqë është një kryetar i komunës i përkushtuar, i cili dëshiron zgjidhje të problemit të qytetit.

Fatkeqësisht, Mitrovica mbetet një territor i kontestuar i Kosovës. Është vend, ku grumbullohen të gjitha problemet – roli i OKB-së në Kosovë, aftësia ose paaftësia e EULEX-it që të zbarkohet në tërë territorin, implementimi i marrëveshjes së Ahtisaarit dhe më e rëndësishmja - ofrimi i një të ardhmeje ekonomike për qytetin dhe njerëzit e tij.

Pra, ne nuk mund të flasim vetëm për probleme politike, por për punësim, arsimim dhe investim për të ardhmen. Mitrovica është sfidë, por secili duhet të fokusohet më shumë dhe kjo është ajo që duhet kuptuar.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, zoti Rexhepi, e kupton këtë dhe po lobon për këtë, por kjo kërkon edhe asistencë ndërkombëtare, jo vetëm përkushtim retorik, kërkon fonde, fokus më të madh dhe një përkushtim të vërtetë nga ana evropiane për të zgjidhur çështjen e Mitrovicës.

Kërkon përkushtim politik që të mbahet një qëndrim kundërshtues ndaj palës serbe, që të mos shtyhen më problemet, të zbarkohet në mënyrë të vazhdueshme EULEX-i, të mbahet premtimi se Kosova do mbetet territor i pandashëm, siç ka thënë Grupi i Kontaktit. Mendoj se kjo duhet të ndodhë në muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasysh qëndrimin e vazhdueshëm refuzues të serbëve karshi pavarësisë dhe integrimit të tyre në shoqërinë kosovare, me çfarë çmimi mendoni se ata do të mund të ndryshonin qëndrim?

VERENA KNAUS
Mendoj se duhet të jemi realë dhe t’i kuptojmë kufizimet se çka mund të bëhet në Prishtinë dhe çka mund të bëjë pala ndërkombëtare. Veriu i qytetit të Mitrovicës, 14 mijë serbët që jetojnë atje, janë të varur në masë të madhe, veçanërisht nga aspekti ekonomik, prej vendimeve që merren në Beograd.

Unë do t‘i bëja thirrje Beogradit, që të marrë parasysh atë që është në interes të serbëve, që jetojnë sot në Kosovë. Mendoj se këtë ata nuk po e bëjnë. Ata më shumë merren me lojë politike të shahut, më shumë mundohen ta ruajnë fytyrën, por asnjëherë nuk merren me atë se si njerëzit në terren do të jetojnë sot, ose pas 5 apo 10 vjetësh.

Ne duhet ta kuptojmë se ata serbë që jetojnë sot në Kosovë, 130 mijë, dy të tretat e të cilëve jetojnë në jug të lumit Ibër, e një e treta në veri, e shohin Kosovën si vendin e tyre, ku ata duan të jetojnë dhe të rrisin fëmijët. Këtë e kanë vendosur me vullnetin e tyre.

Mendoj se tani është koha për Beogradin që të bëjë gjithçka që është e mundur, që dëshira e tyre të plotësohet dhe mos t’i përdorë ata si mjete politike, por t’i marrë parasysh brengat e tyre ekonomike e sociale, nga kujdesi shëndetësor e deri te trashëgimia kulturore. Ndërkaq, pala ndërkombëtare duhet të nisë të flasë për njerëz, e jo më për territore.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur jemi te serbët, ata sot formuan asamblenë komunale në Mitrovicë, e cila doli nga zgjedhjet ilegale, siç i ka cilësuar UNMIK-u. Çfarë pasojash do të sjellë ky veprim?

VERENA KNAUS
Është shumë problematike. Pikësëpari, për arsye se nuk u shërben interesave të serbëve që jetojnë në qytet. Mendoj se është në interes të tyre që të gjejnë një zgjidhje në bazë të planit të Ahtisaarit, i cili parasheh krijimin e komunës së Mitrovicës veriore, meqë me këtë merret parasysh brenga e serbëve dhe frika se do të jenë të dominuar nga shumica shqiptare në Komunën e Mitrovicës.

Por, po ashtu, me plan parashihet një bord i përbashkët i qytetit, i cili mbron interesat e të dyja komuniteteve. Personalisht, besoj se serbët nuk do të duhej të pozicionoheshin për një qasje konfrontuese, siç po bëjnë tash me mbajtjen e zgjedhjeve dhe formimin e komunave të tyre në mënyre ilegale.

Ata duhet të kenë një qasje konstruktive dhe të mundohen të gjejnë zgjidhje në bazë të planit të Ahtisaarit, zgjidhje që u ndihmon dhe u shërben.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Knaus, në Kosovë, më 15 qershor, do të krijohet një realitet i ri, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës. Si e shihni ju situatën në terren, nëse merrni parasysh konfuzionin ekzistues mbi praninë ndërkombëtare?

VERENA KNAUS
Është shumë vështirë të shikohet përtej këtij konfuzioni. Mendoj se është turp i madh, kur ne, më 6 qershor, vetëm 9 ditë para se të fuqizohet Kushtetuta, po flasim për konfuzion. Mendoj se realiteti i ri do të ndodhë. Qeveria e re do të marrë përgjegjësitë, Kushtetua do të hyjë në fuqi.

Më 16 qershor, çështje e madhe e pazgjidhur do të mbetet roli që do të ketë misioni i OKB-së dhe paralelisht roli i BE-së. Ekziston rreziku i madh i krijimit të një vakuumi të sigurisë në veri, meqë në situatën aktuale kemi zona në veri të pakontrolluara, ku nuk sundon ligji.

Dhe, praktikisht, nëse keni një rast për gjykatë, nuk ka se kush të merret me të, nëse pësoni aksident trafiku, nuk do të vijnë policët që të merren me rastin. Në veri po humben të hyra të mëdha, meqë nuk ka pika doganore dhe kjo situatë i dëmton shqiptarët, serbët dhe tërë Kosovën. Unë mendoj se në një plan afatgjatë e dëmton edhe vetë Serbinë.

Çka duhet bërë? Mendoj se të gjithë duhet përdorur mendjet më të ndritura për të parë se cila situatë është më praktike, cila është zgjidhja që u shërben të dyja komuniteteve.

Ndoshta një kompromis për një periudhë të shkurtër tranzicioni, ku EULEX-i do të kishte kohë për t’u zbarkuar, ku EULEX-i do të siguronte vullnetin politik në Bruksel, se është këtu për të përmbushur mandatin e tij, e jo vetëm sa për të qenë – pra, ta mbajë Kosovën të bashkuar, të ruajë sundimin e ligjit njësoj në tërë territorin e Kosovës.

Unë nuk besoj se jeta në një mjedis, ku mungon ligji, siç kemi situatën në veri, është në interes të serbëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni këtë lloj aplikimi të standardit të dyfishtë sa i përket sundimit të ligjit, që vazhdon tash 9 vjet?

VERENA KNAUS
Është problematike dhe na bën të kthehemi sërish te vullneti politik. A e kemi ne, si bashkësi ndërkombëtare, si Bashkim Evropian, që e kemi përkrahur planin e Ahtisaarit, a e kemi ne vullnetin politik që të zbatojmë atë për të cilën jemi përkushtuar?

Mendoj se mungesa e vullnetit politik është problemi më i madh nga ana e OKB-së. Ne humbëm 9 vjet dhe nuk e zgjidhëm çështjen e Mitrovicës, i lamë qytetarët e këtij qyteti në një krizë ekonomike, nuk i adresuam nevojat bazike dhe ende po dështojmë ta bëjmë këtë, duke pasur diskutime të pastra retorike e politike rreth asaj se kush e ka pushtetin mbi territorin.

Është koha të mendohet për njerëz. Tani është rasti, me ndryshimet e reja, me fillimin e ri dhe mos ta humbim këtë rast.
XS
SM
MD
LG