Ndërlidhjet

Prishtina i ofron bashkëpunim UNMIK-ut edhe pas 15 qershorit


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Prishtina është e gatshme ta vazhdojë bashkëpunimin me UNMIK-un edhe pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Kështu është thënë sot pas një takimi ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.



Institucionet e Kosovës kanë shprehur sot gatishmërinë e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit me administratën e Kombeve të Bashkuara edhe pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës.

Pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt, pritjet e kosovarëve kanë qenë që UNMIK-u do të largohet nga Kosova pas 15 qershorit, por me mbetjen në fuqi të Rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit, administrata e UNMIK-ut do të mbetet në Kosovë, por, siç thuhet, në një format tjetër dhe të rikonfiguruar, duke iu përshtatur në një masë realitetit në Kosovën e pavarur.

Pas një takimi të përbashkët ndërmjet presidentit Fatmir Sejdiu, kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, presidenti Sejdiu tha se Prishtina zyrtare pret që gjatë dy ditëve në vijim të marrë letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, lidhur me rikonfigurimin e UNMIK-ut.

Sidoqoftë, ai tha se Prishtina do ta vazhdojë bashkëpunimin me UNMIK-un si dhe me misionin tjetër, EULEX.

“Ne nuk mund të paragjykojmë cilësinë, por mund të themi se do të ketë një qasje të përbashkët të të dy mekanizmave ndërkombëtarë, edhe të UNMIK-ut, e edhe të ICO-së dhe EULEX-it. Kujtojmë se kjo do të jetë e konceptuar asisoj që t’i ndihmojë proceset për të përfunduar sa më shpejt”.

“Qëndrimi ynë është se ne do të bashkëpunojmë edhe me institucionet ndërkombëtare dhe me atë pjesë të UNMIK-ut, që mund të ketë në këtë proces të rikonfigurimit kompetenca të caktuara”, u shpreh Sejdiu.

Presidenti kosovar tha se është në konsulta të vazhdueshme me Uashingtonin e Brukselin rreth qartësimit të misioneve të ardhshme ndërkombëtare në Kosovë.

Ndërkohë, kryeministri Hashim Thaçi është përqendruar në përgatitjet që po i bën Kosova për datën 15 qershor, kur edhe hyn në fuqi Kushtetuta.

“Në kuadër të agjendës së diskutimit kemi avancuar së formësuari dhe në plotësi të funksionimit të të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, që dalin edhe si autoritete nga Kushtetuta e re, për ne si institucione të vendit”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, opozita konsideron se Kosova është shumë e vogël që të ketë një numër kaq të madh të misioneve ndërkombëtare. Bajram Kosumi, nënkryetar i AAK-së, thotë se qeveria duhet t’i kërkojë UNMIK-ut që të ruaj praninë në Kosovë vetëm me një zyrë dhe një person, sa për të përmbushur Rezolutën 1244, e cila mbetet në fuqi.

Kosumi thotë se UNMIK-u nuk do të duhej të ketë edhe fusha të kompetencave tash në Kosovën e pavarur.

“Meqenëse nuk ka një ndërrim të Rezolutës 12 44 dhe pa ndërrimin e kësaj Rezoluta nuk ka ndërrim substancial të UNMIK-ut, Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga UNMIK-u që të mbetet vetëm me një person në Kosovë, pasi që është obligim prej Këshillit të Sigurimit”.

“Në pamundësi për ta ndërruar Rezolutën 1244, atëherë duhet të bëhet që praktikisht misioni i UNMIK-ut në Kosovë të mos ketë kurrfarë roli, si në jetën politike e shtetërore të Kosovës”,
tha Kosumi.

Bazuar në informacionet nga administrata e Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, më 15 qershor, Ban Ki Moon në fakt do ta fillojë procesin e tranzicionit dhe nuk do ta përmbyllë atë, si parashihej me pakon e Ahtisaarit.

Andaj, supozohet se edhe për të paktën katër muajt e ardhshëm, shefi i UNMIK-ut të mbetet autoriteti numër një në Kosovë.

Ndonëse ende mbetet e paqartë se si do të ndahen kompetencat ndërmjet institucioneve të Kosovës, ICO-s, EULEX-it, të cilat funksionojnë me Kushtetutën e Kosovës dhe UNMIK-un në anën tjetër, si administratë që funksionin mbi bazën e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit, autoritetet vendore thonë se po përgatisin edhe një shënim simbolik të hyrjes në fuqi të Kushtetues më 15 qershor.

Kurse, këtë javë, do të përmbyllet edhe miratimi i simboleve të Kosovës, përkatësisht pas përzgjedhjes së flamurit dhe stemës, të mërkurën do të miratohet edhe himni i Kosovës.
XS
SM
MD
LG