Ndërlidhjet

Kosova ende pa kod ndërkombëtar të telefonisë


Kosova aktualisht shfrytëzon dy operatorë të telefonisë mobile dhe një të telefonisë fikse, që të tria me kode të huaja ndërkombëtare. Ekspertët e telekomunikacionit vlerësojnë se nga kjo, Kosova humb edhe në aspektin politik, edhe në atë ekonomik.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos, ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë, kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin 381 të Serbisë.

Me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, Presidenca dhe Qeveria e Kosovës janë kompetente për të proceduar çështjen e kodit ndërkombëtar të telefonisë së Kosovës. Kështu thotë Anton Berisha, Drejtor i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit.

"Në kuptimin e arritjes deri te kodi është një çështje e pastër qeveritare, politike, që ka të bëjë me depërtimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, respektivisht në organizatën multilaterale siç është OKB-ja", thotë Berisha.

Berisha konsideron se Kosova humb shumë duke shfrytëzuar kodet e vendeve të tjera. Sipas tij, posedimi i kodit ndërkombëtar të telefonisë është një ndër shtyllat kryesore të shtetit.

"Çështja e parë që humb është mungesa e identifikimit si shtet. Kodi është një ndër shtyllat e shtetësisë do të thosha edhe në identifikim. E dyta, në aspektin komercial normalisht që ka humbje. Nuk janë sikur para disa viteve, që janë relativizuar me hapjen e tregut, por sigurisht që ka humbje edhe komerciale", thotë Berisha.

Ndërkaq, edhe ministri i Post-Telekomunikacionit pohon se mungesa e kodit ndërkombëtar ka shkaktuar një kaos në telekomunikacion, por, sipas tij, ministria i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që Kosova sa më parë ta ketë kodin e vet të telefonisë.

"Mospasja e kodit ka shkaktuar një kaos në telekomunikacion dhe një humbje të madhe ekonomike të vendit. Ne, kodin telefonik e barazojmë me mundësinë e zhvillimit ekonomik të vendit”.

“Kemi bërë të gjitha angazhimet e duhura në instanca të ndryshme ndërkombëtare, gjithashtu edhe miqtë tanë, të cilët na kanë njohur deri më tash, për të lobuar në organizatën e OKB-së në ITU, që të bëhemi anëtarë të saj, ose të gjejmë forma të tjera të posedimit të kodit", tha Limaj.

Ndryshe, konferenca ndërkombëtare e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit do të mbahet në nëntor të këtij viti dhe aty shqyrtohen mundësitë e futjes së kodeve për shtetet e ndryshme. Megjithatë, ministri Limaj nuk është optimist se gjatë këtij viti, Kosova do ta ketë kodin ndërkombëtar të telefonisë.

"Shpresoj, megjithëse do të jetë shumë e vështirë që Kosova në këtë nëntor ta ketë kodin. Nuk mund të përcaktoj një afat, por nuk do të jetë një punë e lehtë, derisa Kosova të anëtarësohet në ITU", tha ministri Limaj.

Nga ana tjetër, Rexhep Hasani, ekspert i telekomunikacionit, thotë se nuk mund të arsyetohet neglizhenca e institucioneve të Kosovës karshi mungesës së kodit ndërkombëtar të telefonisë, duke marrë për bazë humbjet e mëdha në shfrytëzimin e kodeve të huaja.

“Humbjet nga mospasja e kodit të tillë për telefoninë celulare vërtet janë shumë të mëdha. Unë vërtet nuk e kam të qartë pse është pritur kaq kohë dhe nuk është tentuar që disi të sigurohet ky kod, duke ditur se disa vende me status pak a shumë të pazgjidhur - edhe pse Kosova tashmë e ka zgjidhur problemin e statusit - kanë një zgjidhje të ndërmjetme për t’i evituar humbjet e tilla, të shkaktuara nga mospasja e një kodi të tillë", tha Hasani.

Institucionet kosovare, si Qeveria, Ministria e Post-Telekomunikacionit dhe Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit, kanë treguar neglizhencë ndaj kësaj çështjeje, thotë Hasani dhe, sipas tij, nuk duhet të pritet vetëm anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të pasur kodin ndërkombëtar të telefonisë.

Ai thotë se ekzistojnë edhe mundësi të tjera për të qenë pjesë e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit.

“Siç duket, këta presin hyrjen nëpër derë të madhe. Ajo nënkupton hyrjen e Kosovës në OKB, pastaj aderimin në organet përkatëse, sepse Unioni Ndërkombëtar për Telekomunikime është organ i OKB-së”.


“Mendimi im është se ka mundësi që të gjendet edhe një mundësi tjetër alternative, pra jo nëpër derë të madhe, por disi duke ndjekur procedura të tjera. Një status pak a shumë të ngjashëm ka edhe Palestina, Hon-Kongu”, thotë Hasani.

Sido që të jetë, ekspertët e telekomunikacionit u rekomandojnë një punë më intensive institucioneve të Kosovës, në drejtim të posedimit të një kodi ndërkombëtar të telefonisë, në mënyrë që Kosova të mos humbë as në aspektin politik, e as në atë ekonomik.

Ndryshe, për vitin e kaluar, Kosova ka paguar 15 mijë euro vetëm për shfrytëzimin e kodit ndërkombëtar të Monakos, për operatorin e telefonisë mobile "Vala".
XS
SM
MD
LG