Ndërlidhjet

logo-print

Ndërsa Qeveria e Kosovës pret që Këshilli i Sigurimit të qartësojë rrugën e rikonfigurimit dhe tranzicionit nga UNMIK-u te misioni i EULEX-it, analistët tërheqin vërejtjen se zvarritja e ndërrimit të misioneve ndërkombëtare po çon kah ndarja e Kosovës.

Qeveria e Kosovës pret nga Këshilli i Sigurimit që definitivisht të fillojë me rikonfigurimin e UNMIK-ut, si proces që do t’i paraprijë shtrirjes së plotë të misionit të Bashkimit Evropian.

Ndërsa, analistët konsiderojnë se zvarritjet me përfundimin e misionit të UNMIK-ut dhe shtrirjen e EULEX-it në anën tjetër, po krijojnë të gjitha parakushtet e ndarjes së Kosovës.

Duke iu referuar seancës së sotme në Nju Jork të Këshillit të Sigurimit, zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se pritjet e Prishtinës janë që Këshilli i Sigurimit, definitivisht të përcaktojë fillimin dhe afatet për rikonfigurimin e UNMIK-ut.

“Në seancën e sotme të KS të OKB-së pritet që të merret një vendim që ka të bëjë me rikonfigurimin e UNMIK-ut dhe natyrisht kjo performancë do të përkufizojë edhe relacionet me EULEX-in, respektivisht misionin evropian në Kosovë”, tha Manaj.

Zëvendëskryeministri Ramë Manaj thotë se deri më tani është dashur që misioni i EULEX-it të shtrihet në Kosovë. Përderisa BE-ja nuk e ka shtrirë misionin e vet, UNMIK-u edhe nuk mund të përfundojë tranzicionin në këtë mision. Por, Manaj shpreson që BE-ja do të nisë shumë shpejt me misionin e EULEX-it.

“Ne kemi pritur që EULEX-i të fillonte edhe më herët, por rikonfigurimi i UNMIK-ut në Kosovë vjen si pasojë e mbetjes në fuqi të Rezolutës 1244. Ne presim që EULEX-i të fillojë sa më shpejt, sepse ka parapërgatitje për të filluar punën në Kosovë, edhe atë në gjithë territorin e Kosovës
”, thekson Manaj.

Në anën tjetër, eksperti i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, thotë se Këshilli i Sigurimit mund të arrijë ujdi për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, me vetë faktin se Rezoluta 1244 po mbetet në fuqi.

Por, Kelmendi thotë se Qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë më e qartë në qëndrimet e veta, pasi që rikonfigurimi, siç është paraqitur në planin e Ban Ki Moonit, sipas tij, shpie kah ndarja e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet të jetë më e qartë në qëndrimet e veta, sepse rikonfigurimi do të thotë në fund që diku në Kosovë të jetë EULEX-i, në pjesët tjera UNMIK-u; e kjo do të çojë në dualizëm e në përbërjen e vendeve të caktuara edhe në katër përbërje të qeverive të ndryshme, gjë që mosfunksionaliteti i shtetit bëhet katastrofik, qind për qind, gjë që tërësia territoriale do të shkatërrohet në tërësi”.

“Ajo edhe ashtu është shkatërruar, integriteti shtetëror është dëmtuar, e në përmasa të mëdha i prekur, kështu që asgjë nuk do të bëhet vetëm se do të sanksionohet edhe ‘de fakto’ të përcaktohet ndarja e Kosovës”, vlerëson Kelmendi.

Kelmendi thotë se paqartësitë në Kosovë janë krijuar edhe me neglizhencën e faktorit ndërkombëtar, i cili ka lejuar që pavarësia e Kosovës dhe Rezoluta 1244 të mbeten si opsione paralele.

“Është dashur që në radhë të parë, Bashkimi Evropian, dy shtetet që janë anëtare të Këshillit të Sigurimit dhe që kanë të drejtën e vetos, Franca e Anglia dhe Gjermania në anën tjetër, si dhe në veçanti SHBA-të, të vendosnin veton mbi Rezolutën 1244 dhe ta shpallnin inekzistente rezolutën e tillë, ose ta hiqnin nga fuqia, në mënyrë që UNMIK-u të kthehej, kurse EULEX-i ta marrë rolin elementar”,
tha Kelmendi.

Sidoqoftë, Këshilli i Sigurimit do të debatojë sot në lidhje me planin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Pala kosovare e ka pranuar në parim këtë plan. Për Prishtinën, në këtë seancë do të flasë presidenti Fatmir Sejdiu, përderisa po në këtë mbledhje qëndrimet serbe do t’i paraqesë presidenti Boris Tadiq.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG