Ndërlidhjet

Prishtina e vlerëson të suksesshme mbledhjen e KS


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Mbledhja e fundit e Këshillit të Sigurimit, ku u diskutua për Kosovën, është vlerësuar e suksesshme nga përfaqësuesit e partive politike në Kosovë. Sipas tyre, prezenca e presidentit Fatmir Sejdiu në këtë mbledhje paraqet një rast historik.


Mbledhja e fundit në Këshillin e Sigurimit, ku është diskutuar për Kosovën dhe mbi planet e sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, është vlerësuar e suksesshme nga përfaqësues të partive politike në Kosovë.

Hydajet Hyseni, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, konsideron se Kosova tashmë i ka të hapura dyert në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

"Unë do ta shquaja si zhvillim pozitiv faktin se Kosovës i janë hapur dyert në OKB, me gjithë kufizimet që janë atje. Ka një zhvillim progresiv edhe në praninë ndërkombëtare në Kosovë, e cila në fillim ka qenë kontestuar tërësisht nga Beogradi dhe instrumentet e tij në Kosovë, kurse tani kërkohet një vazhdimësi e pranisë ndërkombëtare në një pjesë të Kosovës, gjë që nuk kënaq shumicën shqiptare, por besoj se është një proces rrëshqitës kah normaliteti", tha Hyseni.

Nga ana tjetër, edhe Fadil Ferati, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se vetë prezenca e presidentit të Kosovës për herë të parë në Këshillin e Sigurimit është një ngjarje historike.

"Unë mendoj se debutimi i presidentit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Sigurimit në OKB ishte shumë kompetent. Presidenti pati fakte dhe argumente të forta, një prezantim burrështetasi dhe kjo rezulton edhe me admirimin e shumicës absolute të Kombeve të Bashkuara, që u pa se përveç Rusisë nuk kishte kundërshtime dhe normalisht edhe nga Serbia. Unë mendoj se do të shkohet me këtë rikonfigurim dhe me minimizim të rolit të UNMIK-ut dhe të mbylljes së misionit të UNMIK-ut shumë shpejt, që të sqarohet udhëheqja dhe qeverisja në Kosovë", tha Ferati.

Edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri, e vlerëson pozitivisht mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, dukë thënë se presidenti i Kosovës prezantoi realitetin e ri të krijuar në Kosovë.

"Natyrisht që takimi i fundit i Kombeve të Bashkuara për Kosovën është historik. Për herë të parë, një president i një vendi të pavarur, të lirë, merr pjesë dhe prezanton të arriturat e shtetit më të ri në botë të Kosovës", tha Gaxherri.

Ndërsa, sa i përket kundërshtimeve të Serbisë dhe Rusisë se nuk do të pranojnë asnjë kalim të përgjegjësive nga Misioni i OKB-së te institucionet e Kosovës dhe aq më pak te EULEX-i, përfaqësuesit e partive politike thonë se reagimet e tilla kanë qenë të pritura.

Zonja Gaxherri, nga LDD-ja, thotë se qëndrimet e Serbisë dhe Rusisë kanë qenë të ditura dhe të pritshme.

"Këto nuk janë risi. Ne e dimë edhe procesin e dialogimit si ka shkuar; gjatë gjithë kohës kanë qenë jokonstruktive edhe Serbia, edhe Rusia. Edhe tash tentojnë të nxjerrin nga procesi gjëra të tilla. Megjithatë, unë mendoj se Kombet e Bashkuara dhe EULEX-i duhet të bashkëpunojnë më ngushtë", tha Gaxherri.

Edhe Hydajet Hyseni thotë se reagimet si ato të Serbisë dhe të Rusisë tingëllojnë si diçka e përsëritshme. Por, sipas tij, shqetësuese në këtë kohë është tendenca për t'i ndarë misionet në drejtim të zhvillimeve të ndryshme dhe të kundërta.

"Kjo duhet të parandalohet me një funksionalizim të palës kosovare. Megjithatë, shumë shpejt edhe Rusia, edhe Serbia, do të kuptojnë se prania ndërkombëtare në Kosovë është në të mirën e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë", theksoi Hyseni.

Ndryshe, për shkak të ndasive në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, disa liderë të Kosovës mendojnë se situata është komplikuar edhe më shumë. Rangjell Nojkiq, përfaqësues i serbëve të Kosovës, thotë se në Kosovë po krijohet një realitet i ri, që, sipas tij, është ndarja.

"Ky është një realitet i ri, ashtu siç ka thënë edhe presidenti Tadiq, dhe Serbia duhet të ballafaqohet me këtë realitet. Kjo do të thotë se duhet shumë mirë ta shqyrtojë se si do të veprojë në të ardhmen dhe sidomos për problemin që është mjaft i theksuar, e kjo është situata në terren. Dëshiroi ose nuk dëshiroi dikush që ta pranojë në këtë moment, muajt e fundit Kosova po funksionon si territor i ndarë", tha Nojkiq.

SHBA-të, Britania dhe Franca e mbështetën propozimin e Ban Ki Moonit gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Rusia dhe Serbia kundërshtuan planet për ndryshimin e pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

XS
SM
MD
LG