Ndërlidhjet

Beograd: Socialistët zgjedhin demokratët


Pamje në Beograd
Pamje në Beograd

Negociatat për koalicione në Serbi kanë arritur në fundin e tyre. Partia Socialiste ka vendosur të zgjedhë për partner demokratët e presidentit Boris Tadiq. Kjo parti pritet të marrë vendin e kryetarit të Kuvendit, që pritet të zgjidhet sot. Emrat e kabinetit qeveritar ende nuk janë bërë të ditur.

Partia Socialiste e Serbisë ka arritur të kalojë një sfidë të madhe dhe sërish i është kthyer koalicionit me Partinë Demokratike të presidentit Boris Tadiq. Kjo parti ka marrë vendim që të bëhet pjesë e qeverisë së radhës, duke përfituar edhe vendin e kryeparlamentarit.

Kryetari i Partisë Socialiste që dikur i takonte Sllobodan Millosheviqit, Ivica Daçiq, ka thënë se partia e tij ka bashkëpunuar me grupin e partive demokratike që në vitin 2004, kur i kishte dhënë mbështetje. Por, gjithsesi, siç ka thënë ai, Partia Socialiste e Serbisë nuk do të jetë një parti e varur nga askush.

Mediat serbe kanë spekuluar se edhe kreu i qeverisë do të dihet menjëherë. Sipas marrëveshjes së arritur, shef i ekzekutivit serb do të jetë një nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike të presidentit. Një nga emrat e përmendur si kandidat i mundshëm për këtë post ka qenë edhe ai i ministrit të Jashtëm, Vuk Jeremiq.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë pritet të votohet së shpejti, ndërkaq emrat e kabinetit qeveritar do të bëhen të ditur më vonë. Kreu i socialistëve ka thënë se koha ka qenë për vendime dhe shumica e partisë ka qenë pro këtij koalicioni.

“Nga 258 anëtarë prezentë të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, me 11 vota kundër dhe 2 të përmbajtura është marrë vendimi për formimin e shumicës parlamentare me Partinë Demokratike”.

“Është e lehtë të pajtohesh me diçka që është e pamundur dhe është e lehtë të mos bashkëpunosh me dikë që ka mendime të kundërta, por është koha e vendimeve”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se partia e tij do të angazhohet për integrimin evropian të vendit, por edhe për ruajtjen e Kosovës.

Ky koalicion ka ardhur pas negociatave disa javësh të nacionalistëve të bllokut popullor të kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe radikalëve. Kjo është një humbje e madhe për kryeministrin e deritashëm, por ai nuk do të tërhiqet nga politika.

“Nuk ka mundësi dhe nuk e dimë përse zoti Koshtunica do të duhej të shkonte në pension. Këto janë marrëzira. Ne do të bëhemi gati për të vepruar si opozitë dhe do të shohim se si mund të përmbushim misionin tonë dhe do të bëjmë një plan për veprimin në këto kushte”, ka thënë zëdhënësi i Partisë Demokratike të Serbisë, Andreja Mlladenoviq.

Por, ai nuk ka saktësuar nëse kryeministri i tanishëm do të jetë deputet në kuvend apo do të tërhiqet nga aktiviteti i drejtpërdrejtë.

Koalicioni i demokratëve me socialistët ende nuk është sqaruar mirë. Një nga pikat që kanë mbetur të paqarta është nëse koalicioni për qeverinë do të nënkuptojë prishjen e koalicionit mes socialistëve dhe nacionalistëve të tjerë për kryebashkinë, e cila ka qenë edhe kërkesa e demokratëve.
XS
SM
MD
LG