Ndërlidhjet

Zannier: UNMIK-u në Kosovë edhe pas 120 ditëve


Lamberto Zannier
Lamberto Zannier

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, parashikon se UNMIK-u mund të mbetet në Kosovë dhe atë me një rol të caktuar, edhe pas 120 ditëve të rikonfigurimit dhe tranzicionit.




Brenda 120 ditëve të tranzicionit, UNMIK-u mund të pësojë ndryshime radikale në strukturën e vet, por askush nuk mund ta thotë nga tani, që UNMIK-u do të largohet nga Kosova pas tranzicionit, tha sot në Prishtinë, shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zannier.

Ai tha se procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut do të varet shumë nga një vlerësim që do t’i bëjë të gjitha fushave të përgjegjësisë që ka tani UNMIK-u, e të cilin do t’ia procedojë Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, si autoriteti kryesor që vendos në fund për këtë proces të ndryshimit të rolit të UNMIK-ut.

Por, edhe pas 120 ditëve të tranzicionit dhe rikonfigurimit, ai tha se UNMIK-u mund të luajë sërish një rol të caktuar në Kosovë.

“Përshtypja ime është se ky do të jetë një operacion radikal dhe do ta ndryshojë strukturën e UNMIK-ut dhe do të përshtatet me realitetin në terren”, tha Lamberto Zannier.

Ndërkaq, duke u ndërlidhur me kërkesat e lidershipit të Kosovës që pas 120 ditëve UNMIK-u të largohet, Zannier tha se kjo i përket Këshillit të Sigurimit që të vendosë se a do të shkojë apo në çfarë formati do të mbetet UNMIK-u në Kosovë.

Zannier tha se nuk do të preferonte që UNMIK-u të mbetej me një rol të theksuar nëpër zonat e banuara me serbë, kurse EULEX-i në ato të banuara me shqiptarë. Sipas tij, ndarja e përgjegjësive ndërmjet UNMIK-ut dhe EULEX-it ka të bëjë me fusha të caktuara dhe jo me territore.

Duke ia lëshuar përgjegjësitë në terren EULEX-it, megjithatë një prej detyrave të para që Zannier parasheh të ketë në Kosovë, është rinisja e dialogut Prishtinë - Beograd. Ai tha se nuk e sheh veten si negociator klasik dhe në rolin e propozuesit të ideve e nismave, por më shumë në rolin e lehtësuesit të këtyre bisedimeve.

“Po pres zhvillimet në Beograd dhe nëse do të formohet qeveria e re, do të pres derisa ajo të nisë punën dhe do të kërkoj më pas menjëherë që të takohem me të”, tha shefi i UNMIK-ut.

Zannier tha se para çdo takimi, ai fillimisht do të bisedojë me autoritetet kosovare dhe më pas me ato serbe. Në rast se ka përafrime për fushat e bisedimeve, ai tha se do të përpiqet që t’i ulë palët në bisedime, e nëse jo, do të zhvillojë një lloj të ‘shatëll-diplomacisë’.

Bazuar në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Moon, fushat si policia, drejtësia, doganat, menaxhimi i vijës administrative, monumentet fetare dhe ajo e transportit dhe telekomunikacionit, do të dialogohen sërish ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por kësaj radhe përmes shefit të UNMIK-ut. Me këtë fakt, janë pajtuar edhe autoritetet në Prishtinë.

Lamberto Zannier ka premtuar se gjatë këtij dialogimi, ai nuk do t’i hapë për bisedime çështjet e ndjeshme mes dy vendeve.
XS
SM
MD
LG