Ndërlidhjet

logo-print

Kaosi juridik


Flamuri i BE-së, i OKB-së dhe ai i Kosovës

Flamuri i BE-së, i OKB-së dhe ai i Kosovës

Periudha e tranzicionit në Kosovë po përcillet me paqartësi juridike, ku institucionet e Kosovës, UNMIK-u, EULEX-i e ICO-ja funksionojnë në bazë të dokumenteve të ndryshme juridike. Juristët kosovarë tërheqin vërejtjen se kjo do t’i shkaktojë telashe shtetit të ri kosovar.

Kushtetuta, plani i Ahtisaarit dhe raporti i Ban Ki Moonit - janë këto tri dokumente që aktualisht institucionet vendore dhe ndërkombëtare u referohen në kryerjen e funksioneve të tyre. Juristët tërheqin vërejtjen për një situatë konfliktuoze, ku askush nuk ka autoritetin sipëror, të cilit do t‘i bindeshin mekanizmat përkatës.

UNMIK-u, që në bazë të Rezolutës 1244 ka thënë fjalën përfundimtare deri tash, ka filluar rikonfigurimin, që nënkupton se ky mision do të zvogëlohet, për t’i lëshuar vendin EULEX-it. Por, tërë ky rikonfigurim nuk merr për bazë as kushtetutën e as planin e Ahtisaarit, por vetëm raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon.

“EULEX-i do të operojë nën ombrellën e OKB-së dhe kur misioni i OKB-së të dalë, EULEX-i do të hyjë brenda. Ndërsa, sa i përket institucioneve të Kosovës, neve nuk na përket që të japim funksionet, u përket të tjerëve që t’i marrin ato funksione”, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko.

Por, brenda misionit të EULEX-it vazhdon të ketë paqartësi dhe zyrtarë të këtij misioni thonë se janë ende në pritje për të kryer konsultimet e duhura me të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe vendorë në Kosovë, lidhur me vendosjen e këtij misioni në Kosovë.

Ivanko është i prerë se si do të veprojë EULEX-i.

“Përderisa EULEX-i është në ombrellën e OKB-së, EULEX-i do të operojë nën Rezolutën 12 44 dhe jo nën planin e Ahtisaarit. Raporti i sekretarit të përgjithshëm është dokumenti që i referohemi, ndërsa plani i Ahtisaarit është plani që nuk është aprovuar në Këshillin e Sigurimit”, thotë Ivanko.

Por, për institucionet e Kosovës plani i Ahtisaarit është baza mbi të cilën është shpallur pavarësia dhe është hartuar kushtetuta. Po ashtu, edhe Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO), e vendosur në Kosovë, vepron në bazë të këtij plani. Ndërsa, kjo zyrë thotë se nuk do të preket fare nga rikonfigurimi.

ICO është mandatuar së bashku me shefin e saj, Pieter Feith, nga 25 shtete të Grupit Ndërkombëtar Drejtues dhe këto shtete kanë marrë vendim që të punojnë me Qeverinë e Kosovës për të implementuar planin e Ahtisaarit”.

“Qeveria e Kosovës, në deklaratën e pavarësisë, ka mirëpritur Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe puna jonë ka filluar me fuqizimin e kushtetutës, më 15 qershor. Mendoj se tani secila organizatë ka mandatin e vet respektiv dhe mendoj se në terren, organizatat ndërkombëtare koordinohen me njëra-tjetrën dhe do të sigurojnë se nuk do këtë duplifikim të punës”, tha Andy McGuffie nga ICO-ja.

Juristi kosovar Ilir Dugolli thotë se referimi te dokumente të ndryshme dhe mosrespektimi vetëm i kushtetutës si akti më i lartë juridik i një shteti, do t’i shkaktojnë shumë telashe shtetit të ri të Kosovës.

“Nuk mund të funksionojë në mënyrë koherente ashtu si duhet të funksionojë një shtet normal, në momentin kur institucione të ndryshme, institucione që i bëjnë konkurrencë njëra-tjetrës në nivelin më të lartë, kanë për burim të autoritetit të tyre, të pushtetit të tyre, dokumente të ndryshme”.

“Ajo është formulë për telashe, vështirësi dhe konflikte të kompetencave ndërmjet atyre institucioneve. Problem nuk paraqitet këtu vetëm fakti se UNMIK-u ka pushtetin e vet nga Rezoluta 1244 dhe nga letra e Ban Ki Moonit, por edhe nga fakti se nuk duket se mund t’i përshtatet rrethanave të reja në terren. Kjo mund të shkaktojë telashe, sepse duhet të ekzistojë një autoritet përfundimtar, një autoritet sipëror”, tha Dugolli.

Ndërkaq, mbetja eventuale e EULEX-it nën ombrellën e OKB-së, sipas Ilir Dugollit, do të rrënojë pakon e Ahtsiaarit dhe do të shkaktojë funksionim të strukturave jashtë-kushtetuese.

“Mbetja e EULEX-it nën ombrellën e OKB-së është problem shumë i madh, problem në aspektin funksional; është problem se në një shkallë rrënon pakon e Ahtisaarit, nga e cila nxjerr burimin e autoritetit si EULEX-i, ashtu edhe kjo pavarësi e mbikëqyrur”.

“Kjo do t’u hapë rrugë vazhdimit strukturave jokushtetuese, sepse në fund të fundit, UNMIK-u, e mandej edhe EULEX-i si një dorë e zgjatur e UNMIK-ut, do të mund të shihej si strukturë jashtë-kushtetuese”,
tha Dugolli.

Ndryshe, rikonfigurimi i UNMIK-ut është thënë se do të zgjasë 120 ditë. Gjatë kësaj kohe pritet që të shuhet pothuaj tërësisht UNMIK-u dhe kompetencat në fushën e sundimit të ligjit t’i kalojnë EULEX-it. Prania e EULEX-it parashihet në pakon e Ahtisaarit, por nuk dihet nëse përfundimisht ky mision do të veprojë në bazë të këtij plani, apo do të jetë zëvendësim i UNMIK-ut.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG