Ndërlidhjet

VMRO-DPMNE dhe BDI bëjnë marrëveshje për Qeverinë e re


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Përfaqësues të Bashkimit Demokratik për Integrim bënë të ditur se kjo parti në Qeverinë e re do ketë pesë poste të ministrave, një të zëvendëskryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe një post të nënkryetarit të Kuvendit.

Kuadro të BDI-së do të drejtojnë Ministrinë e Ekonomisë, të Shëndetësisë, të Punëve dhe Politikës Sociale, Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe atë të Ambientit Jetësor.

Dy partitë fituese të zgjedhjeve në Maqedoni, VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja, kanë arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë së re. Marrëveshja rreth mesnatës është konfirmuar nga Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së dhe më pas edhe nga Komiteti Qendror, që janë edhe organet më të larta të partisë së mandatarit Nikolla Gruevski.

Ndërkohë që marrëveshja ka marrë pëlqimin edhe të Kryesisë Qendrore të Bashkimit Demokratik për Integrim. Detaje rreth marrëveshjes së arritur nuk janë dhënë nga asnjëra parti, ndërkohë që marrëveshja e arritur mes Gruevskit dhe Ahmetit ka kaluar pa probleme dhe debate në organet e partive që drejtojnë, kurse gjatë ditës së sotme pritet të jepen edhe deklaratat e para.

Përfaqësues të Bashkimit Demokratik për Integrim kanë bërë të ditur se kjo parti në Qeverinë e re do të ketë pesë poste të ministrave, një të zëvendëskryeministrit për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, si dhe një post të nënkryetarit të Kuvendit.

Kuadro të BDI-së do të drejtojnë Ministrinë e Ekonomisë, të Shëndetësisë, të Punëve dhe Politikës sociale, Ministrinë e Pushtetit Vendor, dhe atë të Ambientit Jetësor. BDI-së do t’i takojnë edhe tre poste të zëvendësministrave, të Punëve të Brendshme, të Financave dhe të Arsimit.

Mandatari për formimin e Qeverisë, Nikolla Gruevski, bisedimet për Qeverinë e re i ka zhvilluar edhe me PDSH-në e Menduh Thaçit, por në fund është përcaktuar që partner i partisë së tij në Qeveri të jetë BDI-ja, e cila edhe është fituese e zgjedhjeve në radhën e shqiptarëve të Maqedonisë.

Ndërkohë që nga PDSH-ja kanë bërë të ditur se kjo parti është tërhequr nga bisedimet, për shkak të, siç thuhet, mosgatishmërisë së Gruevskit për të pranuar gjashtë pikat e marrëveshjes së arritur në muajin mars mes PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë që bisedimet mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe mandatarit Nikolla Gruevski janë zhvilluar larg mediave, të cilat deri në momentet e fundit nuk kanë qenë të njoftuara me afrimin e qëndrimeve dhe arritjen e marrëveshjes.

Sidoqoftë, 12 korriku është afati i fundit kur në Kuvend duhet të paraqitet për miratim programi dhe përbërja e re qeveritare. Nëse konkretizohet marrëveshja Ahmeti –Gruevski , VMRO-DPMNE dhe BDI do të kenë dy të tretat e deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG