Ndërlidhjet

Çështja e të pagjeturve - prioritet për Qeverinë?


Prishtinë - Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.
Prishtinë - Fotografitë e personave të pagjetur, të vendosura në rrethojat e Kuvendit të Kosovës.

Çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës, thotë një zyrtar i Komisionit qeveritar për të pagjeturit. Ndërkaq, përfaqësuesi i asociacioneve të familjarëve të të pagjeturve thotë se këto asociacione janë të pakënaqura me angazhimin e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, zbardhja e fatit të personave të pagjetur është paralajmëruar si çështje me prioritet e Qeverisë së Kosovës, por asociacionet e familjarëve të këtyre personave thonë se deri më tash këto paralajmërime nuk janë realizuar.

Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit qeveritar për të pagjeturit, thotë se aktualisht, 1961 persona figurojnë si të zhdukur, ndërkohë që institucionet janë duke bërë përpjekje që të gjejnë përgjigjet lidhur me fatin e tyre dhe identifikimin e atyre që tashmë janë gjetur.

“Kemi në morgun e Prishtinës edhe një numër të madh, mbi 400 mbetje mortore, që presin analizën. Të dhënat e deritashme të dhuruesve të gjakut nuk koincidojnë me mbetjet mortore. Pra, vazhdohet me identifikimin e atyre trupave. Kështu që, po të identifikoheshin ato mbetje mortore në morgun e Prishtinës, numri i të pagjeturve do të zvogëlohej nga 1900 në 1600”, tha Gjetaj.

Në anën tjetër, Haki Kasumi, kryetar i Këshillit të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, shpreh pakënaqësinë me rezultatet e institucioneve lidhur me këtë çështje.

“Është premtuar bukur shumë dhe është thënë disa herë se do të jetë çështje me prioritet, por në praktikë kjo nuk doli ashtu. Marrë në përgjithësi, nuk është punuar sa duhet dhe nuk është përqendruar vëmendja ose nuk është orientuar energjia institucionale dhe intelektuale e Kosovës në këtë çështje, e cila mendoj se ka merituar dhe meriton të ketë prioritet dhe të bëhet shumë më tepër për të”, u shpreh Kasumi.

Ndërkaq, zoti Gjetaj thotë se çështja e personave të pagjetur mbetet prioritet i Qeverisë së Kosovës dhe se janë arritur disa rezultate.

“Kemi informacione se në varrezat e Butelit, në Shkup, ka disa mbetje mortore, gjegjësisht, ka të varrosur. Prandaj, tashmë kemi propozuar që në agjendën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të jetë çështja e ekshumimit dhe nxjerrjes së atyre trupave që janë të varrosur në varrezat e Butelit, e që, në të vërtetë, i ka bartur lumi Lepenc, në pranverën e vitit 1999”, tha Gjetaj.

Ndërsa, zoti Kasumi thotë se institucionet e Kosovës duhet të këmbëngulin dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi, qoftë ajo edhe minimale, që të arrijnë deri te informacionet për fatin e të pagjeturve.

“Çdo shtyrje, çdo ditë, për ketë çështje është e madhe dhe është e rëndë, sidomos për familjarët, por edhe për fatin e atyre, të cilët kanë mbetur në njëfarë mënyre, për të mos thënë në harresë, si çështje në plan të dorës së dytë. Aktualisht, edhe afro 2000 qytetarë i mungojnë Kosovës. Ky numër, ju lutem, është numër i njerëzve, familjarët e të cilëve jetojnë në ankth dhe këto 9 vjetët e kaluar pas luftës, nuk janë vite jete për këta familjarë”, thotë Kasumi.

Ndryshe, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, grupet punuese nga Prishtina dhe Beogradi për çështjen e personave të pagjetur, janë takuar dy herë, në prill dhe në qershor, me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Zoti Gjetaj thekson se takimi tjetër i radhës pritet të zhvillohet në muajin shtator.

“Pala serbe po vazhdon me rezervat e veta. Mendoj se këto çështje kanë edhe karakter politik, prandaj ashtu si janë rrjedhimet politike, mund të jetë që edhe këto bisedime të kenë pak edhe konotacion politik. Prandaj, unë s’mund të them se jam as optimist e as pesimist, por... të shohim se cilat do të jenë rezultatet. Por, derën për dialog rreth zbardhjes së fatit të të pagjeturve, nuk mund ta mbyllin”, tha Gjetaj.
XS
SM
MD
LG