Ndërlidhjet

1.2 miliard euro donacione për Kosovën


Bruksel - Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën
Bruksel - Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën

Në Bruksel përfundoi Konferenca e Donatorëve për Kosovën. Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë tre donatorët më të mëdhenj.


Donatorët premtuan 1.2 miliardë euro për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë, në konferencën e donatorëve që u mbajt në Bruksel.

"Konferenca ka qenë shumë e suksesshme", tha Pier Mirel, zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, përgjegjës për Ballkanin.

"Ky është një sukses i jashtëzakonshëm për të ardhmen e Kosovës si shtet i sigurt, demokratik dhe shumëetnik", tha kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në mbyllje të konferencës së donatorëve.

Sipas tij, qeveria e Kosovës premton se do të vazhdojë me qeverisjen e mirë dhe shtoi se "asnjëherë nuk do t'ju zhgënjejmë".


Konferencën e organizoi Komisioni Evropian dhe në të si donatorë u paraqitën organizatat ndërkombëtare, shtetet anëtare të BE-së edhe vende të tjera.

Komisioni Evropian është donatori më i madh dhe premtoi 500 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën. Komisioneri i zgjerimit të BE-së, Olli Rehn, në hapje të konferencësi tha:

“Jam krenar se duke premtuar 500 milionë euro, që në fakt është gjysmë miliardi, Bashkimi Evropian demonstron qëndrimin se Kosova është çështje evropiane, thellësisht evropiane. Ky qëndrim nuk është një formulë diplomatike, por provë reale e angazhimit tonë në Kosovë”.


Rehn tha se me paratë e premtuara mund të zvogëlohet hendeku i nevojave buxhetore në Kosovë për periudhën trevjeçare.

“Duke iu falënderuar kësaj përpjekjeje, shpresoj që premtimet në këtë Konferencë të arrijnë një miliard euro. Ky do të jetë një kontribut i madh për zhvillimin e Kosovës dhe adresimin e nevojave reale të njerëzve që jetojnë atje. Këtu hyjnë çështje si energjia, transporti, ndërtimi i institucioneve apo kapaciteteve administrative”,
tha Rehn.

Komisioneri evropian po ashtu tërhoqi vërejtjen se paratë e donatorëve evropianë duhet të shpenzohen duke respektuar rregullat strikte të BE-së.

“Padyshim është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës dhe administrata të sigurojnë se çdo euro do të shpenzohet me efikasitet në fushat e energjisë, arsimit dhe zhvillimit social”, tha Rehn.

Rehn po ashtu tha se këto premtime për buxhetin e Kosovës e në përgjithësi ndihmat financiare nga bashkësia ndërkombëtare duhet të përdoren për të mirën e të gjithë popullit të Kosovës, për të gjitha komunitetet, përfshirë bashkësinë serbe në Kosovë.

Lidhur me këtë, edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Qeveria e Kosovës do të ndjekë politikën e zero tolerancës ndaj dukurive si korrupsioni dhe keqpërdorimi i këtyre mjeteve, ndërsa nuk do të bëjë dallime në përkatësinë etnike për të realizuar projekte në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb.

Thaçi foli edhe për perspektivën e integrimit euroatlantik të Kosovës.

"Konferenca e Donatorëve paraqet fillimin e një faze të zhvillimit për Kosovën. Ne do të punojmë me partnerët tanë, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe me NATO-n, për ta fituar ardhmërinë për Kosovën", tha Hashim Thaçi.

Ai po ashtu tha se Kosova ka bërë edhe kërkesën formale për t’u integruar në institucionet financiare ndërkombëtare.

“Unë besoj se ne e meritojmë të jemi shumë shpejt pjesë e NATO-s, BE-së dhe e të gjitha institucioneve financiare ndërkombëtare. Mendoj se shumë shpejt do të kemi një përgjigje nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ajo do të jetë një përgjigje pozitive”, tha kryeministri i Kosovës.

Pas BE-së, si donatorët më të mëdhenj renditen SHBA-të me 400 milionë dollarë dhe Gjermania me 100 milionë euro. Norvegjia dhe Britania e Madhe premtuan nga 30 milionë euro dhe Luksemburgu 15 milionë.


XS
SM
MD
LG